LAJMI I FUNDIT:

Dënohet Kadri Veseli

Dënohet Kadri Veseli

Postimi i një spoti në profilin e tij në “Facebook” nga kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, do t’i kushtojë 3 mijë euro gjobë “arkës” së partisë që ai drejton.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka gjetur të bazuar një ankesë të parashtruar nga BIRN dhe Internews Kosova, sipas së cilës, kryetari i PDK-së ka postuar një spot me pamje nga tubimi zgjedhor në Malishevë, në të cilin shihen se janë përfshirë persona nën moshën 18 vjet.


BIRN dhe IKS kanë gjetur se ky veprim bie ndesh me dispozitat në zbatim që rregullojnë sjelljet e partive politike pasi që shprehimisht është e ndaluar përfshirja në fushatë e personave që nuk kanë mbushur 18 vjeç në ditën e zgjedhjeve.

PDK në arsyetimin e saj të paraqitur para PZAP-së ka deklaruar se fëmijët që shihen në video janë të kandidatëve dhe se gjithkund në praktikat zgjedhore fëmijët e kandidatit shihen nëpër foto dhe video të ndryshme.

Të paktën, në vendimin e PZAP-së, nuk jepet ndonjë e dhënë që PDK ka paraqitur konkretisht ndonjë praktikë të tillë.

Arsyetimet e dhëna nga PDK nuk kanë mundur të evitojnë gjobën e shqiptuar nga PZAP që ka gjetur se ankesa e BIRN dhe IKS është e bazuar.

Si rezultat i ankesave nga BIRN dhe IKS deri më tani të gjitha partitë kryesore në vend janë dënuar më gjobë si rezultat i shkeljes së Ligjit për Zgjedhjet në Kosovë ndërsa KALLXO.com ka raportuar për të gjitha këto raste.