Dy vjet e katër muaj burg, është kjo masa e dënimit që Gjykata e Padovës në Itali ka vendosur për këngëtaren shqiptare Mirela Qato.
48-vjeçarja kishte shantazhuar të dashurin, duke i marrë një shumë prej 300 mijë eurosh. Mirela Qato, i kishte thënë të dashurit se ishte detyruar të bënte një abort, i cili më pas i kishte shkaktuar dëme psikologjike, duke e çuar në depresion. Ajo i ka kërkuar 300 mijë euro dëmshpërblim.

Historia mes Mirelës dhe biznesmenit italian, Gazzo Padovano, 18 vjet më i madh në moshë se ajo, kishte nisur në vitin 2014, falë një njoftimi për lidhje, të publikuar në gazetën “Occhio”, raporton Opinion.


Pasi janë takuar, Padovano shkonte dhe e merrte çdo natë Qaton në lokalin ku punonte. Marrëdhënia e tyre ka vijuar deri në verën e vitit 2015, kur raportet mes tyre kanë marrë një drejtim tjetër.

Mirela i ka kërkuar të dashurit të ndahej nga gruaja dhe të jetonte vetëm me të.

Por pasi kërkesa e saj nuk është plotësuar, ajo është hakmarrë me sajesën, që i ka kushtuar burrit 300 mijë euro.