Dështon seanca në rastin “Capat”–“Sekiraqa”, në pritje të ekspertizës psikiatrike për Valdrin Ademin

Ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore në rastin mes grupeve “Capat” dhe “Sekiraqa”, që lidhet me përplasjen e armatosur për motive hakmarrjeje ku mbeti i vrarë P.G., pasi ende nuk ka përfunduar ekspertiza psikiatrike për të akuzuarin Valdrin Ademi.
Sipas gjykatëses së rastit, Fatime Dermaku, Instituti i Psikiatrisë Forenzike ka njoftuar se ekspertiza psikiatrike dhe psikologjike për Ademin nuk është përfunduar, andaj në mungesë të saj nuk mund të konstatohet gjendja e tij mendore dhe aftësia për t’iu nënshtruar gjykimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Si rrjedhojë, gjykimi nuk mund të vazhdojë derisa të jetë gati raporti i ekspertizës.
Nga Instituti i Psikiatrisë është bërë e ditur se nevojiten edhe rreth dy javë për përfundimin e raportit.
Ndërkohë, seanca e radhës pritet të caktohet pasi të dorëzohet ekspertiza, e cila do të përcaktojë nëse i akuzuari është në gjendje të marrë pjesë në proces gjyqësor.
Një gjë e tillë u bë e ditur nga gjykatësja e rastit, Fatime Dermaku, e cila deklaroi se Instituti i Psikiatrisë Forenzike ka njoftuar se ekspertiza psikiatrike ende nuk është përfunduar, prandaj në mungesë të saj nuk mund të dihet nëse i akuzuari Valdrin Ademi është i gatshëm t’i nënshtrohet gjykimit.
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 12 shkurt 2026 kishte ngritur aktakuzë ndaj nëntë personave: Korab Gashi, Valdrin Ademi, Robert Llumnica, Salih Sekiraqa, Fatos Abazi, Erd Marevci, Endrit Llapashtica, Dardan Marevci dhe Vesel Bunjaku, lidhur me rastin e vrasjes së P,G,, më 1 shtator 2024 në lagjen Aktash në Prishtinë.
Sipas aktakuzës, rasti ndërlidhet me një përplasje të armatosur mes dy grupeve në lokalin “From”, ku si pasojë mbeti i vrarë P.G., dhe disa persona të tjerë u plagosën. Të akuzuarit ngarkohen për disa vepra penale, përfshirë “Vrasje të rëndë”, “Vrasje të rëndë në tentativë”, si dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Motivi i sulmit, sipas aktakuzës, lidhet me konfliktin e mëhershëm të datës 4 mars 2024, të ndodhur mes Shkumbin Sekiraqës (djali i Salih Sekiraqës) dhe Pajtim Gashit (vëllai i tani të ndjerit Premtim), i cili e kishte përshkallëzuar konfliktin mes dy grupeve./BetimipërDrejtësi/




















































