LAJMI I FUNDIT:

Dijenia për të ardhmen: Një mirë, apo gjithçka nga pak?

Dijenia për të ardhmen: Një mirë, apo gjithçka nga pak?

Sipas një studimi, vdekshmëria e pacientëve që kanë sulm në zemër është më e vogël kur kardiologët janë në kongrese dhe kur të sëmurët trajtohen më shumë nga gjeneralistët (referenca: këtu).

Roger Federer – ndoshta teniseri më i mirë në botë – suksesin në këtë sport e gjeti tek pas moshës 18-vjeçare. Nuk ka treguar rezultate para kësaj moshe – edhe në garat me moshatarët e vet. Suksesi më i hershëm i tij ka qenë fitorja në një turnir zviceran të kategorisë B.


Vincent Van Gogh është bërë piktor pas moshës 30-vjeçare. Më herët nuk ka dhënë shenja se do te bëhet artist – edhe pse jeta e tij ka qenë e rrethuar me art.

Kriza e vitit 2008 është krijuar sepse në udhëheqje të sektorit financiar kanë qenë vetëm specialistët financiarë.

Këto gjera mund të duken se nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, mirëpo, të gjitha këto autori David Epstein i ka futur në librin e tij “Pse gjeneralistët fitojnë në një botë të specializuar”  (Range: Why Generalists Triumph in a Specialized World).

Epstain argumenton se për të arritur rezultate, nuk duhet të koncentrohemi e të bëhemi specialistë në një gjë të vetme – më mirë të eksplorojmë e të prekim fusha të ndryshme, që ta hapim mendjen dhe t’ju qasemi problemeve në mënyra të ndryshme e jo nga një pikë e vetme. Në libër jep shembuj nga fusha të ndryshme, përfshirë sportin, artin, shkencën dhe biznesin. Në rastin e Federerit tregon se si sportisti zviceran ka qenë adhurues i madh i futbollit dhe se, përveç tenisit, si fëmijë ka qenë edhe basketbollist, futbollist, ndërsa ka luajtur edhe me badminton. Autori argumenton se suksesi i Federerit është mos koncentrimi i tij në një sport të vetëm dhe se hapja e tij te një mori e sporteve ia ka sjellë suksesin. Në linjën e argumentimit, autori sjellë edhe shembujt kur një sportist ka arritur rezultate duke u koncentruar në një sport të vetëm, siç është rasti i Tiger Woodsit në golf, por shton se rasti i Federerit është praktika e te Woodsi është përjashtimi.

Ky libër argumenton se si sportistët apo profesionistët më mirë është të mësojnë shumë gjëra nga pak sesa të bëhen profesionistë të njërës. Në këtë aspekt, kur UNDP ka bërë një anketë të gjerë në Kosovë, ka dalë se personat që kanë përfunduar gjimnazin kanë pasur suksese më të mira sesa ata që kanë përfunduar shkolla të profilizuara. Gjithsesi se këto rezultate nuk kanë të bëjnë vetëm me shkollën, mirëpo ka luajtur rol të rëndësishëm në këtë fushë.

Sa i përket biznesit, Epstein merr shembull ish-shefin e Apple-it, i cili në mes tjerash suksesin e kompanisë së tij ia akordon edhe kursit të tij në kaligrafi që ia ka krijuar nevojën që nga inxhinierët të mos kërkojë vetëm efiqiencë, por edhe lloje të ndryshme të fonteve (dhe elegancë).

Gjithashtu në biznes, si shembull Espein merr Nintendo-n dhe konsollat e tyre të cilat kanë qenë kombinim i pjesëve të lira të teknologjive të tjera, për shfrytëzim të ndryshëm. Lojërat e para të kësaj kompanie janë bërë kur çmimi i ekraneve të kalkulatorëve është ulur dhe është ridestinuar për lojë kompjuterike.

Tutje, në botën ku biznesi takohet me qeverisjen dhe stabilitetin, autori citon studime ku tregohet se kriza e vitit 2008 është shkaktuar nga superspecialistët të cilët nuk kanë parë përtej gjërave që i kanë ditur mirë (për të zgjedhur probleme). Në këtë rrafsh tregohet se specialistët në shitje nuk kanë ditur për rrezikun dhe ata të rrezikut nuk kanë ditur asgjë për shitjen. Në këtë mënyrë është shkaktuar kriza që shumë njerëzve u ka kushtuar me kursimet jetësore dhe me dridhje të sistemit financiar.

Megjithatë, autori nuk e përjashton nevojën për superspecialistë, duke theksuar se ata janë të nevojshëm për të zgjeruar dijeninë. Ai shpreh nevojën për diversitet në gjetje dhe në trajtim të problemeve. Specialistëve ju duhet dikush nga jashtë. Autori përjashton mundësinë që parashikimi i të ardhmes, qoftë në politikë, ekonomi apo në fusha të tjera, mund të bëhet nga ekspertët e një fushe. Në një eksperiment, një ekip i përbërë nga persona të fushave të ndryshme – të organizuar në projektin “Good Judgment Project” – ka parashikuar të ardhmen politike më mirë se ekipet e inteligjencës që kanë pasur qasje në dokumente të klasifikuara.

Thënë popullorçe: ky është debati mes të dy thënieve nga bota anglosaksone, “Jack of all trades and master of none (Xheku i të gjitha profesioneve por dijetar i asnjërës) dhe thënies “Hammer sees all problems as a nail” (Çekani i sheh të gjitha problemet si gozhdë).

Ky argumentim duhet të jetë pjesë e strukturave vendimmarrëse në kompaninë tuaj, por edhe në strukturat qeveritare dhe të agjencive rregulluese. Sa i përket sistemit financiar, normat e Bazellit që rekomandojnë këtë sektorë, thirrin për më shumë diversitet në borde dhe vendimmarrje të sistemit bankar. Në botën ku informatat janë lehtë të arritshme, cilësia është përzgjedhja dhe përdorimi i tyre.