Djali i Benjamin Netanyahut ndryshoi emrin dhe mbiemrin


Yair Netanyahu, djali i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, ka ndryshuar emrin dhe mbiemrin e tij në Yonatan Hon, raportoi të mërkurën gazeta izraelite Haaretz.
Sipas raportit, dokumentet tatimore tregojnë se deri në dhjetor të vitit 2024 ai figuron me emrin e vjetër, ndërsa këtë vit, me të njëjtin numër identifikimi, është regjistruar me emrin e ri.
Në dokumente shfaqet edhe e njëjta adresë fiktive, e regjistruar si "Balfour 0", shkruan timesofisrael.
Yair Netanyahu edhe më parë kishte përdorur variante të ndryshme të mbiemrit. Në rrjetet sociale ai është prezantuar si "Yair Hoon". Mbiemri Hon rrjedh nga mbiemri origjinal i gjyshit të tij nga nëna, Shmuel Hon, babait të Sara Netanyahut, i cili më vonë e ndryshoi mbiemrin në Ben Artzi.
Ndryshimi i emrit vjen në një periudhë kur mbiemri Netanyahu është nën presion të madh politik dhe ligjor. Benjamin Netanyahu përballet me kritika ndërkombëtare dhe me një urdhër-arresti të lëshuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare lidhur me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ai gjithashtu vazhdon të përballet në Izrael me procese gjyqësore për korrupsion.
Edhe Yair Netanyahu ka qenë objekt polemikash për aktivitetet e tij në SHBA dhe lidhjet me figura të së djathtës ekstreme. Në vitin 2018 u publikua një incizim ku ai, para një klubi striptizi, mburrej se babai i tij kishte ndihmuar në realizimin e një marrëveshjeje shumë miliardëshe për gazin që i kishte sjellë përfitime një biznesmeni të pasur.
Kjo nuk është hera e parë që një anëtar i familjes Netanyahu ndryshon emrin. Vëllai i Yairit, Avner Netanyahu, e ndryshoi mbiemrin në Avi Segal rreth pesë vjet më parë dhe me atë identitet bleu një apartament në Oksford të Anglisë. Edhe vetë Benjamin Netanyahu, gjatë qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara në vitet 1980, kishte përdorur emrin Ben Nitai.
Tradita e ndryshimit të mbiemrave në familje shkon edhe më larg. Babai i Benjamin Netanyahut, Benzion Mileikowsky, e ndryshoi mbiemrin në Netanyahu pasi u shpërngul nga Polonia në Palestinën nën Mandatin Britanik në vitet 1920. Sipas Haaretz, kjo ishte pjesë e një praktike më të gjerë të shumë kolonëve sionistë, të cilët zëvendësonin mbiemrat evropianë me emra hebraikë. /Telegrafi/


































