Shqipëria nuk ka njohur prej disa dekadash ngjarje të tilla të rënda si tërmeti i pak ditëve më parë. Në këto vite, të paktën pas rënies së komunizmit, është përhapur herë prej lodhjes së qeverive të këqija dhe të korruptuara, herë prej cinizmit që gjendet lehtë, si një lloj helmi, mendimi se shqiptarët nuk “bëhen” se ata nuk ndihmojnë njeri, se shumë vlera njerëzore janë bjerrë, se duan vetëm veten e tyre etj.

Në fakt, këto ditë të vuajtjeve të mëdha të pastërmetit është vënë re një popull i tërë që po përjeton çdo sekondë të kërkimeve në Durrës dhe në Thumanë me zemër të ngrirë, që po bën gjithçka mundet të ndihmojë. Janë parë bukëpjekës, pronarë hotelesh apo restorantesh, janë parë shqiptarë nga Tetova, nga Malisheva, nga Vlora, nga Shkodra apo nga Kërçova të japin çka mundin. Qytetarë te teatri apo në vende të tjera pranë kishave dhe pranë xhamive po mbledhin rroba, ushqime, para për ata që janë prekur nga ky tërmet. Jemi vërtet një popull i mrekullueshëm dhe pikë.

Në kohë të tilla dhimbjesh nuk ka politikë, në kuptimin që nuk ka luftë partiake dhe partitë shqiptare të opozitës, kryetari i PD-së, Basha, kryetarët e partive të tjera nuk kanë bërë asnjë thërrmijë politikë. Ata kanë shkuar që herët në mëngjesin e ditës së parë te zonat e prekura dhe thjesht kanë shprehur dhimbjen dhe solidaritetin dhe pa dyshim kanë kërkuar angazhim nga qeveria. Të gjithë politikanët pa përjashtim nuk kanë bërë asgjë që i përket luftës politike të ditës, nuk kanë bërë asgjë që të bëjë të mendosh se ata duan të përfitojnë nga kjo gjendje e rëndë.

Por, ekziston një politikan që po bën vazhdimisht një gjë tjetër. Kryeministri Rama po përpiqet pa ndalur të bëjë propagandë, të bëjë politikë partiake, të shigjetojë opozitën. Qeveria, sigurisht, po bën edhe ajo gjithçka mundet, ndonëse ajo duket nuk ka asnjë lek, ndonëse ajo nuk ka menduar kurrë për një ditë si kjo, ndonëse ekipet e shpëtimit nuk kanë as doreza, nuk kanë asnjë mjet.

Aq e papërgatitur është qeveria dhe aq rëndë është gjendja në buxhet e saj sa Kryeministri Rama e quajti madje tërmetin një “pabesi të natyrës” duke i dhënë atribute personalizuese një entiteti si natyra, duke i dhënë natyrës atribute të një qenieje që bën akte apo që shkakton ngjarje. Nuk po merremi këtu me faktin që tërmetet, thatësirat, vullkanet, përmbytjet etj., nuk i quan askush, asnjë politikan as në Zimbabve, as në Kore, as në Nikaragua “pabesi të natyrës”. Ndërsa, për t’i dëgjuar marrëzi të tilla nga Trump pas uraganeve, nga Macron pas përmbytjeve, nga Renzi apo Konte pas tërmeteve etj., nuk ka mundësi kurrë.

Kulmi i sjelljes propagandistike të Kryeministrit Rama ishte kur ai për mbi një orë bisedoi, diskutoi planet e veprimit, tregoi për përpjekjet e tij gjigante etj. drejtpërsëdrejti në ERTV me zëvendëskryeministrin Erion Braçe, me imamin Elvis Naçi dhe me aktivistin Ilir Hoxholli, që bashkëpunon me imamin. Aty u fol se si do të trajtohet çështja e atyre që janë pa strehë në Laç, e atyre që kanë nevoja të ndryshme në Thumanë, e asaj që do të marrë përsipër Elvis Naçi, sesi do të koordinohet puna mes tyre etj. Aty u fol për gjëra për të cilat flitet vetëm me laps dhe letër dhe vetëm mbyllur në zyra. Por, Rama nuk ekziston në zyrë, Rama ekziston vetëm në TV dhe madje ekziston në momentet ku shfaqet i dhembshur, i përkushtuar etj. Shkurt, në teatër.

Kulmi i kulmeve ishte kur nga zona e tërmetit ai dha një intervistë për televizionin “News 24” dhe gazetarin Sokol Balla. Aty u pa një Ramë që u përbetua për ndershmëri, për përkushtim, aty u shfaq një Ramë që ndjen shumë dhimbje. Rama, madje, tha se të gjithë të humburit i dhimbseshin sikur të ishin Gregu, djali i tij, madje, ai, për të mos e shfaqur në TV dhimbjen, u largua.

Këto ditë, Rama është në akuzë nga gjithë populli që vuan se ai ka lënë një Shqipëri të varfër, të mjerë, të korruptuar. Këto ditë Rama po kupton se ai nuk ka më asgjë që mund ta mbrojë, se nuk i ka mbetur më asgjë për të bërë, se asnjë mjet teatral apo propagandistik nuk e ndihmon më. Është thjesht lakuriq para popullit të vet.

Në momente të vështira politike, Rama ka përdorur gjithnjë mjetet propagandistike më të forta, të cilat në thelb janë vetëviktimizimi, përdorimi i momenteve prekëse nga jeta familjare dhe paraqitja e një njeriu të dhembshur dhe të drejtë, por mëkatar, prej atyre mëkatarëve që kërkon falje, falje e cila duhet t’i jepet. Ndërkohë që kundërshtari është i keq i pandreqshëm dhe fajtor pa të drejtë korrigjimi apo faljeje.

Pak a shumë këtë stil Rama nuk e ka ndalur në 21 vite politikë. Pak ditë para zgjedhjeve të vitit 2009, Kryeministri Rama botoi në gazetën “Shekulli” letrat që i dërgonte të birit kohë më parë, Gregut, i cili ishte i sëmurë në spital në SHBA. I botoi ditë pas dite gjatë fushatës, disa vite pas shërimit të djalit, për të treguar sa i dhembshur është ai, se sa shumë ai e donte të birin dhe se sa baba i përkushtuar ishte. Gjatë kohës që PD protestonte në bulevard në çadër në pranverën e vitit 2017, Rama kaloi pranë çadrës me djalin e vogël, Zahon, në krah, në një gjest të fortë propagandistik. Rama ka bërë dhjetëra gjeste të tilla në jetën e vet politike dhe nuk ka kuptim të zgjatemi. I tillë ishte edhe ai te TV “News 24”. Në fakt, Kryeministri Rama është ai lloj politikani që nuk mund të veprojë ndryshe dhe ndoshta për këtë ai nuk ka faj. Rama ndoshta do të donte, por ai nuk mundet. Rama nuk ka empati, nuk mund të solidarizohet me njerëzit.

Në qoftë se do të kishte empati dhe në qoftë se do të mundej të solidarizohej me njerëzit, Rama nuk do t’i quante njerëzit që protestuan për traun e Rrugës së Kukësit, vandalë, barbarë. Në qoftë se do të solidarizohej dhe do të kishte empati për njerëzit, Rama nuk do t’i quante banorët e zonës së “Astirit” shpellarë. Në qoftë se do të kishte empati dhe do të solidarizohej me njerëzit, Rama nuk do të lejonte që hallexhinj të mjerë të futeshin në burg për mospagim dritash dhe të vrisnin veten në burgje. Në qoftë se do të kishte empati, Rama do të shfaqte dhimbje dhe pendim për humbjen e jetës së nënës me fëmijë në aksident, teksa ajo po shkonte tek i shoqi në burg, i burgosur për rregullimin e çatisë. Në qoftë se do të kishte empati dhe do të solidarizohej, Rama do të bënte diçka, do të kërkonte falje për vetëvrasjen e një punonjëseje të sigurimeve shoqërore në Korçë kur e hoqën nga puna njerëzit e tij në vjeshtë të 2013. Po të kishte empati, Rama nuk do të puthte në mënyrë propagandistike duar nënash plaka sa për fotografi. Në qoftë se do të kishte empati dhe do të solidarizohej, Rama nuk do t’i quante studentët ngelësa, nuk do t’i quante njerëzit e veriut që banojnë në jug, alpinë etj. etj.

David Palumbo Liu, nga universiteti i Stanfordit, përmend librin e famshëm të Adam Smithit, “Teoria e Sentimenteve Morale”, në të cilin shpjegohet se një nga themelet e jetës sociale është aftësia për të imagjinuar veten në situatën e të tjerëve. Është pikërisht kjo gjë që i bën njerëzit bashkë. Ndaj kujt shfaqin empati njerëzit? Njerëzit nuk mund të marrin pjesë me empatinë e tyre te të gjithë ata që e meritojnë (mund të ketë njerëz në Alaskë apo në Vietnam që e meritojnë atë), por ata janë përgjegjës moralisht për të gjithë ata, për të cilët shfaqin këtë empati dhe për ata, të cilëve ua injorojnë dhimbjen dhe vuajtjen. Të gjithë shqiptarët vihet re lehtë se kanë empati të thellë. Opozita dhe kryetari i saj po ashtu, Kryeministri i Kosovës, Haradinaj, po ashtu, politikanët e tjerë si Thaçi, Mustafa, Ahmeti, të gjithëve iu lexohet empatia.

Është e qartë se Rama nuk merr dot pjesë dhe nuk e vë dot veten në situatën e atyre që vuajnë. Ai ndoshta duke e ditur këtë gjë, shkoi në ekstrem duke i quajtur të gjithë viktimat si të ishin Gregu. Rama nuk mund të ndihet si njerëzit e familjes Lala që u gjendën nën rrënoja. Rama nuk mund të ketë dhimbje si nënat apo pleqtë në çadër. Rama nuk mund të ndihet si një baba që nuk ka bukë për fëmijët prej atyre në çadër, si një bashkëshort që ka gruan sëmurë dhe nuk blen dot ilaçe etj.

Solidariteti thotë David Palumbo Liu, si element i dytë që gjendet te një manifestim i tillë, është bashkimi me çfarëdo kauze që kanë ata që vuajnë. Solidariteti është një formë më e angazhuar proteste, veprimi, ndihme, nuk ndalet vetëm te dhembshuria. Ai premton veprim. Në qoftë se nuk ke eupati, nuk ke si ndihmon.

Në librin monumental “Vëllezërit Karamazov”, Dostojevski flet për një zonjë që i tregon priftit të ditur, Zosima, për pamundësinë e saj për të dashur në mënyrë aktive e të vazhdueshme njerëzit. Ajo i thotë priftit se kërkonte vazhdimisht famë dhe njohje. Ajo i thotë se ajo do njerëzimin, se është gati të bëjë revolucion apo të shkojë në luftë për njerëzimin, por nuk do asnjë njeri tek e tek. Ajo i thotë se ajo do të mërzitej, do të bezdisej, po të rrinte në një dhomë edhe me njeriun më të mirë në botë. Do të bezdisej nga gjithçka e tij, nga e folura, e qëndruara, kolla, e veshura etj. Prifti i ditur i thotë se të duash në mënyrë aktive është një luftë e përditshme dhe e pandaluar gjithë jetën për të pranuar çdo qenie njerëzore si krijesë të Zotit dhe për ta ndjerë veten njërën prej tyre të pajisur nga Zoti me aftësinë për këtë luftë dhe për këtë dashuri.

Komunistët, marksistët dhe të gjitha degëzimet e tyre ideologjike flasin pikërisht për këtë gjë, për këtë lloj dashurie të madhe ndaj njerëzimit dhe për pamundësinë për të dashur njerëzit konkretisht. Kjo lloj qasjeje mund të prodhojë dhe ka prodhuar utopitë, fashizmat dhe komunizmat, por kurrë ndonjëherë një qeverisje të përunjur dhe një qeverisjeje për njerëzit.