LAJMI I FUNDIT:

Dita Ndërkombëtare e Teatrit: Shfaqja e parë shqiptare, “Dasma e Lunxhërisë” (1874)

Dita Ndërkombëtare e Teatrit: Shfaqja e parë shqiptare, “Dasma e Lunxhërisë” (1874)
Ilustrim

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Teatrit, kujtohen edhe fillimet artistike të teatrit ndër shqiptarë. 

Shfaqja e parë teatrore e dokumentuar në Shqipëri është “Dasma e Lunxhërisë” e vitit 1874 e shkruar nga Koto Hoxhi, e cila u vu në skenë nga nxënësit e shkollës normale “Zografia” të fshatit Qestorat në Gjirokastër.


Krijimet e para dhe shfaqja e parë teatrore përkojnë me Periudhën e Rilindjes Kombëtare.

E para dramë shqiptare me strukturë të mirëfilltë artistike është “Emira” e arbëreshit Françesk Anton Santori (1814-1894), e shkruar më 1885, e cila u botua nga De Rada në gazetën “Fjamuri i Arbrit” .

Drama shqipe arriti nivele më të larta me autorë të tjerë, siç janë: A. Z. Çajupi, me komedinë “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndër” (1902), Gjergj Fishta me melodramën “Shën Françesku i Asizit” (1909), Mihal Grameno me komedinë në tre akte “Mallkimi i gjuhës shqipe” (1905) dhe tragjedinë në vargje “Vdekja e Pirros “ (1906), Fan. S. Noli me dramën “Israelitë e Filistinë” (1907), etj.

Teatri i parë profesionist në Shqipëri është Teatri Popullor, i cili u inaugurua më 17 maj të vitit 1945 në Tiranë (pas vitit 1990 quhet Teatri Kombëtar). Teatri Kombëtar i Kosovës i ka fillesat e saj më 1946, në Prizren, ku që nga viti 1880 janë hedhur hapat e parë teatral me hapjen e shkollës nën udhëheqjen e Mati Logorecit.