Diant Ramaj po monitorohet nga gjiganti anglez - pëlqehet loja e tij me këmbë

Arsenal po konsideron një lëvizje të mundshme për portierin e Borussia Dortmundit, Diant Ramaj, falë paraqitjeve mbresëlënëse që ai po shfaq këtë sezon.
Sipas mediumit gjerman Sport.de, ish-portieri i Ajaxit po tërheq interesimin e “Topçinjve”, me skautët e klubit londinez që e kanë vëzhguar nga afër gjatë paraqitjeve me Heidenheimin – ku Ramaj po luan si titullar në formë huazimi nga Borussia Dortmund.
Raportohet se Arsenali është veçanërisht i impresionuar me aftësinë e tij për të ndërtuar lojën nga prapa, gjë që trajnerët po e kërkojnë gjithmonë e më shumë.

Deri tani nuk ka pasur asnjë kontakt zyrtar mes Arsenalit dhe Dortmundit, dhe nuk dihet ende cila është qasja e klubit gjerman në lidhje me një transferim të mundshëm.
Kontrata e Ramajt me Dortmundin është e vlefshme deri në verën e vitit 2029, dhe ai pritet të rikthehet zyrtarisht në klub këtë verë – moment kur do të vlerësohet edhe nëse ai mund të konkurrojë për pozitën e titullarit.
Aktualisht, Gregor Kobel është portieri i parë i Borussia Dortmundit, por nëse zvicerani largohet, Ramaj shihet si zëvendësuesi logjik.
Nëse Kobel mbetet, atëherë një transferim në Ligën Premier – dhe konkretisht te Arsenali – mbetet një opsion real për portierin shqiptar.

Ramaj edhe pse pëlqehet nga Kosova, nuk ka pranuar të bashkohet me Dardanët deri më tani, duke e pritur Gjermaninë. /Telegrafi/


















































