LAJMI I FUNDIT:

Deri kur do të përkëdhelet Beogradi?

Deri kur do të përkëdhelet Beogradi?
Ilustrim

Shaqir Vukaj

Po bëhen 24 vjet nga çlirimi Kosovës dhe pesëmbëdhjete vjet nga shpallja e pavarësisë dhe për çudinë e të gjithë botës, Beogradi vazhdon ta quajë pjesë të Serbisë, madje të sanksionuar në Kushtetutë ku thuhet: “Krahina Autonome e Vojvodinës dhe Krahina Autonome e Kosovës dhe Metohisë janë pjesë e Republikës së Serbisë”. E padëgjuar askund në botë, që Kosova, shtet i pavarur dhe i njohur zyrtarisht nga mbi 115 shtete, përfshi ShBA-në, Gjermaninë, Francën, Britaninë e Madhe, Italinë, Japoninë, Turqinë etj. i njohur ligjërisht nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, të vazhdojë të quhet pjesë e një shteti tjetër … Janë shpallur vitet e fundit disa të ashtuquajtur shtete të pavarur: Abhazia, Osetia e Jugut (shkëputur nga Gjeorgjia) Republika e Donjeckut, Republika e Luganskut (shkëputur nga Ukraina, që para pak muajsh Rusia me “referendum” i përfshiu brenda Federatës Ruse), Transnjistria (shkëputur nga Moldavia), por ato nuk i ka njohur e pranuar askush, përveç krijueses të tyre, Rusisë …


Duket e pabesueshme, e padëgjuar askund, që sipas Kushtetutës, presidenti i zgjedhur i Serbisë, para marrjes së detyrës betohet para Asamblesë Kombëtare: “Unë betohem solemnisht se do të vë të gjitha forcat e mia për ruajtjen e pavarësisë dhe tërësisë së saj territoriale, përfshirë Kosovën dhe Metohinë si pjesë përbërëse të saj …”.

Kushtetuta, si ligji themelor i një shteti, është thelbi e bazamenti i çdo ligji, vendimi, bisede, fjalimi, interviste, kontakti apo bisedimesh, për çdo rast, midis Serbisë dhe ndërkombëtarëve, midis Serbisë dhe Kosovës. Për Beogradin këtu fillon e mbaron gjithçka, kjo është “vija e kuqe”, sepse Kushtetuta nuk lejon asnjë hap “drejt njohjes” së Kosovës si shtet i pavarur. Prandaj, këtu duhet të fillohet, tek ndryshimet kushtetuese të Serbisë, përndryshe, ajo nuk do ta njohë Kosovën si shtet i pavarur. Të tjerat janë llafe për të gënjyer naivët … sepse, sipas Beogradit, të gjitha bisedimet, marrëveshjet etj. që mund të arrihen midis Serbisë dhe Kosovës (edhe në qoftë se do të firmosen!) do të konsiderohen si marrëveshje midis shtetit serb dhe një krahine autonome, apo qoftë edhe republike, por brenda Serbisë. Deklarata e ditëve të fundit e Vuçiqit se sa të jetë ai president, Kosova nuk do të njihet si shet i pavarur, flet shumë qartë.

Në këto kushte, me të drejtë lindin shumë pyetje, se përse ndërkombëtarët mbajnë këtë qëndrim, përse ndryshojnë herë pas here kërkesat e kushtet për Beogradin, përse e lusin e i bëjnë elozhe, ose thënë shqip, përse e kanë përkëdhelur e përkrahur dhe vazhdojnë deri në ditët e sotme? Për ta kuptuar më mirë le ti referohemi historisë, duke filluar, të paktën që nga shekulli XX, për të ardhur deri në ditët e sotme.

Në konferencën e Londrës të vitit 1912, Fuqitë e Mëdha, në mënyrën më të padrejtë vendosën që Serbia të dyfishonte territorin e saj, nga 48.3 mijë kilometra katrorë në 87.3 mijë kilometra katrorë, dhe kjo kryesisht në kurriz të tokave dhe popullsisë shqiptare, duke i dhënë asaj Kosovën, një pjesë të Shqipërisë Lindore (Maqedonisë së sotme Perëndimore) etj.

Pa përfunduar Lufta e Parë Botërore, të Mëdhenjtë (Britania e Madhe, Franca dhe Rusia) më 15 prill 1915 nënshkruan me qeverinë Italiane “Traktatin e Fshehtë të Londrës”, sipas të cilit “Italia do të marrë sovranitetin e plotë mbi Vlorën dhe ishullin e Sazanit dhe territorin përreth” … dhe Italia nuk do të kundërshtojë ndarjen e Shqipërisë së Veriut midis Malit të Zi dhe Serbisë …”

Në përfundim të Luftës Parë Botërore, Fuqitë e Mëdha (Franca e Anglia) krijuan Mbretërinë Serbo-Kroato-Sllovene me qendër Beogradin (kthyer më vonë në Jugosllavi) ku Serbia do luante rolin kryesor. Por, të Mëdhenjtë, jo vetëm që nuk bënë asnjë korrigjim të padrejtësive të bëra në Konferencën e Londrës (1912-1913) me kufijtë e Shqipërisë, por krijuan, për interesa të tyre, një shtet inkubator, duke bashkuar sllavët e Jugut, ku rolin kryesor do ta kishin serbët … prandaj, u quajt “Mbretëria serbo-kroato-sllovene” e jo “Mbretëria e sllavëve të jugut”. Por, krahas sllavëve i bashkuan dhe pothuajse gjysmën e tokave shqiptare (tashmë përfshirë edhe ato që i ishin dhënë padrejtësisht Malit të Zi në vitin 1878 dhe më vonë në vitin 1913), një pjesë të tokave hungareze (Vojvodinën) e edhe ndonjë copë tokë italiane, austriake … Kështu lindi një shtet me rreth 256 mijë kilometra katrorë, ndër shtetet e mëdhenj në Evropë.

Sigurisht që krijimi i këtij shteti artificial nuk u bë pa vështirësi, mosmarrëveshje, kundërshtime, urrejtje, e madje pa gjak, që do të vazhdonte deri në shpërbërjen e përgjakshme të Jugosllavisë, ç’ka tregonte qartë se ky shtet, që në krijim ishte i dënuar të shpërbëhej, me luftëra, ashtu si filloi. Kështu, që me krijimin e këtij shteti, në Mal të Zi shpërtheu kryengritja e popullit malazez, që u shtyp me gjak e dhunë nga serbët. Në Kroaci, që ditët e para filluan grindjet e mosmarrëveshjet midis kroatëve e serbëve, që vazhduan gjatë gjithë kohës (që gjatë Luftës Dytë Botërore u kthyen në dhunë, vrasje e krime të padëgjuara midis tyre) e që kanë vazhduar deri në shpërbërjen e Jugosllavisë. Në Slloveni dolën hapur kundër Kushtetutës të aprovuar nga Beogradi në vitin 1921, sepse ajo “sanksiononte hegjemoninë serbe”. Në Maqedoninë Vardare (sot Maqedonia e Veriut) që serbët e quanin “Serbia e jugut” (gjuhën maqedonase e quanin si dialekt të serbishtes) shpërtheu kryengritje e armatosur që u shtyp me gjak nga serbët. Dihet që në Kosovë shqiptarët kundërshtuan me të gjitha mënyrat, përfshirë luftën e armatosur, deri sa fituan pavarësinë në vitin 1999.

Por, pavarësisht nga këto, të Mëdhenjtë vazhdonin të përkrahnin Beogradin. Kështu, për interesa të tyre, ata (kryesisht Franca) krijuan Antantën e Vogël (Jugosllavi, Rumani Çekosllovaki) ku rolin kryesor e kishte Beogradi, e që u prish në vitin 1937 sepse Jugosllavia dhe Rumania nuk pranuan të mbështesnin Çekosllovakinë ndaj kërcënimit gjerman. Po ashtu, ata, të Mëdhenjtë, krijuan Aleancën Ballkanike, ku përsëri rolin kryesor ja lanë Jugosllavisë.

Dihet tashmë politika e ndjekur nga Beogradi kundër shqiptarëve, politikë shfarosje, nënshtrimi, dhune e dëbimi nga trojet e tyre, që shumë qartë është përmbledhur në referatin e Çubrilloviqit dhe në letrën e tij drejtuar Titos në vitin 1945.

Mjaftojnë vetëm dy shembuj. Në kuadrin e shpopullimit të Kosovës nga shqiptarët, në vitet 1920 e 1931 Beogradi nxori ligje të posaçme për kolonizimin e Kosovës, mbi bazën e të cilëve shqiptarëve u morën 120 mijë hektarë tokë që iu dhanë kolonëve serbë e malazezë. Shumë qartë shprehej në atë kohë, X. Kërstiq, kryetar i Komisionit Agrar jugosllav dhe përgjegjës për kolonizimin e Kosovës: “Me kënaqësi vë në dukje se në disa rajone të Veriut të Kosovës, përbërja etnike ka ndryshuar dhe tani kemi popullsi serbe atje ku në vitin 1913 nuk ka patur asnjë serb”.

Dhe, të gjitha këto bëheshin me dhunë, me gjak dhe të Mëdhenjtë bënin sehir, ashtu siç kishin bërë sehir edhe atëherë kur serbët mbysnin me gjak dhe përzinin shqiptarët nga Kosova e Maqedonia Perëndimore, që aq realisht i përshkruante Leon Trocki në “Raporte nga Ballkani” në vitin 1912, kur shkruante për “grumbuj kufomash shqiptarësh me koka të prera” apo për lumin Vardar “të skuqur nga gjaku i shqiptarëve dhe ku lundronin qindra kufoma shqiptarësh”. Ashtu siç nuk u bënte përshtypje raporti i Konsullit Austro-Hungarez në Prizren, Prohaska, në vitin 1913, kur shkruante “për 1200 shqiptarë të vrarë nga serbët, që i lanë pa u varrosur, duke u bërë ushqim për qentë dhe zogjtë”.

Jo vetëm të Mëdhenjtë, por edhe Turqia ndihmonte Beogradin, në këtë politikë antishqiptare, madje nënshkruante marrëveshje për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi dhe shpopullimin e Kosovës dhe Maqedonisë Perëndimore nga shqiptarët.

Në vitin 1927, në Pragë u vra Ceno bej Kryeziu, ambasadori i parë shqiptar në Çekosllovaki (vrarë nga një shqiptar, që nuk u zbulua kurrë kush ishin organizatorët). Tërheq vëmendjen fakti se me gjithë kërkesën e Qeverisë Shqiptare për dorëzimin e dokumenteve që kishte në kasafortën e tij ambasadori, Qeveria Çekosllovake, në kundërshtim me çdo rregull e normë diplomatike, të gjitha dokumentet sekrete ia dorëzoi Beogradit.

Është e vërtetë se gjatë Luftës së Dytë Botërore, popujt e Jugosllavisë u ngritën në luftë kundër pushtuesve italianë e gjermanë, dhe me të drejtë, Fuqitë e Mëdha, Anglia, ShBA-ja dhe Bashkimi Sovjetik i ndihmuan me të gjitha mënyrat. Por, pavarësisht nga fakti se shumë patriotë të vërtetë u ngritën në luftë kundër pushtuesve italianë e gjermanë, në jo pak raste, kroatë, sllovenë, maqedonas, malazezë, shqiptarë, etj. u orientuan keq dhe me shpresë se do të çliroheshin nga dominimi serb, u bashkuan ose ndihmuan pushtuesit, çka solli urrejtje e përçarje edhe më të thella midis tyre e serbëve, madje edhe krime të padëgjuara, veçanërisht midis kroatëve e serbëve.

Të Mëdhenjtë, vazhdonin ta ndihmonin Beogradin, çka u duk shumë qartë edhe në konferencat e Treshes së Madhe, Çërçillit, Stalinit dhe Rusveltit (Trumanit)) në Teheran, Jaltë e Potsdam, ku Jugosllavisë iu kushtua një vëmendje e veçantë. Megjithëse vendosën për shumë ndryshime kufijsh në Evropë e në botë, ata, në vazhdën e të parëve të tyre, vendosën që mbas Lufte, Jugosllavia të mbetej në kufijtë e para Luftës Dytë Botërore, duke lënë brenda saj të gjitha tokat shqiptare me popullsi dominuese shqiptare etj. madje duke i lënë të hapur mundësi për të marrë territore të tjera nga shtetet fqinje. Dhe pikërisht ato ditë kur po mbahej Konferenca e Jaltës, pa mbaruar lufta, Beogradi vendoste në Kosovë gjendje ushtarake, që ishte vazhdimi i politikës së dhunës kundër shqiptarëve. E Tre të Mëdhenjtë nuk thanë asnjë fjalë, megjithëse u morën shumë herë me Jugosllavinë.

Dhe të gjitha këto ndodhnin, kur udhëheqja jugosllave me në krye J. B. Titon, nëpërmjet përfaqësuesit special të tij, A. Hebrang, thoshte Stalinit ( duke kërkuar indirekt ndihme e Bashkimit Sovjetik) se Jugosllavia duhej të zgjerohej e të merrte krahinën e Peçit nga Hungaria, krahinën e Istrisë dhe portin e Triestes nga Italia, krahinën e Koruvushkës nga Austria, krahinën e Timoshoarit nga Rumania, Maqedoninë e Egjeut së bashku me portin e Selanikut nga Greqia … (Të gjitha këto të dokumentuara nga proces-verbali i takimit, botuar në Moskë në fillim të viteve 2000).

Beogradi, njëlloj si para lufte, madje edhe më egërsisht vazhdoi të ndiqte të njëjtën politikë ndaj shqiptarëve, ku dhuna, vrasjet, burgosjet, shpërngulja e shqiptarëve për në Turqi, (Qeveria zurke vazhdonte ti qëndronte marrëveshjes për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi) ishin bërë të zakonshme, të Mëdhenjtë nuk ndjeheshin. Kur shqiptarët, të tretët për nga numri i popullsisë në Jugosllavi, që jetonin në vazhdimësi territoriale, ndaheshin e përçaheshin në tri republika, në Mal të Zi, Serbi e Maqedoni … të Mëdhenjtë e aprovonin. Madje, edhe mbas prishjes së marrëdhënieve midis Moskës e Beogradit, dhe Moska zyrtare, në propagandën e saj nuk linte gjë pa thënë kundër regjimit të Titos, asnjëherë, në asnjë rast nuk tha një fjalë të vetme për politikën që ndiqte Beogradi kundër shqiptarëve.

Kujtojmë protestat paqësore të vitit 1968 dhe veçanërisht të vitit 1981, kur në Kosovë mësynë tanket, autoblindat e topat e ushtrisë jugosllave, kur Kosovën e mbytën në gjak, kur shumë të rinj kosovarë u vranë e u plagosën, kur u arrestuan qindra vetë … të Mëdhenjtë, nuk u ndjenë, dhe me ndonjë përjashtim të rrallë Evropa, Bashkimi Sovjetik e Amerika heshtën. Heshtën dy palët, dy blloqet, sepse nuk donin ta “lëndonin” Jugosllavinë dhe ta “mbanin mirë” me të edhe mbas vdekjes së Titos.

Dihet se mbas ardhjes së Millosheviqit në pushtet, situata në Kosovë e në trojet shqiptare në Jugosllavi u rëndua edhe më shumë. Kur mbylleshin shkollat shqipe në Kosovë, kur largoheshi n nga puna mijëra shqiptarë, kur filloi dëbimi masiv i shqiptarëve dhe mijëra prej tyre merrnin rrugët e Evropës, e madje edhe kur i hoqi autonominë Kosovës, askush nuk u ngrit ti thoshte Beogradit, ndal. Përkundrazi, të Mëdhenjtë ose bënin sikur nuk ndodhte asgjë, ose këto veprime i justifikonin me “nacionalizmin”, “separatizmin” e “irredentizmin” shqiptar.

Kur sllovenët, kroatët e boshnjakët dolën haptazi e kërkuan të shkëputeshin nga Jugosllavia, madje shpallën shtetet e tyre të pavarura (Sllovenia dhe Kroacia më 25 qershor 1991), Bosnja Hercegovina (me referendum 2 mars 1992), Millosheviqi futi ushtrinë e mbetur jugosllave (serbe), me avionë, tanke e topa … kundër tyre dhe dihen pasojat: qindra mijëra të vrarë e të gjymtuar (në Bosnjë Hercegovinë mbi 100 mijë të vrarë) qindra mijëra të larguar nga shtëpitë e tyre (vetëm në Kroaci janë larguar nga shtëpitë e tyre mbi 550 mijë vetë). Dhe, kudo serbët luftonin kundër sllovenëve, kroatëve, boshnjakëve … Fillimisht të Mëdhenjtë heshtnin. Qeveria Angleze e Xh. Mejxherit mbajti qëndrim neutral, dhe mbështeste tërësinë territoriale të Jugosllavisë. Administrata dhe presidenti i ShBA-së, Xh. Bush, nuk ndërhynë në konflikt, madje fillimisht ishin për ruajtjen e Jugosllavisë. Gjermania nuk e mbështeti shpërbërjen e Jugosllavisë, megjithatë, ajo së bashku me Austrinë ishin të parat që njohën pavarësinë e Kroacisë dhe Sllovenisë. Dihet qëndrimi i Rusisë, që deri në fund mbështeti regjimin e Millosheviqit.

Duke parë përmasat që mori lufta në ish Jugosllavi, më 21 shkurt 1992, Këshilli i Sigurimit i OKB-së vendosi krijimin e një Force Mbrojtëse të OKB-së për Jugosllavisë (UNPROFOR) me qëllim që “Të krijohen kushtet e paqes dhe të sigurisë së nevojshme për të arritur zgjidhjen e plotë të krizës jugosllave”. Pavarësisht se në këtë forcë u angazhuan rreth 39 mijë forca ushtarake, ndërkombëtarët jo vetëm që nuk e zgjidhën krizën por lanë kujtime të hidhura, madje në disa raste ndihmuan serbët, siç ishte rasti i Srebrenicës, ku forcat evropiane (holandeze) u hapën rrugën serbëve që vranë në mënyrë barbare rreth 8 000 meshkuj (përfshi pleq e fëmije) myslimanë. Megjithatë përpjekjet e ndërkombëtarëve, veçanërisht të ShBA-së për ndërprerjen e luftimeve, nuk pushuan asnjëherë. Madje ShBA ndërmorën disa herë sulme ajrore kundër pozicioneve serbe. Këshilli i Sigurimit vendosi sanksione kundër Jugosllavisë së mbetur.

Pavarësisht nga fjalët e mëdha për sanksionet e embargon ndaj Jugosllavisë, ndihmat për të nuk munguan. Pavarësisht kush ndihmoi nga ndërkombëtarët, me qëllim apo pa qëllim, ata lanë shtigje e rrugë të lira për ta furnizuar edhe me pajisje e lëndë të para pa të cilat Serbia nuk mund të vazhdonte luftën. Megjithëse thuhej se ata monitoronin dhe kontrollonin hapësirat përreth Jugosllavisë së mbetur (Serbi-Mali i Zi), ajo furnizohej rregullisht me gjithçka ç’ka i nevojitej për luftë, në radhë të parë me karburante (naftë, benzinë e madje karburant për avionë). Sot duket e pabesueshme, por në ndihmë të Millosheviqit i erdhi dhe qeveria e atëhershme shqiptare. Kështu, më 15 shtator 1993 Presidentët e atëhershëm të Malit të Zi, M. Bullatoviq dhe Shqipërisë, Sali Berisha, nënshkruan marrëveshje sekrete, për furnizimin e Jugosllavisë me karburante, çka vite më vonë e kanë pranuan të dy publikisht. Në ato vite, çdo ditë nëpërmjet territorit shqiptar kalonin drejt Malit të Zi dhjetëra e dhjetëra autobote me karburant, që pompohej nga bregu i liqenit të Shkodrës apo bregu i Bunës direkt në autobote të ushtrisë jugosllave. Dhe, të Mëdhenjtë, “nuk i shihnin” këta qindra autobote që kalonin ditën për diell, ashtu si “nuk shihnin” anijet në Danub që çonin karburante e pajisje me të cilat furnizohej ushtria jugosllave (serbe).

Pavarësisht luftërave disa vjeçare në ish Jugosllavi që sollën dëme materiale të pallogaritshme, vdekjen e qindra mijëra vetëve, shpërnguljen e qindra mijëra të tjerëve, e madje largimin jashtë vendi të qindra mijëra boshnjakëve, kroatëve, serbëve etj. Millosheviqi dhe përkrahësit e tij vazhdonin të ndiqnin të njëjtën politikë antishqiptare, madje përgatiteshin për goditjen e madhe, për dëbimin e shqiptarëve dhe spastrimin etnik të Kosovës.

Është pozitiv fakti se mbas viteve ’90 të shekullit të kaluar, të Mëdhenjtë, veçanërisht ShBA-ja, filluan të angazhohen seriozisht për problemin e shqiptarëve në Jugosllavi e veçanërisht në Kosovë dhe të dalin në mbështetje të kërkesave të drejta të tyre. Sigurisht që merita është e shqiptarëve që tashmë kishin dalë hapur kundër politikës antishqiptare të Millosheviqit, qoftë nëpërmjet politikës gandiste të Presidentit Ibrahim Rugova, qoftë nëpërmjet përgatitjeve për kryengritje të armatosur. Dalja e UÇK-së në fushën e betejës, pavarësisht etiketimeve që iu vunë fillimisht si grup terrorist etj. (fatkeqësisht kështu e quajti edhe ndonjë drejtues partie në Tiranë), ndikoi dhe nxiti ShBA-në, Anglinë e ndonjë tjetër të angazhoheshin me të gjitha mënyrat, që nga krijimi i Grupit të Kontaktit, organizimi i takimit në Rambuje, deri tek angazhimi i NATO-s për të ndërmarrë sulme ajrore në Serbi. Ishte NATO, në radhë të parë nga ajri dhe UÇK-ja nga toka që detyruan Millosheviqin të dorëzohej, që Kosova të çlirohej … por, që të arrinte tek pavarësia duheshin shumë vite.

Fillimisht u vendos që në Kosovë të vendoseshin forca ndërkombëtare, paqeruajtëse. Tepër interesant është fakti se ato ditë janë bërë diskutime të zjarrta midis aleatëve për ndarjen e zonave ku do të vendoseshin trupat paqeruajtëse. Ndarja në zona “pushtimi” dukej si copëzim i Kosovës, mbasi ndonjëri prej shteteve të mëdha kishin interesa ekonomike dhe kërkonte me insistim zonë në veri të Kosovës. Binte në sy dhe linte shteg për dyshime ndarja e Veriu të Kosovës, dhe vendosja e kufirit në lumin e Ibrit, që ndante edhe qytetin e Mitrovicës, duke mos lejuar UÇK-në të futej në pjesën veriore të Kosovës, madje duke e lënë Veriun e Kosovës nën kontrollin e ushtrisë dhe milicisë jugosllave. Pikërisht në këtë kohë filloi të përdorej për herë të parë termi Veriu i Kosovës, në dukje emërtim gjeografik, por në thelb politiko-administrativitin Për disa ka mbetur enigmë, se kush dha urdhër që Kosova të ndahej. Ja si shkruante Bernard Kushner më vonë në librin “Luftëtarët e Paqes”:

“Forcat franceze zunë urën e Ibrit dhe nuk i ndoqën forcat serbe, disa prej të cilëve, vrasës e kriminelë, mbanin në rripat e mesit skalpet dhe flokët e grave të vrara. Me urdhër të kujt ishin ndaluar forcat e UÇK-së tek ura e Ibrit? Kurrë nuk kam arritur të kuptoj saktësisht, por ky ishte një faj i madh politik”.

Z .Kushner e dinte mirë që ky nuk ka qenë një “gabim i madh politik” por një veprim i planifikuar deri një hollësi nga disa ndërkombëtarë të fuqishëm, në radhë të parë nga bashkatdhetarët e tij që kanë luajtur një rol të veçantë … sepse, po të donin ata, këtë “gabim” mund ta korrigjonin. Ai “gabim’ lidhej me ndarjen e Kosovës një problem i vjetër, i filluar që në kohën e pushtimit osman, që vazhdoi më vonë në vitin 1913 në Londër, gjatë Luftës Dytë Botërore kur pushtuesit italianë e gjermanë e ndanë sipas interesave të tyre e mbas lufte Tito e kompani, e ndanë dhe e bashkuan sipas interesave serbe. Mbas demonstratave të vitin 1981 në Kosovë, u fol përsëri për mundësinë e ndarjes së Kosovës, madje u bënë lloj-lloj propozimesh nga serbë, italianë, rusë, gjermanë, amerikanë etj. madje edhe nga Kisha Serbe e që vazhduan për shumë vite. Atëherë edhe presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova u deklarua për ndarjen e Kosovës, por hodhi poshtë variantet e propozuara nga serbë e të huaj. Rugova thoshte se Serbia mund të marrë komunën e Zubin Potokut dhe disa zona tjera të Veriut të Kosovës (të përfshira brenda Kosovës në fund të viteve ’50 të shekullit të kaluar, kur Beogradi, me qëllim ndryshimin e përbërjes etnike në Kosovë, vendosi që krahinat shqiptare Preshevë, Bujanovc dhe Medvegj të përfshiheshin brenda Serbisë dhe Zubin Patoku dhe disa zona tjera në veri të Kosovës, të përfshiheshin brenda Kosovës – shënimi im). Por, me kusht, thoshte Rugova, që brenda Kosovës të përfshiheshin Presheva, Bujanovci e Medvegja. Por, Rugova insistonte që brenda Kosovës duhej përfshirë me çdo kusht veriu i Mitrovicës. Pavarësisht kundërshtimeve, propozimi i Rugovës, që u përsërit disa vite më vonë, ndoshta mund të ishte zgjidhja më e mirë. Sigurisht kjo mund të realizohej vetëm nga të Mëdhenjtë, në përfundim të luftës në Kosovë, sepse vendime e veprime të tilla, janë tepër të vështira dhe mund të bëhen në situata të jashtëzakonshme. Vendimet e Treshes së Madhe (Çerçilli, Stalini, Trumani) në Konferencën e Potsdamit për shpërnguljen e miliona gjermanëve nga Polonia, Çekosllovakia etj. dhe ndryshimin e kufijve, veçanërisht midis Gjermanisë dhe Polonisë, vërtetë shumë të dhimbshme, por të domosdoshme për të qetësuar situatën, dhe për të krijuar atë klimë pozitive që ekziston sot midis Gjermanisë e Polonisë apo Gjermanisë e Çekisë …)

Dihet që Mitrovica historikisht ka qenë shqiptare. Kështu është trajtuar që në kohën e Perandorisë Osmane e më vonë në Jugosllavinë e para luftës. Kështu e kanë trajtuar dhe pushtuesit italianë e gjermanë. Duke qenë një zonë tepër e pasur ku u zhvillua industria minerale dhe përpunuese, shumica e specialistëve, përfshirë teknikë, inxhinierë e punëtorë të kualifikuar u sollën nga Serbia (shqiptarët ishin për punë krahu), kështu që në këtë rajon u rrit shumë numri i serbëve. Ndarja që bënë ndërkombëtarët tek ura e Ibrit, në qershor 1999, praktikisht do të thoshte ndarje e rrethit e madje e qytetit të Mitrovicës, që do të çonte më vonë në serbizimin e Veriut të Mitrovicës, aq sa sot flitet për këtë zonë si për një “komunë serbe”. Dhe, ishin ndërkombëtarët, ata që ndanë Mitrovicën në dy pjesë, ishin ata që ndanë kufirin tek ura e Ibrit, që ndihmuan Beogradin për serbizimin e Mitrovicës së Veriut e sot të kemi një “komunë serbe” në toka historikisht shqiptare të banuar nga shqiptarë autoktonë. Mjafton vetëm një fakt. Nën hundën e ndërkombëtarëve, madje në prani, e ndoshta me ndihmën e KFOR-it, në shkurt të vitit 2000 u dëbuan nga shtëpitë e tyre, nga Mitrovica e Veriut 1564 familje autoktone shqiptare ose 11 364 shqiptarë.

Mbas lufte, sipas Rezolutës 1244 të OKB-së, Kosova administrohej nga UNMIK-u (Misioni i OKB-së) dhe institucionet vetëqeverisëse vendore. Sipas marrëveshjes së vitin 1999 statusi i Kosovës do të përcaktohej brenda tre viteve. Pavarësisht nga takimet pa fund të ndërkombëtarëve, vitet kalonin e asgjë nuk bëhej për statusin e Kosovës, madje për ditë e më shumë të Mëdhenjtë përmendnin sloganin “më parë standardet e mandej statusi”, ashtu siç përmendej padrejtësisht Rezoluta 1244 (sidomos nga Serbia e mbrojtja e zellshme e saj, Rusia). Më në fund, në vitin 2005 filloi procesi për përcaktimin e statusit të Kosovës, dhe mbas shumë takimesh e mbledhjesh, në shkurt të vitin 2007 i dërguari special, Marti Ahtisari paraqiti propozimin por statutin e Kosovës, dhe pavarësisht nga kundërshtimet e Rusisë (si anëtare e Këshillit të Sigurimit), më 17 shkurt 2008 Kosova u shpall shtet i pavarur.

Ishte tepër pozitiv fakti se shumë shtete, përfshi Fuqitë e Mëdha (përveç Kinës dhe Rusisë) e njohën Kosovës si shtet i pavarur. Pavarësisht se shtet i ri, me shumë halle e probleme, ajo po ecte në rrugën e duhur dhe gradualisht po dilte në arenën ndërkombëtare. Serbia përpiqej ta pengonte në çdo rast, ku sigurisht si mbështetëse e përkrahëse kryesore kishte Rusinë. Por jo vetëm Serbia e Rusia, por edhe disa vende evropiane, anëtare të BE (Spanja, Rumania, Sllovakia, Greqia dhe Qipro) me pretekste të ndryshme nuk e njohën Kosovën (që vazhdojnë edhe sot e kësaj dite). Tërhiqte vëmendjen fakti se Rezoluta 1244 megjithëse e kishte humbur vlerën e saj mbas tre vjetësh, ashtu siç ishte parashikuar në marrëveshjen e vitin 1999, e që ishte zhvleftësuar krejtësisht mbas shkëputjes së Malit të Zi nga Serbia, në vitin 2006, që i dha fund shtetit jugosllav, ajo Rezolutë ishte bërë nul, Beogradi e përmendte vend e pa vend dhe insistonte zbatimin e saj. Por jo vetëm Beogradi, por edhe disa prej ndërkombëtarëve, madje edhe ndonjë prej të Mëdhenjve, vazhdonin ti referoheshin asaj, e madje edhe sot disa vazhdojnë ta përmendin.

Pa u shpallur pavarësia e Kosovës, në tregun politik filluan të qarkullonin akuza tepër të rënda kundër UÇK-në, për “krimet monstruoze që ajo kishte bërë që në fillim të luftës”, akuza që me kohë u “zyrtarizuan” dhe filluan të pranohen edhe nga disa institucione të rëndësishme ndërkombëtare. Shumë njerëz nuk e dinë se akuzat e Dik Martit, ndër më antishqiptaret që janë bërë ndonjëherë, që i pranuan disa prej të Mëdhenjve, e që për turpin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, aprovoi edhe Rezolutë të posaçme në vitin 2011, kanë filluar shumë vite më parë, madje pa mbaruar lufta në Kosovë. Prokurorja Karla del Ponte, shumë vite para botimit të librit skandaloz “Gjuetia: unë dhe kriminelët e luftës” ka qenë tepër e lidhur me Moskën. Qëndrimet, vlerësimet e akuzat e kësaj të fundit kundër UÇK-së, e drejtuesve të saj, kanë qenë baza e akuzave të del Pontes kundër UÇK-së. Kështu në dhjetor 1999 (natën e krishtlindjeve) ajo ka pritur një delegacion të Dumës Ruse (Parlamentit Rus) i cili i kishte dorëzuar një mal me dokumente “për krimet” e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për “terrorizëm, vrasje masive, spastrim etnik, përdhunime, djegie etj.”. Por ajo nuk u mjaftua vetëm me këto materiale ruse (shumica e të cilave ishin përgatitur në Beograd), por një vit më vonë ajo shkoi në Moskë për t’u njohur edhe “më mirë” me materialet serbo-ruse për “krimet” e UÇK-së, Në një intervistë që dha atë ditë ajo tha: “Ne i japim rendësi të veçantë bashkëpunimit me autoritetet ruse, prandaj kam ardhur në Moskë”.

Pikërisht në saj të këtij bashkëpunimi, “fakteve dhe të dhënave” të marra nga Moska (kupto edhe Beogradi) dhe “fakteve” të tjera të grumbulluara nga ajo, në vitin 2008, pak ditë mbas shpalljes së pavarësisë së Kosovës ajo botoi librin “Gjuetia: unë dhe kriminelët e luftës”, ku akuzonte me emra Hashim Thaçin dhe drejtuesit e UÇK-së, krahas “krimeve” të tjera edhe për “rrëmbimin e 300 serbëve të Kosovës, dërgimin e tyre në Shqipëri, vrasjen dhe marrjen e organeve për transplant”, akuza që u bënë bazë për raportin e Dik Martit në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës.

E vërteta është se iniciatore për raportin e Dik Martit në Këshillin e Evropës ka qenë Rusia, çka e ka pohuar Kryetari i Komisionit të Jashtëm të Dumës Ruse, Kosaçov, që ka deklaruar: “Raporti ka qenë i iniciuar nga delegacioni rus në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe këtë ne e bëmë sapo u publikuan të dhënat nga goja e Karla del Pontes. Sigurisht që ne e kemi diskutuar këtë raport dhe unë i kam shprehur falënderimet zotit Marti, se raporti ishte përgatitur me ndershmëri dhe objektivitet, pa marrë parasysh se për kë bëhet fjalë”. Janë tepër kuptimplote intervistat e Dik Martit dhënë medieve ruse ku pohonte se: “Hetimi u bë me iniciativën e Rusisë”

Dhe, ishin ndërkombëtarët, përfaqësuesit e të Mëdhenjve (sigurisht pa ShBA-në), ishte Këshilli i Evropës, që “mori mendtë” e Moskës (Beogradit) dhe në vitin 2011, aprovoi Rezolutën 1782, atë Rezolutë të turpshme që hidhte baltë jo vetëm kundër UÇK-së, por kundër Shqipërisë e kundër gjithë kombit shqiptar. E ç’është më e pabesueshmja, pro asaj Rezolute votoi edhe përfaqësuesi i Qeverisë Shqiptare

Është interesant fakti se të njëjtat akuza që bënin Moska (Beogradi), Karla del Ponte, Dik Marti etj. kundër drejtuesve të UÇK-së e që përsëriteshin në Rezolutë, janë pothuajse të njëjta me akuzat që janë bërë në gjyqin farsë kundër drejtuesve të UÇK-së që po zhvillohet në Hagë. Kuptohet, kjo ishte ndihmë direkt që ndërkombëtarët i jepnin Beogradit, me një qëllim të caktuar, për të barazuar krimet e serbëve kundër shqiptarëve, me “krimet” që shqiptarët paskan bërë kundër serbëve. E padëgjuar për asnjë luftë çlirimtare, në rastin e Kosovës, ndërkombëtarët duan të barazojnë agresorin me viktimën, madje ti emërtojnë njëlloj, palë.

Është folur e shkruar shumë për dhunën e krimet gjatë luftërave në ish Jugosllavi. Në vitin 1993 u krijua Gjykata Ndërkombëtare për Krimet në ish-Jugosllavi, që kishte në juridiksion për këto kategori krimesh: 1. Shkelje të rënda të Konventës së Vjenës; 2. Shkelje të ligjeve dhe rregullave të luftës; 3. Gjenocid; 4. Krime kundër njerëzimit. Duke qenë pjesë e Jugosllavisë edhe Kosova u përfshi në juridiksionin e kësaj Gjykate, dhe në vitin 1998 u vendos që të mblidhej informacion mbi dhunën e krimet në Kosovë. Kjo Gjykatë e stërmadhe, me një buxhet prej rreth 100 milionë dollarë, vazhdoi punën deri ne dhjetor të vitit 2017 dhe u mbyll papritmas, pak ditë mbasi një gjeneral kroat vrau veten në sallën e gjyqit … por, deri më sot askush nuk ka mësuar arsyet e vërteta përse u mbyll kjo gjykatë, si përfunduan proceset që ishin në ndjekje, ku shkuan dosjet e pa fund që ishin hartuar etj. etj.

Është tepër interesant fakti se vetëm ato për Kosovën u ruajtën … madje u plotësuan me “fakte” të tjera, dhe filloi ai proces i turpshëm që vazhdon edhe sot në Hagë. Po t’i referohemi dokumenteve për vendimet e kësaj Gjykate, rezulton se janë dënuar 102 kriminelët serbë që kanë bërë krime në Bosnjë Hercegovinë dhe Kroaci. Megjithëse kjo Gjykatë kishte mbledhur fakte e dokumente pa fund për vrasjen e 13500 vetëve (nga të cilët 1 133 fëmijë), zhdukjen e rreth 1600 vetëve, përdhunimin e rreth 20 mijë grave e vajzave kosovare, djegien e fshatrave të tëra, dëbimin nga Kosova të rreth 1 milionë shqiptarëve etj. kjo Gjykatë Ndërkombëtare, për këto krime dënoi vetëm katër kriminelë serbë. Shifrat janë kokëforte dhe nuk kanë nevojë për komente.

Nuk është rastësi që Gjykata Speciale për Kosovën u krijua mbas aprovimit të Rezolutës së Dik Martit. Në një seancë speciale, Kuvendi i Kosovës ratifikoi marrëveshjen Kosovë-BE, që mundësoi krijimin e kësaj gjykate që vërtetë u krijua nga vetë kosovarët, por me “ndihmën”, madje me urdhrin e ndërkombëtarëve …e ç’është më e çuditshmja, megjithëse konsiderohet Gjykatë e Kosovës, që gjoja do të vepron me ligjet e Kosovës, në përbërjen e trupit gjykues nuk ka asnjë shqiptar. Në atë kohë, kryeministri Hashim Thaçi ka thënë: “Institucionet e Kosovës janë të ballafaquara me një imponim krejtësisht jo të ndershëm dhe jo të drejtë nga bashkësia ndërkombëtare”. Lidhur me Gjykatën Speciale ai tha: “Kërkesa për themelimin e kësaj Gjykate Speciale është padrejtësia më e madhe dhe fyerja më e madhe që mund ti bëhet shtetit të Kosovës”

Para pak ditësh “Financial Times” shkruante për këtë Gjykatë: “Në të vërtetë ajo drejtohet tërësisht nga BE-ja. Prokurorët dhe gjykatësit e saj janë zgjedhur me kujdes nga diplomatët e BE-së”.

Ky është gjyqi i pestë që zhvillohet kundër drejtuesve të UÇK-së, ku nga nëntë të akuzuar, gjashtë prej tyre kanë dalë të pafajshëm. Kujtoni gjyqet kundre Ramush Haradinaj, Fatmir Limajt etj. që qëndruan gjatë neper burgje e gjyqe pa fund, dhe më në fund dolën të pafajshëm, ashtu siç duhet të dalin edhe Hashim Thaçi me shokët e tij. Por politika e mbrapshtë antishqiptare mund të bëjë gjithçka.

Prej vitesh ndërkombëtarët kanë ulur në tavolinë Beogradin me Prishtinën. Janë zhvilluar takime pa fund ku janë nënshkruar rreth 30 marrëveshje (shumica të pa zbatuara) deri tek marrëveshja e fundit në Ohër. Po të ndjekësh me vëmendje qëndrimin e ndërkombëtarëve në këto takime apo marrëveshje, duket qartë se në shumë raste ata mbajnë anën e Beogradit. Është e pa falshme që megjithëse u bënë 15 vjet që Kosova është shtet i pavarur, Veriu i Kosovës, pavarësisht se është brenda hartës së Kosovës, realisht drejtohet nga Beogradi. Deri në vitin 2013 ai nuk e njihte pavarësinë e Kosovës. Banorët mbajnë pasaporta serbe, aty makinat qarkullojnë me targa serbe, dhe kur Prishtina me të drejtë vendosë për ndryshimin e targave, ndërkombëtarët ndërhyjnë në favor të Serbisë. Apo, në fund të vitit të kaluar, kur, me një pretekst absurd, Beogradi urdhëroi serbët e Veriut të tërhiqeshin nga të gjitha institucionet, dhe nuk u mjaftua me kaq por solli ushtrinë me armatimet e rënda në kufi me Kosovën dhe ishte gati për luftë, NATO dhe BE nuk mbajtën qëndrimin e duhur, madje gjuha “përkëdhelëse” apo “e simetrisë së fajit” e përdorur prej tyre ishte mbështetje për Beogradin.

Deri para disa kohësh përfaqësues të ShBA dhe të BE shpreheshin hapur, madje kërcënonin Beogradin se pa njohur Kosovën si shtet i pavarur, Serbia nuk do të pranohet në BE. Në vitin 2021, presidenti i ShBA, Baiden, deklaroi se “Në qendër të dialogut Serbi –Kosovë është njohja reciproke”, mirëpo tani përfaqësues të ShBA-së dhe BE-së thonë ndryshe, e kanë modifikuar qëndrimin dhe thonë se “Normalizimi i marrëdhënieve Serbi-Kosovë do të ketë objektiv njohjen reciproke”, çka është një lloj mbështetje dhe ndihme për Beogradin.

Nuk ka si shpjegohet ndryshe, përveçse ndihmë për Beogradin caktimi si ndërmjetës në bisedime midis Prishtinës dhe Beogradit, ish ministrin e Jashtëm te Spanjës, J. Borel dhe ish-ministrin e Jashtëm të Sllovakisë, M. Lajçak, përfaqësues të dy vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën, madje kur kanë qenë ministra, janë shprehur publikisht kundër njohjes së Kosovës. Nuk dihet në se tani, në këtë rol a e njohin Kosovën si shtet të pavarur!

Para viteve ’90 të shekullit të kaluar, kosovarët udhëtonin jashtë pa viza. Nuk ka si shpjegohet ndryshe veçse ndihmë për Beogradin, që për 15 vjet nga shpallje e pavarësisë ata nuk lejoheshin të udhëtonin pa viza. Më në fund, ndërkombëtarët bënë një hap pozitiv që vendosën që edhe kosovarët, të lejohen si shumica dërmuese e evropianëve të lëvizin lirisht nëpër Evropë. Po kështu duhet vlerësuar si hap pozitiv i ndërkombëtarëve edhe angazhimi dhe puna që po bëhet për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Por këto janë tepër pak për Kosovën.

Kohët e fundit u arrit një marrëveshja në Ohër, që sipas disa ndërkombëtarëve do të zgjidhë problemet Serbi-Kosovë. Një ditë pa shkuar në Ohër, presidenti i Serbisë, Vuçiq deklaroi publikisht se nuk do ta firmoste atë marrëveshje, që do të thotë se ai nuk është i detyruar të zbatojë marrëveshjen, por ato pika që i interesojnë Serbisë. Askush nuk e kupton si mund të quhet marrëveshje e arritur vetëm me llafe. Dikur bëheshin marrëveshje “xhentëlmenësh”, me “fjalë burrash”, në “log të Kuvendit”, madje nganjëherë edhe “me betim”. Jetojmë në kohë moderne, çdo marrëveshje apo traktat midis shteteve kërkon firmë dhe vulë, përndryshe nuk është marrëveshje serioze, madje të nesërmen Vuçiqi deklaroi se “Nuk e kam nënshkruar sepse Serbia është një vend i njohur ndërkombëtarisht dhe Kosova për mua nuk është. Dhe nuk dua të bëj marrëveshje juridike ndërkombëtare me Republikën e Kosovës”. Më qartë nuk ka si thuhet, se pa u firmosur, ajo nuk është marrëveshje … që shqip do të thotë atë që Beogradi nuk e njeh Kosovën si shtet i pavarur.

Prej shumë vitesh, në çdo rast Vuçiqi dhe shokët e tij i referohen krijimit të “Zajednicës” (sipas Beogradit), Asosacionit (sipas ndërkombëtarëve) apo shqip Bashkësisë së Komunave ku jetojnë serbë në Kosovë, duke e vënë në çdo rast si kushtin kryesor. Marrëveshja për krijimin e Bashkësisë së komunave me shumicë popullsi serbe në Kosovë, u vendos në vitin 2013, dhe në vitin 2105 u diskutuan parimet mbi të cilat do të krijohej. Sipas Beogradit, Bashkësia duhej të krijohet në 10 komuna të shpërndara neper Kosovë, që përmbledhtas zënë një sipërfaqe prej 1708 kilometra katrorë me popullsi rreth 124 mijë banorë (ku Veriu i Kosovës zë një sipërfaqe 1007 kilometra katrorë me rreth 48 mijë banorë), me Kuvend të krijuar nga përfaqësues të 10 komunave, me President që do të përfaqësojë serbët brenda dhe jashtë Kosovës etj. pra me kompetenca ekzekutive, që do të thotë një Republikë Sërpska brenda Kosovës, që realisht do të ishte një hap drejt ëndrrës së krijimit të “Botës serbe”. Organizmi e Bashkësisë, sipas propozimit të Beogradit, me të drejtë deri tani nuk është pranuar nga asnjë qeveri kosovare, mbështetur edhe mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sipas së cilës Bashkësia duhet të krijohen mbi bazën e Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

Bën përshtypje fakti se ndërkombëtarët, me te drejtë janë të interesuar për fatin e serbëve në Kosovë por nuk ndjehej, nuk thonë asnjë fjalë për gjendjen e shqiptarëve në tri komunat shqiptare në Serbi, Preshevë, Bujanovc e Medvegjë, për keqtrajtimin e tyre e deri spastrimin modern të këtyre krahinave nga shqiptarët.

Kohët e fundit ndërkombëtarët, në mbështetje të kërkesave serbe, i kanë rritur presionet ndaj Kosovës për krijimin e Bashkësisë, pavarësisht se ndonjë përfaqësues i tyre shton se duhet krijuar sipas ligjeve të Kosovës. Mirëpo, Vuçiqi duke parë mbështetjen e ndërkombëtarëve vazhdon të përsërisë kushtin kryesor, aq sa edhe mbas takimit të fundit me Albin Kurtin në Bruksel kërcënoi: “Kosova ose do të pranojë atë për të cilën është rënë dakord në vitin 2105, ose do të jetë fundi i gjithçkaje”. Dhe, Vuçiqi kërkon Zajednicën vetëm me kushtet e Beogradit.

Po ndërmjetësit ndërkombëtarë si do të veprojnë? Po ti besojmë diplomatit e analistit të njohur për Ballkanin, amerikanit Daniel Server, i cili mbas takimit të fundit Vuçiq-Kurti tha se “Dialogu Kosovë Serbi nuk po funksionon. Evropianët nuk kanë arritur ta bëjnë tërheqës, ndërsa amerikanët janë zhvendosur në qetësimin e Beogradit dhe goditjen ndaj Prishtinës”.

Shpresojmë që të mos jetë kështu, ndërkombëtarët ti kthehen realitetit dhe të mbështesin të dy palët, për ato probleme që kanë të drejtë.