Mesfushori i Liverpool, Dominik Szoboszlai, po dëshmon edhe një herë se është mjeshtër i goditjeve të dënimit, duke shënuar kësaj radhe edhe ndaj Tottenham.

Liverpooli po përballet me Tottenhamin në kuadër të javës së 30-të në Premier League, një përballje shumë e rëndësishme për të dyja ekipet.


“Reds” po luftojnë për një vend në zonën që dërgon në garat evropiane, ndërsa Spurs synojnë të përmirësojnë pozitën në tabelë.

Në minutën e 19-të të takimit u zhbllokua rezultati, falë një goli të bukur nga goditja e dënimit të Szoboszlait.

Hungarezi goditi saktë, duke e lënë pa mundësi reagimi portierin Guglielmo Vicario, i cili tentoi ta ndalte topin, por pa sukses.

Ky ishte goli i katërt nga goditja direkte e dënimit për Szoboszlai këtë sezon në Ligën Premier, duke u bërë futbollisti i parë i Liverpoolit që shënon kaq shumë gola nga goditjet e lira në një sezon të vetëm në këtë garë. Vetëm David Beckham në sezonin 2000/01 dhe Laurent Robert në sezonin 2001/02 kanë realizuar më shumë, me nga pesë gola nga goditjet e dënimit.


Szoboszlai këtë sezon ka pasur edhe disa vështirësi te Liverpooli, pasi shpeshherë është aktivizuar larg pozitës së tij natyrale në mesfushë. Trajneri Arne Slot, për shkak të mungesave në skuadër, në disa takime e ka përdorur edhe në krahun e djathtë të mbrojtjes. /Telegrafi/

telegrafi sport app