LAJMI I FUNDIT:

Deputetët kërkojnë nga KEK-u që mos ta aplikojë rentën minerare ndaj ‘Kosova Thëngjill’

Deputetët kërkojnë nga KEK-u që mos ta aplikojë rentën minerare ndaj ‘Kosova Thëngjill’

Komisioni parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ka shqyrtuar ankesën e ndërmarrjes “Kosova Thëngjilli”, për mos zbatimin e Ligjit të Rimëkëmbjes Ekonomike përkatësisht për lirimin nga renta minerare.

Për këtë çështje kanë raportuar në komisionin drejtues të kësaj kompanie dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Rizvanolli theksoi se nuk ka logjikë ekonomike që renta të faturohet nga KEK-u ndaj “Kosova Thëngjilli”, mirëpo ky është interpretim i Zyrës Ligjore që të ndodhë një gjë e tillë.

“Konsiderojë që është padrejtësi, por këto janë interpretime ligjore. Sipas kësaj ndërmarrjet që posedojnë licencë të njësisë minerare lejohen nga renta”, tha Rizvanolli.

Ndërsa, Isuf Mehmeti, drejtor menaxhues i “Kosova Thëngjill”, derisa ka arsyetuar ankesën tha se për mos zbatimin e rentës, është e vërtetë se ndërmarrja nga 1 janari kur ka dal ky ligj, nuk është respektuar Ligji për Rimëkëmbjes Ekonomike.

“Kërkesa është ta marrim një përgjigje nga Kuvendi se a kemi të drejt të lirohemi nga taksa apo jo. Kemi 200 punëtorë, dhe KEK-u na ka dëmtuar shumë. Ne jemi furnizues të fabrikës Ferronikeli, pas kësaj kjo fabrikë më nuk është blerës i yni për shkak të mos uljes së taksës, dhe furnizohet nga shtetet fqinje. Pra, gjendja është e rëndë, tash e disa muaj, mezi sigurojmë 40 përqind të pagave për punonjësit”, theksoi Mehmeti.

Kryetari i Komisionit, Ferat Shala tha se Ligji është i qartë, dhe lejon të gjitha këto njësi, ndërsa “Kosova Thëngjill” vazhdon të mos përfitoj nga lirimi i rentës.

Deputeti Shala tha se ligji nuk favorizon, siç tha ai vetëm ‘bosat’ e sektorit minerar.

“KEK pa drejtësisht po e vjel rentën në njësinë ‘Kosova Thëngjilli’. Nuk i përzgjedh vet ‘bosat’ e sektorit. ‘Kosova Thëngjilli’ është në një situatë të rëndë. Nuk mund ta vjel dikush taksën e asaj që ne e kemi liruar. Si pasojë e kësaj, Ferronikeli ka ikur dhe furnizohet nga jashtë vendit. A duhet të falimentoj ministre ‘Kosova Thëngjilli?’”, pyeti Shala.

Deputetët e pozitës dhe opozitës ngrenë dyshimin e shkeljeve ligjore në raport të diskriminimit të kompanive.

Edhe deputetja Mimoza Kusari-Lila ka mbështetur kërkesën e “Kosova Thëngjillit”, e cila tha se derisa KEK nuk paguan rentë minerare, kush është KEK-u që t’ia faturoj ‘Kosova Thëngjillit’ rentën. Kjo sipas saj, është e pa drejt.

Deputeti nga PDK, Uran Ismajli tha se Ligji duhet të jetë i barabartë për të gjithë, sipas tij nuk duhet të ketë abuzim. /KP/