LAJMI I FUNDIT:

Dilema e Bidenit për Izraelin

Dilema e Bidenit për Izraelin
Ilustrimi: James Ferguson / FT

Burimi: The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com

Qëkur Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor të vitit të kaluar, Amerika ndoqi dy objektivë kryesorë. I pari ishte të siguronte mbështetjen “e hekurt” për Izraelin. I dyti ishte parandalimi i një lufte më të gjerë rajonale e cila do të mund të tërhiqte ShBA-në.


Por, ekziston një tension i fshehtë midis këtyre dy qëllimeve. Dhe, ky tension tashti është afër pikës së thyerjes.

Problemi është se mbështetja e hekurt mund të lexohet si liri për Izraelin për të ndërmarrë çfarëdo veprimi ushtarak të cilin e sheh si të arsyeshëm – me besimin se në momentet shumë të vështira, Amerikën do ta ketë prapa. Kjo potencialisht ia jep Izraelit lejen për të ndërmarr rreziqet të cilat e nisin luftën rajonale, të cilën ShBA-ja po përpiqet ta parandalojë.

Izraeli nuk e paralajmëroi Amerikën, përpara se të niste sulmin vdekjeprurës në kompleksin e Ambasadës iraniane në Damask. Irani u përgjigj siç duhet, me breshëri të paprecedentë të raketave dhe dronëve të cilat cak e kishin shtetin hebraik.

Tashti, Administrata Biden urgjentisht po përpiqet të parandalojë Izraelin nga raundi tjetër i përshkallëzimit. Siç thotë një zyrtar amerikan: “Problemi është se të dyja palët duan ta japin goditjen e fundit”.

Këmbëngulja e presidentit Joe Biden, se ShBA-ja nuk do të marrë pjesë në asnjë kundërsulm ndaj Iranit, ndihmoi për të bindur Qeverinë izraelite që të mos kundërpërgjigjet menjëherë. Por, Izraeli është betuar se do të kundërpërgjigjet në kohën e duhur. Izraelitët theksojnë se nëse Irani do të lëshonte qindra raketa drejt Amerikës, ShBA-ja me siguri do të reagonte. Por, Izraeli varet nga mbështetja ushtarake amerikane dhe nga garancia e theksuar e sigurisë nga ana e Uashingtonit. Siç më tha një zyrtar amerikan, më herët për këtë krizë: “Izraelitët po luajnë kumar me paratë e shtëpisë”.

Javët e fundit, Bideni ishte shumë më i hapur ndaj kritikave dhe veprimeve izraelite në Gazë, pa specifikuar se si Amerika mund ta kushtëzojë mbështetjen e saj ose nëse do të mund të kufizojë furnizimet me armë për Izraelin. Çështja se si do të veprohet me Iranin, shton një shtresë tjetër në mosmarrëveshjen midis Uashingtonit dhe Jerusalemit.

Për shumë vjet, zyrtarët izraelitë kanë këmbëngulur se Irani dhe programi i tij bërthamor përbëjnë kërcënim ekzistencial për shtetin hebraik. Me raste ka pasur biseda nëse Izraeli ose ShBA-ja duhet të bombardojnë objektet bërthamore të Iranit. Irani tani është më afër marrjes armëve bërthamore sesa më parë, ndërsa perceptimet e Izraelit për kërcënim janë rritur në mënyrë dramatike që nga sulmi i Hamasit. Ortodoksia e re izraelite është se vendi duhet të ndërmarrë veprimet parandaluese për të shkatërruar kërcënimet.

Në Izrael, regjimi iranian portretizohet gjerësisht si kult fanatik fetar i cili me kënaqësi e rrezikon Armagedonin. Por, ShBA-ja e sheh Iranin më shumë si reagim për mbijetesë të një regjimi i cili është brutal, por racional. Administrata Biden pranon se Irani me të vërtetë e ka kaluar pragun e madh përmes breshërisë së raketave. Por, beson se Teherani tashti po jep sinjale se e do de-eskalimin.

Frika në Uashington është se Izraeli mund të veprojë ende sipas perceptimit të vet për kërcënimin dhe të fillojë një sulm të fuqishëm ndaj Iranit – duke besuar se, në rastin e fundit, Amerika do t’i bashkohet luftës dhe madje mund të mposht regjimin iranian në emër të Izraelit. Por, çdo llogaritje e tillë do të ishte gjithashtu e mbushur me rreziqet për vet Izraelin. Fillimi i luftës më të gjerë me Iranin, vërtet do ta tërhiqte ShBA-në në luftë. Por, në pikën e çarjes mund të testojë gjithashtu angazhimin e Amerikës ndaj Izraelit.

Duke theksuar se në debatet e tensionuara në Uashington, mbi atë çfarë sjell angazhimi i “hekurt”, ekziston pyetja e mëtejshme shpeshherë e padeklaruar. A është Izraeli ende aset strategjik për ShBA-në, apo po bëhet detyrim strategjik?

Nga ana e përgjegjësisë, shqetësimi më i madh është i qartë – veprimet izraelite do ta tërheqin Amerikën përsëri në një luftë tjetër në Lindjen e Mesme. Mbështetja e ShBA-së për Izraelin në Gazë, gjithashtu ka dëmtuar imazhin e Amerikës në pjesën më të madhe të botës, duke ndërlikuar përpjekjet e saj për të mbledhur mbështetjen kundër Rusisë dhe Kinës.

Bideni gjithashtu po e paguan një çmim të brendshëm politik, pasi është duke e humbur mbështetjen mes votuesve të rinj. Meqenëse ekipi i tij vërtet beson se vetë demokracia e ShBA-së është në rrezik në zgjedhjet e ardhshme, kjo nuk është konsideratë e parëndësishme ose e pavlerë. Fakti se Benjamin Netanyahu është i afërt me Donald Trumpin – dhe akuzohet për minimin e vetë demokracisë së Izraelit – shton rezervat e Shtëpisë së Bardhë ndaj qeverisë izraelite.

E, megjithatë, në anën tjetër Izraeli mbetet aleat i vjetër i ShBA-së dhe shoqëria më e hapur në Lindjen e Mesme. Ekziston gjithashtu bashkëpunimi i ngushtë midis shërbimeve të inteligjencës izraelite dhe perëndimore, bazuar në shqetësimin e përbashkët për terrorizmin islamik.

Dhe, teksa Administrata Biden nuk e ka pikëpamjen apokaliptike të Izraelit për Iranin, këtë shtet e sheh si shumë të rrezikshëm. Në Uashington, Irani portretizohet si një nga katër anëtarët e “boshtit kundërshtar” që përfshin Rusinë, Kinën dhe Korenë e Veriut. Ky bosht fiton në forcë nëse Irani mund të pretendojë se ka epërsi ndaj Izraelit.

Fakti i përfolur se Jordania ndihmoi në bllokimin e breshërisë së raketave iraniane, tregon se – edhe në Lindjen e Mesme – ka vende që kanë vendosmërinë e Amerikës për të penguar sulmet e Iranit ndaj Izraelit.

Ndoshta ekziston një mjeshtër i strategjisë në Shtëpinë e Bardhë, i cili mund të balancojë gjithë këta imperativë kundërshtues. Nëse jo, ShBA-ja ka nevojë për fat, si dhe për aftësi gjykuese, për të kaluar në anën tjetër të kësaj krize – pa e tërhequr veten në një tjetër luftë. /Telegrafi/