eksperti-banner

- Shtërpca, zgjedhjet lokale dhe domosdoja e “kontratës” mes subjekteve politike shqiptare -

Me afrimin e datës së zgjedhjeve lokale, subjektet politike shqiptare në Shtërpcë duket se kanë nisur një dialog brenda partiak, të cilin mendojnë të kurorëzojnë me një “aleancë” të përbashkët, thënë më shkurt, t’i bashkojnë forcat politike dhe të krijojnë një organizim që nuk është parë gjer më tash – të dalin me një listë zgjedhore.

Kjo është vërejtur javën që shkoi, kur dy subjektet politike LDK dhe LDD, që u ndanë dy vjet më parë, po kërkojnë gjuhën e “bashkimit” të koncepteve të tyre organizative në të mirë të votës së qytetarëve shqiptarë të kësaj komune dhe kjo është për t’u përshëndetur.

Mirëpo se a do të ndodhë, që subjektet politike shqiptare në Shtërpcë, edhe ashtu të vogla, të dalin me lista të veçanta, apo të bëhen pak më të mëdha, të dalin me një listë, me ç’rast do të zgjidhnin njerëzit më eminent, për këtë fjala e fundit i mbetet PDK-së, e cila në Kosovën e pasluftës në çdo zgjedhje i fitoi votat e shqiptarëve të Shtërpcës.

Në komunën e Shtërpcës, aktualisht veprojnë 5 parti politike, më e madhja PDK-ja, e pasuar nga LDK e LDD. AAK, duket se nuk e ka kapacitetin e duhur, përderisa LPK është shkrirë në PDK, e AKR-ja e sapoformuar dështoi t’i marrë këmbët që në fillim.

Bazuar në vota, shqiptarët e Shtërpcës kanë diku mbi 4 mijë votues, kurse serbët rreth 7.500 votues. Matematikisht, por edhe logjikisht serbët janë shumicë, afërsisht 60 për qind serbë e 40 për qind shqiptarë.

A është domosdoshme “kontrata” mes partive shqiptare?


Kësaj pyetje i përgjigjemi pa hezitim me një PO të madhe. Atëherë pse duhet të ndodhë kjo?

Së pari. Kjo duhet të ndodhë. Shkurt e shqip, qytetarëve të Shtërpcës (shqiptarëve) më nuk do t’u shkojnë votat së koti, sikurse votuan në nëntorin e 2007 – ës, ky është edhe opinion i tyre (sepse serbët edhe pse bojkotojnë, po shpërblehen me poste). Ata (shqiptarët e Shtërpcës), të paktën e kanë një ditë, kur do të jenë të barabartë me të gjithë, e kanë një ditë kur do të vendosin për vetveten, për fatin e tyre, edhe ashtu jo fort të mirë: pa informim, pa punë, në skamje..., e ç’ti thuash më. Andaj, subjektet politike shqiptare në këtë komunë nuk duhet t’i shpërndajnë më votat së koti, ato duhet t’i bashkojnë forcat, të jenë unike, sepse nuk ka parti pa qytetarë, përderisa qytetarë mund të ketë pa parti politike.

Së dyti, shqiptarët do të nxirrnin një kandidat për kryetar të komunës (të themi më të mirin), do ta fuqizonin atë me mbi 4 mijë vota dhe këto 4 mijë vota qytetare, të lira e demokratike në shekullin XX, mbase do ta ketë vështirë ndokush t’i gjuaj në mbeturina.

Së treti, duke u bazuar në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, Kuvendi i Shterpcës do t’i ketë 19 këshilltarë komunalë ( ka mbi 10 mijë banorë), e bazuar në përqindjen e votave, 40 për qind të deputetëve do të ishin shqiptarë, të themi të paktën 8 këshilltarë që do të flasin shqip në Kuvendin e Shtërpcës, por shumë të fortë, sepse do t’i forconte vota qytetare.

Së katërti, procesi zgjedhor do të zhvillohej perfekt, sepse nuk do të kishte grindje nëpër Qendrat e Votimit, dhe as performansa. Nuk do të kishte numra partish dhe numra kandidatësh. Qytetarët e patën shumë vështirë t’i mbajnë mend emrat e shumë kandidatëve (dhjetë) dhe secilës parti (po ashtu nga dhjetë kandidatë) në zgjedhjet e kaluar, të dështuara në Shtërpcë.

Së pesti, është interesi nacional. Paramendojmë votat e shpërndara të partive serbe në 7 apo 8 parti (nëse ato dalin në zgjedhjet e sivjetme) dhe të gjitha votat e shqiptarëve për një kandidat për kryetar të komunës. Shqiptarët do të fuqizoheshin me votë të lirë e të mençur dhe nuk do të mbeteshin edhe më tutje faktorë terciar, të paktën do të bëheshin dytësor, por shumë i fuqishëm në zhvillimin e komunës, mbrojtjen e Ligjeve kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe interesin vital të qytetarëve, pa dallim etnie.

Kështu, interesi do të jetë i dyanshëm për të gjithë qytetarët e Shtërpcës, sepse do të krijohej balotazhi për kryetar komune dhe me këtë, pa marrë parasysh në do të jetë shqiptar apo serb, kryetari do të zgjidhej me votat e të dy palëve, edhe të shqiptarëve edhe të serbëve. Por, natyrisht, do të kishte edhe kompromise për të dy anët, duke pasur parasysh se kryetari tash ka mandat ekzekutiv.

(Autori është koordinator i OJQ-së “Sharri” në Shtërpcë, gazetar në "Zëri" dhe njohës i mirë i rrethanave politike në këtë komunë)