LAJMI I FUNDIT:

I dërguari i OKB-së kërkon nga SHBA-ja dhe Rusia “të shpëtojnë” Sirinë

I dërguari i OKB-së kërkon nga SHBA-ja dhe Rusia “të shpëtojnë” Sirinë

I dërguari i Kombeve të Bashkuara për krizën në Siri u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë që të ndërhyjnë urgjentisht për të shpëtuar bisedimet për paqe.

Duke folur pas informimit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Staffan de Mistura ka thënë se armëpushimi në Siri, i arritur në muajin shkurt, është “mezi gjallë”.


Dhuna në Siri është intensifikuar ditëve të fundit, pavarësisht armëpushimit.

Së paku 20 civilë janë raportuar të vrarë të mërkurën nga një sulm i qeverisë në lindje të provincës Aleppo.

Bisedimet për paqe në Siri, që janë zhvilluar në Gjenevë, janë ndërprerë javën e kaluar, pasi opozita siriane është larguar në shenjë proteste për shkelje të dyshuara të armëpushimit nga regjimi sirian.

De Mistura ka thënë se nuk do të ketë rreth të ri bisedimesh përpara korrikut.

Lufta civile në Siri ka nisur në vitin 2011. Mbi 270,000 njerëz kanë vdekur dhe miliona të tjerë janë larguar nga shtëpitë.