LAJMI I FUNDIT:

Dështimi i Afrikës Perëndimore në luftën kundër drogës

Dështimi i Afrikës Perëndimore në luftën kundër drogës
Ilustrim

Olusegun Obasanjo

Nuk ka rëndësi se nga cila anë sheh në Afrikën Perëndimore, ligjet kundër drogës këtu po dështojnë. Pavarësisht politikave të ashpra penale, përdorimi i drogës është në rritje ndërsa trafikantët veprojnë të pandëshkuar. Siç e tha edhe i ndjeri Kofi Annan në një rast, “droga ka shkatërruar shumë jetë, por politikat e gabuara shtetërore kanë shkatërruar shumë më tepër jetë.”


Një nga problemet në përqasjen e Afrikës Perëndimore ndaj drogës është ai se si zbatohen ligjet. Në vendin tim, Nigeri, posedimi i çdo sasie droge të paligjshme teknikisht dënohet me burg – deri në 25 vjet në disa raste. Por në praktikë, ata që kanë paratë për të paguar një gjobë apo për të punësuar një avokat shpesh ia dalin të shmangin dënimin. Për shumicën e rasteve, burgu është vetëm për trafikantët e vegjël e të varfër, si dhe për përdoruesit; padronët e krimit zakonisht i shpëtojnë drejtësisë.

Por sfida më e madhe me të cilën përballet rajoni është se shumë qeveri e trajtojnë varësinë nga droga si një dobësi morale më shumë se sa si një sëmundje. Kjo ka krijuar një mjedis frike në të cilën qeveritë nuk kanë vullnetin për të importuar mjekë dhe nuk japin mjekime të ligjshme, përgjithësisht për shtat të dyshimit se fondet mund të keqpërdoren apo për shkak se pacientët mendojnë se mund të përndiqen si shpërndarës droge. Më 2013, për shembull, asnjëri nga 210 mijë njerëzit që vdiqën nga komplikimet e dhimbshme të lidhura me AIDS-in në Nigeri, nuk ishte në gjendje të blinte morfinë në mënyrë të ligjshme. Edhe në Gana, e cila po ecën drejt atyre që janë ligjet më liberale të drogës në rajon, përdorimi i morfinës për frymë është vetëm sa 2% e mesatares së botës.

Të marra sëbashku, këto tregojnë qartazi se ligjet e drogës në Afrikën Perëndimore po bëjnë më shumë dëm se sa mirë. Ne kemi nevojë për një pëqasje të re, njëra që dekriminalizon përdorimin e drogës dhe i jep prioritet trajtimit mjekësor të varësisë prej saj.

Ka një numër hapash që mund të ndërmerren menjëherë për të lëvizur Afrikën Perëndimore në këtë drejtim. Në nivel vendor, klinikat dhe skuadrat e komunimimit me komunitetet duhet të ofrojnë shiringa të pastra për njerëzit që injektojnë drogë në vena për të parandaluar transmetimin e sëmundjeve infektive të gjakut. Ndërkohë, mjekët mund ta bëjnë metadonin të disponueshëm për të gjithë ata që duan të shpëtojnë nga heroina. Iniciativa të tjera për reduktimin e dëmit – të tilla si këshillimi dhe analizat për sëmundshmëri – mund të reduktojnë pasojat shoqërore, ekonomike dhe personale të abuzimit me drogat.

Reformat në nivel qeveritar kërkojnë shumë kohë për t’u zbatuar, por ca progres është bërë edhe këtu. Më herët këtë muaj, Komisioni mbi Drogën i Afrikës Perëndimore, të cilin unë drejtoj, publikoi një ligj model mbi drogën për rajonin, një mjet në internet i dizenjuar për të ndihmuar politikëbërësit rajonalë për të rishkruar ligjet e tyre mbi drogën dhe për të përgatitur politika që mbrojnë shëndetin dhe mirëqenien e të gjithë shtetasve.

Një nga rekomandimet kryesore të ligjit model është heqja e kërcënimit të burgosjes për njerëzit që përdorin drogë. Kjo do t’i mundësojë atyre akses te programet e mbështetjes dhe madje do të fuqizojë mjekët dhe specialistët e shëndetësisë për të dhënë ilaçe me recetë pa frikën e pasojave ligjore. Ligji model ofron gjithashtu strategji për të ndihmuar autoritetet të rishkruajnë masat e dënimit në mënyrë të tillë që gjykatësit të kenë hapësirë për të marrë parasysh faktorët lehtësues kur të japin vendimet e dënimit.

Natyrisht, asnjë nga këto ndryshime nuk mund të bëhet në izolim. Për shkak se shumica e organizatave kriminale të përfshira në biznesin e drogës janë angazhuar gjithashtu në aktivitete të tjera ilegale – të tilla si kontrabanda e mallrave, armëve e njerëzve – zyrtarët ligjzbatues duhet të përqendrohen në luftimin e krimit të organizuar në të gjitha drejtimet, përfshirë korrupsionin dhe pastrimin e parave. Trafiku i drogës është vetëm një nga burimet e fitimeve për kriminelët dhe aksionet duhet të shënjestrojnë të gjitha burimet njëherësh.

Disa qeveri sakaq po bëjnë përmirësime në ligjet e tyre. Nigeria miratoi një politikë kombëtare vitin e kaluar për të lehtësuar prodhimin e morfinës së lëngshme, e cila do ta bëjë më të lehtë për mjekët të rekomandojnë këtë medikament kundër dhimbjes për pacientët pa shpresë shpëtimi. Në kryeqytetin e Senegalit, Dakar, personat nën varësinë e heroinës kanë tashmë akses te metadoni, një medikament që është provuar se ndihmon në rindërtimin e jetëve të shkatërruara nga droga. Dhe në Gana, ligjvënësit po diskutojnë një ligj që mund t’i japë fund ndëshkimit për shkelësit e ligjeve të drogës që e kanë për herë të parë.

Megjithatë shumë punë mbetet për t’u bërë. Ligji model kundër drogës është vetëm një mikënisje. Për të mbrojtur bashkësitë tona, udhëheqësit duhet të kenë vullnetin politik për të mbrojtur sigurinë, shëndetin, të drejtat e njeriut dhe mirëqenien e të gjithë banorëve të Afrikës Perëndimore – përfshirë ata që janë nën varësinë e drogës. Annan kishte të drejtë: droga është e keqe. Por ligjet tona kundër drogës nuk kanë nevojë të jenë gjithashtu të këqija. /Project Syndicate/BIRN/

Në trend

Më shumë
Ekipi më i mirë i sezonit 2023/24 në Bundesliga, Granit Xhaka është ylli në mesin e yjeve të tjerë

Ekipi më i mirë i sezonit 2023/24 në Bundesliga, Granit Xhaka është ylli në mesin e yjeve të tjerë

Bundesliga
Amerikani u kthye nga varrimi i xhaxhait dhe gjeti të bijën duke luajtur letra – pyeti kush fiton dhe përgjigja e tmerroi

Amerikani u kthye nga varrimi i xhaxhait dhe gjeti të bijën duke luajtur letra – pyeti kush fiton dhe përgjigja e tmerroi

Amerika
Aktori turk Caglar Ertugrul dyshohet se bleu dhe shkatërroi ish-shkollën, në shenjë hakmarrjeje për traumat e fëmijërisë

Aktori turk Caglar Ertugrul dyshohet se bleu dhe shkatërroi ish-shkollën, në shenjë hakmarrjeje për traumat e fëmijërisë

Magazina
Banorja e Big Brother VIP Albania 3 që po pëlqehet më shumë në Instagram

Banorja e Big Brother VIP Albania 3 që po pëlqehet më shumë në Instagram

Magazina
FAZ: Ballkani po mbetet pa popullatë, po popullohet me emigrantë nga Azia

FAZ: Ballkani po mbetet pa popullatë, po popullohet me emigrantë nga Azia

Lajme
Artistja 77 vjeçare Cher tregon pse lidhet me djem të rinj: Sepse ata të moshës time, thuajse të gjithë kanë vdekur

Artistja 77 vjeçare Cher tregon pse lidhet me djem të rinj: Sepse ata të moshës time, thuajse të gjithë kanë vdekur

Magazina
Kalo në kategori