LAJMI I FUNDIT:

Ditën e vrasjes, Besim Ramadani duhej të ishte në spital (Video)

Ditën e vrasjes, Besim Ramadani duhej të ishte në spital (Video)

Besim Ramadani, për 15 vjet ishte i diagnostikuar me sëmundje kronike psikiatrike ose çrregullim të psikozës, i cili humbi jetën pas të shtënave të një zyrtari policor.

Ditën e vrasjes së tij, më 8 korrik, Besimi është dashur të gjendej në spital, pasi në repartin psikiatrik në spitalin e Gjilanit ishte pranuar dy ditë më parë, raporton KTV.


Por, për shkak të moskujdesit të përgjegjësve të repartit, qarkullimin e tij nuk e ka penguar askush, ku për pasojë, një e mitur dhe një zyrtar policor u lënduan, ndërsa vetë atij kjo dalje i kushtoi me jetë.

E, shefi i repartit psikiatrik, Shkëlzen Kadriu, qarkullimin e lirshëm të Besimit e arsyeton me faktin që ka qenë ditë e shtunë dhe që është periudha e pushimeve verore.

Kadriu thotë se Besimi ka dalë prej spitalit, edhe pse një ditë më parë i është tërhequr vërejtja të mos bëjë lëvizje jashtë repartit, pasi duhej të ishte i saktë në marrjen e terapisë.

Kurse, për personat e sigurimit në spital, Kadriu nuk qartëson nëse të njëjtit mund t’i ndalojnë pacientët që të lëvizin jashtë spitalit.

Kadriu thotë se në këtë repart janë rreth 6 pacientë, ku 3 prej tyre janë me diagnozën e njëjtë me të Besim Ramadanit, që vlerësohet se bën pjesë në mesin e sëmundjeve pothuajse më të rënda psikiatrike.

Brenda periudhës prej 15 vjetësh, Besim Ramadani është hospitalizuar 8 herë.

Ndërsa, familjarët e Besim Ramadanit thonë se mund të ishte bërë më shumë nga spitali për shërimin e Besimit, e jo për shkak të pakujdesisë së tyre, familjari i tyre të merrte një përfundim të tillë.