LAJMI I FUNDIT:

Donald Trump mund të jetë rekrutuar si agjent nga rusët, që në vitin 1986!?

Donald Trump mund të jetë rekrutuar si agjent nga rusët, që në vitin 1986!?

Craig Unger

Oleg Kalugin, ish-shefi 83-vjeçar i kundërzbulimit të KGB-së sovjetike, ka një rëndësi të veçantë këto ditë, pasi përvoja e tij e bën atë një mjeshtër të skemave, përmes së cilave ishte i aftë të zinte në kurth edhe Donald Trumpin. Operacioni filloi gjatë një udhëtimi të vitit 1978 në Çekosllovaki, jo shumë kohë pas martesës së Trumpit me Ivanën. Të porsamartuarit ngjallën interesin e Ministrisë Çeke të Sigurisë Shtetërore (e njohur edhe si StB). Një bashkëpunëtor i policisë sekrete filloi të vëzhgonte Ivanën, dhe e takoi atë disa herë gjatë viteve që pasuan. Mbajtja e dosjeve për çekët që ishin larguar nga vendi, ishte procedura standarde e operimit për StB.


Sipas gazetës gjermane “Bild”, duke filluar nga viti 1979, dosjet e StB-së thonë se “telefonatat midis Ivanës dhe babait të saj duhej të përgjoheshin të paktën një herë në vit”. “Edhe korrespondenca e tyre kontrollohej”. Agjenti i cili raportonte për Ivanën, përdorte emrat e koduar “Langr” dhe “Chod”.

Dosjet e StB-së janë vulosur me termin “tepër sekret”, mbajnë emrat e koduar “Slusovice”, “America”, dhe “Capital”, dhe flasin për një përpjekje të vazhdueshme për të mbledhur sa më shumë informacione rreth Trumpit. “StB, mendonte se kishte shumë gjasa që agjencitë amerikane ta përdornin Ivana Trumpin. Dhe ata dëshironin ndërkohë të përdornin Trumpin për të mbledhur informacione mbi elitën e SHBA-së”- thotë Libor Svoboda, historian nga Instituti i Studimeve të Regjimeve Totalitare në Pragë.

Arkivat e StB-së tregojnë gjithashtu se babai i Ivanës, Milosh Zelnicek, u monitorua nga shërbimet sekrete dhe se gjatë udhëtimit të tij 1977 në SHBA për martesën e Ivanës, iu nënshtrua një kontrolli të imtë në një aeroport. Atij iu kërkua të bëhej bashkëpunëtor, përndryshe nuk do të lejohej të dilte jashtë vendit.

Por, në vend të dhënies së materialeve komprometuese, Zelnicek mund të ketë dorëzuar thjesht informacionin më minimal të nevojshëm, për të mbajtur StB-në jashtë jetës së tij. Nuk dihet me saktësi se kur KGB-ja hapi një dosje për Donald Trumpin. Por, për policinë sekrete çeke ishte një praktikë e zakonshme, ndarja e informacionit të klasifikuar mbi Trumpin me kolegët e KGB-së.

Është e paqartë se sa vetë Trumpi dinte mbi survejimin nga çekët, por kur Mikhail Gorbaçovi, udhëheqësi i fundit i Bashkimit Sovjetik, u ngjit në pushtet në vitin 1985 dhe prezantoi politikat e Perestrojkës (ristrukturimit) dhe Glasnostit (hapjes), të cilat zbutën tensionet e Luftës së Ftohtë, Trump u “infektua” thellësisht me një rast të rëndë të rusofilisë.

Në të shkuarën, pjesëmarrja e tij në politikë kishte qenë e kufizuar në nxitjen e këshilltarit të tij Roy Kohn për uljen e taksave dhe gjëra të ngjashme – ose dhënien e donacioneve politike për të përmbushur këto qëllime. Papritmas, Trump e rishpiku veten si një pseudo-autoritet mbi armët bërthamore, dhe pretendoi se mund të luajë një rol kyç në kufizimet e armëve strategjike. Trump e trajtoi këtë çështje në një intervistë me gazetarin Ron Rosenbaum në revistën “Manhattan Inc” në nëntorin e vitit 1985, në të cilën ai mbështeti nismën për frenimin e përhapjes së armëve bërthamore. “Asgjë nuk ka më shumë rëndësi për mua tani” – tha ai.

Trump citoi xhaxhain e tij të ndjerë John Trump, një profesor I Universitetit MIT, i cili i shpjegoi se teknologjia bërthamore po bëhej kaq e thjeshtësuar, sa që “një ditë do të jem duke ndërtuar një bombë në bodrumin e shtëpisë tënde”. Trump artikuloi një metaforë të ngjashme në intervistën që dha për “The Washington Post” .

”Disa njerëz kanë aftësi për të negociuar. Është një art që në fakt është i lindur. E ke ose jo”.

Mungesa e besimit nuk ishte problemi i tij. “Mund të më duhet vetëm një orë e gjysmë për të mësuar gjithçka mbi raketat. Gjithsesi unë mendoj se e di shumicën” – tha ai.

Disa muaj më vonë, në vitin 1986 ai këmbënguli të takonte Bernard Lownin, një kardiolog nga Bostoni, i mirënjohur për shpikjen e defibrilatorit dhe ndarjen Çmimin Nobel në Mjekësi me Jevgeni Shazov, mjekun personal të Mikhail Gorbaçovit. Pastaj Trump shtrëngoi duart me mjekun rus, duke iu mburrur se i mjaftonte një orë takim me Gorbaçovin për t’i dhënë fund Luftës së Ftohtë. Pas tërheqjes së Nobelit, Lown dhe Shazov shkuan në Moskë ku takuan Gorbaçovin, udhëheqësin e ri sovjetik. Jo shumë kohë pasi u rikthye në SHBA, Lown merr një mesazh nga Trumpi.

Asokohe Lown nuk kishte dëgjuar kurrë për të, por fshehurazi shpresonte që Trump mund të kontribuonte në Fondacionin e Kërkimeve Kardiovaskulare. Ata u takuan në zyrat e Kullës Trump. “Më trego gjithçka që di për Gorbaçovin” – më tha Trump. Pas 20 minutash apo më shumë duke treguar përvojën e tij nga takimi me udhëheqësin sovjetik, Lown u ndje i poshtëruar, kur vuri re se Trump nuk po dëgjonte.

“Mendova se kishte tjetër gjë në mendje, por nuk e dija se çfarë”. “Pse doni të dini mbi të?” – e pyeti Trumpin. Ky i zbuloi planin e tij të madh. “Nëse unë kam informacion për Gorbaçovin, mund t’i kërkoj mikut tim të mirë Ronit, të më bëjë ambasador të SHBA-së në Moskë”. “Roni?” – pyeti Lown. “Ronald Reganit” – sqaroi Trump. Pastaj ai përsëriti se brenda një ore nga takimi me Gorbaçovin, do t’i jepte fund Luftës së Ftohtë. “Më tmerroi arroganca dhe injoranca e tij mbi kompleksitetin e njërës nga çështjet më të ndërlikuara me të cilat ballafaqohen njerëzimi! Ai besonte se mund ta zgjidhte atë brenda një ore!?” – kujton ai.

Falë Gorbaçovit, “ariu” rus kishte më në fund një fytyrë miqësore, por KGB-ja jo. Ajo mbeti organizata më efektive dhe më e frikshme e mbledhjes së informacioneve në botë, me më shumë se 400,000 oficerë brenda Bashkimit Sovjetik, dhe 200,000 roje kufitare, për të mos përmendur një rrjet të madh informatorësh. Dhe, kjo nuk përfshinte edhe Drejtorinë e Parë (FCD), të ngarkuar me mbledhjen e inteligjencës së huaj. Ajo kishte rreth 12,000 oficerë dhe drejtohej nga gjenerali Vladimir Krushkov, një aparatçik komunist i linjës së ashpër, që dukej të ishte duke u notuar kundër rrymës së historisë.

Nga një përmbledhje e memove të Krushkovit gjatë periudhës 1985-1984, rezulton se ai ishte thellësisht i shqetësuar se KGB-ja nuk kishte arritur të rekrutonte mjaftueshëm agjentë amerikanë. Ai urdhëroi oficerët e tij të përpunonin jo vetëm të dyshuarit e zakonshëm majtistë, të cilët mund të kishin simpati ideologjike me sovjetikët, por edhe njerëz të ndryshëm me ndikim, si biznesmenë të shquar. Dhe, kështu nisi nën orkestrimin e Krushkovit, edukimi politik i Donald Trumpit në marsin e 1986-s, kur u takua me ambasadorin sovjetik në Kombet e Bashkuara Juri Dubinin dhe vajzën e tij Natalia Dubinina. Kjo e fundit, pjesë e delegacionit sovjetik në OKB, ishte një figurë interesante, në atë që misioni sovjetik ishte gjerësisht i njohur për përfshirjen e agjentëve të KGB-së. Kur Juri Dubinin mbërriti në Nju Jork, e bija e shoqëroi fillimisht në Kullën Trump.

Mbetet e paqartë nëse ishin marrë masat paraprake, për këtë takim tejet të pazakontë midis një diplomati të lartë sovjetik dhe Trumpit. Disa muaj më vonë, Trump deklaroi: ”Jam në bisedime për ndërtimin e një hoteli të madh luksoz pranë Kremlinit, në partneritet me qeverinë sovjetike”.

Më 4 korrik 1986, Trump shkoi në Moskë me Ivanën dhe dy ndihmës. Ai kontrolloi vende të ndryshme potenciale për një hotel, duke përfshirë disa zona pranë Sheshit të Kuq. Ai qëndroi në një suitë në Hotelin Kombëtar, ku Vladimir Lenini dhe gruaja e tij kishin qëndruar në vitin 1917.

E gjithë vizita u vëzhgua nga afër nga KGB-ja.

Pas udhëtimit, “The New York Times” raportoi se Trump ishte takuar në Moskë “me udhëheqësin sovjetik, Mikhail S. Gorbaçov”. “Tema e dukshme e takimit të tyre ishte ndërtimi i mundshëm i hoteleve luksoze në Bashkimin Sovjetik nga z. Trump. Por, thirrjet e z. Trump për çarmatimin bërthamor, ishin gjithashtu të njohura për rusët”.

Në fakt, takimi i Trumpit me Gorbaçovin nuk u zhvillua kurrë. Raporti, me sa duket, ishte vetëm një vetë-promovim në stilin Trumpian në një media të njohur. Për më tepër, ka shumë pyetje pa përgjigje mbi atë se çfarë ndodhi saktësisht gjatë vizitës së Trump. Nuk është e qartë nëse Trump e kuptoi se kompania “Intourist” me të cilën po bisedonte për ndërtimin e hotelit, ishte në thelb një degë e KGB-së, puna e së cilës ishte të spiunonte turistët e profilit të lartë që vizitonin Moskën.

Oleg Kalugin thotë se KGB-ja ishte e mirë-përgatitur mirë për përdorimin e videove seksuale për të prodhuar kompromat (materiale komprometuese). Asokohe ishte një praktikë e përhapur punësimi i vajzave të reja, duke i përdorur at si prostituta për të kapur mat vizitorë politikanë dhe biznesmenë të huaj.

“Nuk do të habitesha nëse rusët kanë fotografi të Trumpit gjatë vizitës së tij në Rusi, apo të kontakteve intime me vajza të reja, që kontrolloheshin nga inteligjenca sovjetike”- tha ai. Më 24 korrik 1987, gati menjëherë pas kthimit të Trumpit nga Moska, një artikull u shfaq në “Executive Intelligence Review”, duke sugjeruar se diçka e mistershme po ndodhte mes tij dhe Kremlinit. “Sovjetikët thuhet se po kërkojnë më shumë mirësjellje, një kandidim të mundshëm presidencial nga Donald Trump, ndërtuesit të njohur nga Nju Jorku, që ka bërë pasuri përmes spekulimeve me pasuritë të paluajtshme, dhe kontrollon interesat e krimit të organizuar në këtë fushë” – thuhej në artikull.

A po përkrahin vërtet sovjetikët Trumpin për të garuar si president? A po e merrte ai në konsideratë këtë mundësi? Trump sponsorizoi disa intervista të tijat në mediat amerikane, duke kritikuar disa aspekte të politikës së jashtme të SHBA-së. Ndërsa një artikull i botuar në “Times”, sugjeronte se Trump mund të bëhej pjesë e garës paraprake republikane në presidencialet e vitit 1988 kundër George H. W Bushit, asokohe zëvendëspresident në detyrë. Ai e mohoi zyrtarisht këtë pretendim.

Bushi ishte shumë i fortë në garën për kandidatin republikane, dhe vetë Trump kishte një çështje tjetër me të cilën duhej të merrej. Trump e kishte ndjerë se anglishtja me theksin e rëndë çek të Ivanës, do të peshonte gjatë fushatës. Nuk qe një marrëdhënie e lumtur, dhe në fakt martesa e tij ishte një barrë që donte të lëshonte, përpara se t’i hynte një kandimi serioz presidencial. Megjithatë, synimi presidencial i Donald Trump ishte në proces. /Marrë me shkurtime nga: “New Republic”/Në shqip nga: bota.al/