LAJMI I FUNDIT:

Dëshmitari i 41-të në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve është i afërm i një viktime të zhdukur në Drenoc

Dëshmitari i 41-të në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve është i afërm i një viktime të zhdukur në Drenoc

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, po dëshmon dëshmitari i radhës me kodin W04489, i cili është i 41-i sipas listës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Ky dëshmitar po jep dëshminë brenda kontekstit të procesit gjyqësor kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.


Prokurori Matt Halling në përmbledhjen e tij bëri të ditur se dëshmitari ka lidhje familjare me një prej viktimave që dyshohet të jetë marrë dhe zhdukur në Drenoc.

“Dëshmitari do të japë detaje rreth aktiviteteve të fundit të viktimës para zhdukjes së saj, përvojat e tij personale kur e pa për herë të fundit dhe hapat e ndërmarrë nga familja për të zbuluar fatin e të zhdukurit”, u tha gjatë seances.

Ndërsa prokurori theksoi nevojën për kalimin e procedurës në mbyllje të seancës për shkak të karakteristikave të pyetjeve dhe për të respektuar masat mbrojtëse që janë vendosur për dëshmitarin.

Trupi gjykues, i drejtuar nga gjyqtari Charles Smith III, miratoi kalimin në një seancë të mbyllur.

Prokuroria ka parashikuar një orë për të pyetur dëshmitarin, ndërsa avokatët e viktimave dhe mbrojtja e të akuzuarve kanë caktuar 15 minuta dhe 7 orë përkatësisht.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi si dhe Jakup Krasniqi, ndodhen në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020.

Gjykimi ndaj tyre ka filluar në prill të këtij viti dhe deri tani kanë dëshmuar 37 dëshmitarë të prokurorisë, ndërsa në total, ZPS-ja ka paralajmëruar mbi 300 dëshmitarë në këtë proces gjyqësor.

Prokuroria i akuzon ish-krerët e UÇK-së për vrasje, torturë dhe zhdukje me forcë ndërsa të gjithë i kanë mohuar akuzat.

Gjykata në Hagë u krijua pas një raporti të Këshillit të Evropës të vitit 2011, i cili përmbante akuza për trafikim organesh./Telegrafi/