Policia britanike është detyruar të ndërpresë një aheng në Derbishire, ku kanë marrë pjesë 25 të rritur  dhe fëmijë, në kohën kur qeveria u ka  bërë thirrje të shmangin tubimet për ta luftuar coronavirusin, raporton Sky News.

Policia në Derbishire ka njoftuar se kanë mbetur të shokuar kur në një adresë të caktuar kanë hasur në një grup prej 25 personave të rritur dhe fëmijë, që kishin marrë pjesë në një aheng (karaoke), transmeton Telegrafi.

Ata kanë publikuar në Twitter fotografitë nga ahengu duke pranuar se pjesëmarrësit janë larguar nga objekti, kurse nikoqiri që ka organizuar këtë tubim pritet të ballafaqohet me drejtësinë.

“Është e qartë që njerëzit po vazhdojnë të mos respektojnë këshillat dhe rregullat e vëna ngas qeveria”, thuhet në postimin e policisë angleze.

Ahengu është organizuar në javën e parë, kur vendi vendosi për bllokim total si preventivë për ta luftuar përhapjen e epidemisë së coronavirusit.

Britanikët janë urdhëruar të qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre për të paktën tri javë, përveq nëse patjetër duhet të dalin jashtë për të kryer ndonjë punë.

Në anën tjetër policët janë të obliguar të kontrollojnë dhe sigurohen që masat e vëna nga qeveria do të respektohen, kurse shkelësit e tyre mund të dënohen edhe me shuma të majme të parave. /Telegrafi/