LAJMI I FUNDIT:

Dëshmi kohe

Dëshmi kohe
Ilustrim

– Për librin “Dëshmi kohe” të Sami Dërmakut, botim ky i rëndësishëm për studiuesit e historisë dhe për çdo lexues të interesuar për rezistencën dhe luftën tonë për liri. –

Profesori i elektroteknikës, Sami Dermaku (ish-i burgosur politik) bëri punën që nuk e bëjnë dot historianët nëpër zyre. Qysh gjatë vuajtjes së dënimit, mendoi se nëse del i gjallë nga burgu, do të intervistojë aq sa mundet – ata që vuajtën nga dhjetë, njëzetë e tridhjetë vjet burg. Ia doli të intervistonte 17 prej tyre, të gjallë. Nuk ishte punë e lehtë meqë gjithçka kishte ndryshuar: kishin ndërruar edhe vendbanimet ku jetonin më parë.


Autori i këtij botimi, përmes intervistave të drejtpërdrejta lidh veprimtarinë e më shumë se njëzet veprimtarëve të dalluar shqiptarë, që nga Kuvendi i Prizrenit e deri në luftën e UÇK-së. Libri lirisht mund të quhet roman historik. Autori ka intervistuar 17 veprimtarë, por nga rrëfimi i tyre lexuesi do të njihet me qindra të burgosur të tjerë për të cilët nuk ka shkruar askush asnjëherë. Dëshmitarët e gjallë ofrojnë detaje nga jeta e tyre para burgosjes, gjatë burgut dhe izolimit pas burgu. Gjejmë aty njerëz që kishin përjetuar pushtimin bullgar të Anamoravës. Gjejmë medresantë që kishin mbaruar shkollimin në Medresenë e madhe të Shkupit. Gjejmë edhe profesorë të gjuhës shqipe apo të letërsisë botërore që kishin mbaruar fakultetin në Beograd.

Autori i librit nuk intervistoi vetëm të dënuarit, por edhe bashkëpunëtorët e njohur të pushtetit sllav. Në mesin e tyre intervistoi edhe truprojën e Spasoje Gjakoviqit.

Rexhep Bunjaku nga Shkupi, i dënuar me vdekje (për shkak të moshës, ky dënim i shndërrohet me 20 vjet burg,) tregon:

Nga të gjitha ato grupe njerëzish që kryesisht vepronin në ilegalitet gjatë asaj kohe, duke parë se vetëm komunistët premtonin të drejta dhe barazi për të gjitha kombësitë, fillova të ndihmojë në këtë propagandë. Nuk mu desh shumë kohë për të parë se të gjitha ato premtime ishin mashtrim. Krejt “ëmbëlsirat” që premtonin, për ne u bën helm sapo thanë se u çlirua ish-Jugosllavia. Nuk kaluan disa muaj që isha përfshirë në organizatën e sapo formuar të pushtetit sllav, e njohur gjerësisht me akronimin OZN-a. Kryesova dy arrestime të shokëve të mi më të ngushtë. Madje, duke qenë vet në krye të një skuadroni të vdekjes, njëri nga shokët që arrestuam më tha shkurt: Së shpejti do të na bashkohesh edhe ti, o Rexhep! Ashtu ndodhi. Pas disa muajsh më arrestuan edhe mua! (Rexhep Bunjaku akoma është gjallë, në moshën gati 100 vjeçare, jeton në Prishtinë. )

Ramadan Rexha nga fshati Zhabar i Mitrovicës, i dënuar me vdekje (pasi ishte fare i ri, dënimi iu shndërrua në 20 vjet burg) thotë:

Pasi vuajta 20 vjet burg, sipas ligjit jugosllav, kisha të drejtë të punoj diku. Kisha marr kualifikimin e libralidhësit, gjatë vuajtjes së dënimit. Shkova në shtypshkronjën që ishte asokohe në Mitrovicë. Hyra në zyrën e drejtorit dhe i tregova si është puna. Drejtori i shtypshkronjës më tha shkurt:

– E more Ramadan! Ti edhe nëse pranon të bëhesh sot anëtar i Partisë Komuniste, më kurrë nuk do të marrim në punë!

E falënderova që më tregoi shkurt e trup!

Pas pak ditësh, përmes disa shokëve gjeta një lidhje për të shkuar në Zagreb për të kërkuar punë. Atje me dërguan të një drejtor i një fabrike duhani. Sapo me thirri në zyre, i tregova fill e për pe se kush jam dhe sa kohë kam qenë në burg. Veç u mbush frymë thellë dhe më tha shkurt se nuk ka derë për kësi njerëzish.

– Po ligji ma lejon të punoj, i thashë unë?!

– Ik –  tha ai. Do këqyrim ma vonë?!

E pashë që punë për mua nuk ka në shtetin sllav.

Libri përfshin dëshmi të njerëzve që dolën gjallë nga burgu i Golit për të cilin bota kuptoi shumë vonë. Ata njerëz që i dërguan atje, nuk mund të komunikonin drejtpërdrejt me familjet. Kur i kërkonin familjet, UDB-ja përgjigjej se ata gjenden në burgun e Beogradit, apo se janë dënuar me punë të detyrueshme diku në Jugosllavi, e madje edhe se i kanë internuar në Rusi. Edhe ato pak letra të rralla të shqiptarëve nga Goli Otoku, për familjet e tyre, shërbimi jugosllav së pari i dërgonte në Beograd, ku lexoheshin, vlerësoheshin, redaktoheshin, censuroheshin apo edhe përfundonin në dosjet e hapura të UDB-së. Asnjë prej këtyre të burgosurve nuk e kishte vendimin ligjor për burgosje apo për dënim.

Avni Lama, profesor i gjuhës shqipe nga Gjakova, përshkruan dërgimin e tij deri në Goli Otok dhe përcjelljen që i kanë bërë udbashët edhe gjatë kthimit.

Intervistuesi nuk ka lënë pa marrë dëshmi, për së gjalli, edhe nga goja e vet Osman Osmanit, i cili për shumë vjet ishte truprojë i Spasoje Gjakoviqit që, kur ai shkonte në pushim, në vend të tij vinte Ali Shukria. Osmani e vazhdoi punën e truprojës edhe për Ali Shukriun. .

Mbi të gjitha, ky publikim është më shumë se çdo roman historik dhe nuk është ndonjë triler i mendjes së ndonjë shkrimtari.

Duke filluar nga viti 1990 e deri 15 vjet pas çlirimit të Kosovës, autori Sami Dermaku ia doli të bisedonte me emrat si Ali Aliu – Kelmendi, Avni Lama, Ramadan Rexha, Rexhep Bunjaku, Kadri Halimi, Enver Tali, Hysen Terpeza, Mulla Hamit Sllovija etj. Vetë fjalori i tyre është dëshmi e fuqishme e nivelit të përgatitjes intelektuale të këtyre atdhetarëve.

Derisa Kadri Halimi vuante në burgun e Pozharevcit, aty e sjellin Adem Demaçin. Halimi rrëfen:

Kur e dënuan Ramiz Cernicën me vdekje, së bashku me të birin Raifin, pas Kuvendit të Prizrenit ne kemi ndier shumë dhembje. Disa nga ne veprimtarët nuk na kishin arrestuar akoma. Vendosëm të shkojmë ta lusim Fadil Hoxhën që të nënshkruajë një lutje që e kishim bërë gati për të kërkuar faljen e djalit të Ramiz Cernicës – Raifit,. që akoma ishte i mitur. Ishim në rrezik të madh! Shkuam të Fadili. Ai e nënshkroi lutjen dhe atë ia kemi dërguar ilegalisht vet Titos në Beograd. Pas dy javësh ka ardhur vendimi për faljen e jetës së Raifit, por jo edhe dënimin me 20 vjet burg.

I biri i Ramiz Cernicës, Raifi, shumë vite të burgut i kaloi me Ramadan Rexhën nga Zhabari.

Nga intervistat do të kuptoni e mësoni shumë emra shqiptarësh që nuk arritën të dalin gjallë nga burgu.

Libri është diçka e re në fushën e botimeve të pasluftës. Dikush mund të ketë bërë një intervistë me njërin nga këta të burgosur dhe ai të përmend ndokënd që ka parë në burg, e pastaj të lidhë të tjerët për ta bërë një libër, por në këtë vepër do të shihni e kuptoni lidhjet e këtyre atdhetarëve, duke lexuar rrëfimet e tyre autentike që lidhen me njëra-tjetrën, duke dëshmuar shtrirjen e gjerë të aktivitetit të NDSh-së që nuk arriti të marrë formën finale.

Këta atdhetarë vepronin në ilegalitet, pasi Partia Komuniste jugosllave kishte shkelur të gjitha premtimet që i kishte trumbetuar me aq vendosmëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Duke lexuar dëshmitë, shohim se këta atdhetarë takonin e njihnin shokët e idealit, zakonisht pas burgosjes, gjë që dëshmon se NDSh-ja akoma nuk e kishte marrë formën e dëshiruar dhe akoma po vepronte në ilegalitet. Vetëm duke e lexuar me vëmendje këtë vëllim, do të mësoni se kush ishin ata që u gjykuan e u dënuan nga pushtuesi, kush me vdekje, kujt iu fal jeta, por jo edhe burgu e izolimi gjatë tërë jetës.

Do të mësoni fakte se si propaganda komuniste mashtroi kapitenin Hysni Rudi. Ka dëshmi se përmes kapitenit, komunistët nxorën nga radhët e batalionit Skënderbeg mbi një mijë ushtarë të rryer, të cilët pastaj iu bashkuan aradheve partizane. Kujt i besoi Hysni Rudi drejtpërdrejt, nuk u kuptua asnjëherë, por në fund edhe vet kapiteni ra në grackën e propagandës se kush kundër kujt po lufton. Për pak kohë, komanda partizane e la atë në Prishtinë me premtimin se aty në repartin e ushtrisë ky do të ishte komandant i artilerisë. Pa kaluar shumë ditë, e transferojnë në Istog.

Atdhetarët më të përgatitur, gjatë asaj kohe kishin filluar të kuptojnë të zezat që kishte përgatitur OZN-a. Pas mbajtjes së Kuvendit të Prizrenit, ata panë gjithçka që po i priste nga pushteti sllav që instalohej sërish në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore. OZN-a kishte bërë planin e likuidimit të atdhetarëve më të shquar shqiptarë.

Organizimi i shqiptarëve ishte larg nga formimi i një lëvizjeje apo një partie politike. Nga prizmi i sotëm duhet gjykuar me gjakftohtësi. Asnjë parti nuk kishte marrë formë që premton rezistencë të duhur në rrethanat e reja që po krijoheshin. Shqiptarët ishin të vonuar e të përçarë, si dhe më parë.

Duke lexuar dëshmitë nga njerëzit që dolën gjallë nga burgjet, duke vuajtur edhe nga 20 e më shumë vjet burg, shihet se ata dinin pak për njëri-tjetrin, e aq më pak se cilës parti a lëvizje i përkisnin. Nga goja e tyre shihet se dikush ishte me NDSh-në, dikush me Ballin Kombëtar, dikush me Lidhjen e Dytë të Prizrenit, dikush me organizatën “Besa Shqiptare”, dikush me Legalitetin, e shumëkush nuk e dinte as cilës organizatë i përket. Kishte akoma shumë njerëz që nuk e dinin fare as çka është përkatësia kombëtare.

Megjithëse NDSh-ja po vepronte në ilegalitet të plotë, OZN-a kishte mjaftë shënime për njerëzit më të shquar të saj. Gjatë transkriptimit të intervistave, do të shihet se vetëm njëri nga të intervistuarit e ka zënë në gojë emrin e kapitenit Hysni Rudi, i cili nga komiteti i NDSh-së ishte emëruar komandant i forcave të armatosura shqiptare në Kosovë e në Maqedoni, që të vazhdonin luftën çlirimtare. Shokët e idealit kishin kuptuar vonë për pushkatimin e tij në Shkup.

Dëshmitë flasin se NDSh-ja ishte në fazën fillestare të konsolidimit. Krejt organizimi i NDSh-së kishte filluar vetëm pasi ishte parë qartë mashtrimi i madh nga komunistët serbë, që kishin në dorë gjithçka që u duhej për terrorizimin e shqiptarëve, deri në instancën e shpërnguljes apo zhdukjes së tyre përfundimtare. Duke hulumtuar deklaratat e bashkëluftëtarëve të gjallë të kapitenit Hysni Rudi, me akademi ushtarake të mbaruar në Romë, shihet se ai i besoi fjalës së atyre shokëve që betoheshin në idealin e çlirimit dhe bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Në një situatë kur Italia kishte kapitulluar dhe ushtria gjermane kishte marrë komandën kudo në territoret e pushtuara, ushtarët e rreshtuar në batalionin Skënderbeg në Pejë vazhdonin të kryenin detyrat ushtarake. Megjithëse ishte planifikuar që ky batalion të numëronte tetëmijë ushtarë, asnjëherë nuk arriti të ketë më shumë se katërmijë rekrutë. Në anën tjetër, ata që ishin rreshtuar në krahun komunist, vazhdonin veprimtarinë propaganduese për të nxjerrë sa më shumë ushtarë nga radhët e këtij batalioni dhe për t’ia bashkuar aradheve partizane. Sipas dëshmive të kohës, kapiteni u rreshtua me partizanë, në një kohë kur akoma nuk ishte qartësuar asgjë për çlirimin e trojeve shqiptare, jo vetëm në Kosovë

Për t’ua bërë të mundur lexuesve që ato intervista të botohen me shkrim, autori Sami Dermaku i ka sistemuar kasetat me kohë, datë dhe vend, meqenëse fjala ishte jo për dhjetëra kaseta magnetofoni por për qindra sosh (45 orë incizim). Transkriptimin e tyre, me durim e profesionalizëm, e bëri autori i këtij shkrimi.