LAJMI I FUNDIT:

Dorëzohet medikamenti ‘Surfaktant’ në Klinikën e Neonatologjisë

Dorëzohet medikamenti ‘Surfaktant’ në Klinikën e Neonatologjisë

Sot në Klinikën e Neonatologjisë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës u bë dorëzimi i medikamentit jetë-shpëtues Surfaktant, donacion ky i bërë i mundshëm përmes bashkëpunimit të suksesshëm dhe të vazhdueshëm në mes të Aksionit për Nëna për Fëmijë dhe organizatës ndërkombëtare AmeriCares.

Më shumë se 240 shishe të medikamentit janë dorëzuar si donacion, sasi kjo e cila do të mbulojë nevojën vjetore të furnizimit me surfaktant.


Foshnjat që përjetojnë probleme të frymëmarrjes, kanë mungesë të surfaktantit – shtresë e lëngshme brenda mushkërive dhe bebet zakonisht nuk fillojnë prodhimin surfaktantit deri disa javë pas lindjes.

“Pa sasi të mjaftueshme të surfaktantit vjen deri tek kolapsi i mushkërive dhe kështu foshnjat e lindura parakohe nuk mund të marrin frymë. Andaj, Surfaktanti është thelbësor në parandalimin dhe trajtimin e RDS (Sindromit të Distresit Respirator) dhe redukton shkallën e vdekshmërisë së foshnjave të shkaktuar nga RDS. Gjatë 10 viteve të fundit, donacionet e Surfaktantit kanë shpëtuar jetën e rreth 2,000 foshnjave të lindura parakohe dhe ato të lindura me peshë të ulët në Kosovë”, thuhet në njoftim.

“Jemi të lumtur se kemi një bashkëpunim të suksesshëm me organizatën ndërkombëtare ‘Americares’ e cila vazhdimisht mbështet punën e Aksionit për Nëna dhe Fëmijë dhe vazhdimisht  mbulon nevojat e spitaleve me medikamente. Falë këtij bashkëpunimi dhe këtij donacioni jetët e shumë foshnjave të lindura parakohe do të shpëtohen”, theksoi Erisa Jakupi, zyrtare për marrëdhënie me publikun në Aksionin për Nëna dhe Fëmije.

“Klinika e Neonatologjisë ka vite që pranon si donacion medikamentin jetë-shpëtues Survantën, medikament i cili ndihmon në zvogëlimin e morbiditetit dhe mortalitetit të foshnjave premature. Me rastin e pranimit të donacionit, falënderojmë Aksionin për Nëna dhe Fëmije dhe Americares që vazhdimisht përmbushin nevojat e Klinikës dhe shpresojmë që ky partneritet të vazhdojë tutje”, u shpreh Xhevdet Gojnovci, drejtor i Klinikës së Neonatologjisë në QKUK.

Ardhja e këtij medikamenti jetë-shpëtues në Kosovë është bërë e mundur nga ngjarjet bamirëse të mbajtura në vitin 2018 si ‘Let’s Dance’ në Prishtinë, ngjarja ‘Meet Us Halfway’ në New York, SHBA dhe ‘ Darka e Diasporës’ në Zvicër. /Telegrafi/