LAJMI I FUNDIT:

I dëmtuari thotë se në emër të fajdesë, përveç parave ishte detyruar të japë edhe një lokal e një banesë

I dëmtuari thotë se në emër të fajdesë, përveç parave ishte detyruar të japë edhe një lokal e një banesë

I dëmtuari Jakup Blakqori, në cilësinë e dëshmitarit, ka thënë se përpos parave, në emër të fajdesë ishte detyruar të japë një lokal dhe një banesë.

Ai këtë deklaratë e ka dhënë në gjykimin për krim të organizuar, fajde dhe vepra tjera penale ndaj Dalip Brahimit, kryetarit të grupit të tifozëve “Dardanët”, Lulzim Berisha, si dhe të akuzuarve Ismet Salihu, Bujar Gërbeshi dhe Rrahim Brahimi.


Dëshmitari Jakup Blakqori ka vazhduar dëshminë e tij, të cilën e kishte filluar në seancën e 16 nëntorit 2021, në të cilën seancë kishte deklaruar se së bashku me vëllezërit e tij kishin qenë pronarë të kompanisë “Besholli”, por e cila kishte bankrotuar.

Ai në seancën e së hënës, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Bujar Gërbeshi, avokatit Flakron Syljemani, ka thënë se 3-4 herë i kishte dhënë para Bujar Gërbeshit.

Sipas tij, vëllai i tij Skënder Blakqori e kishte njoftuar se i akuzuari Bujar Gërbeshi do t’i sjellë 15 mijë euro, por sipas dëshmitarit ai ia kishte dorëzuar 6 mijë e 900 euro, ndërsa pjesën tjetër e kishte ndarë në emër të kamatave.

“Kjo shumë nuk ka qenë borxh, Bujari ka përmendur borxhe të tjera me Skënderin, për të cilat unë nuk kam ditur”, ka thënë dëshmitari, i cili ka deklaruar se i akuzuari Gërbeshi i kishte kërcënuar me jetë duke iu thënë se nuk kanë nga të shkojnë.

Ai ka thënë se të akuzuarit Dalip Ibrahimi nuk i kishte dhënë drejtpërdrejt para, por i kishte dhënë përmes Bejtush Zhugollit.

Sipas dëshmitarit, përmes këtij personi i kishin marrë 200 mijë euro, ndërsa ka deklaruar se nuk i kujtohet se sa qenë kësti i pagesës.

“70 mijë euro janë kthyer para të obligimeve, edhe lokali në Pejton gati 200 mijë euro janë bërë, edhe nuk janë dalë dhe është dashtë me dhanë në emër të fajdesë banesën te “Kroi i bardhë”, ka thënë dëshmitari.

Blakqori në fund ka deklaruar se e konsideron veten palë të dëmtuar, pasi përpos pasojave materiale ka deklaruar se ka përjetuar edhe pasoja psikike dhe shëndetësore.

Në seancën e së hënës ka dhënë dëshminë edhe dëshmitari Ilmi Zhugolli i cili ka deklaruar se ka pasur një biznes i cili është marrë me energjetikë, i cili biznes për 10 vite ka pasur qarkullim 20 milionë euro, por për momentin ka thënë se ky biznes nuk është aktiv, pasi ishte orientuar në tregun e jashtëm.

Ai ka thënë se të akuzuarin Dalip Ibrahimi e njeh që 20 vite dhe se nga ai ka marrë si huazim para, por pa interes dhe se të njëjtat ia kishte kthyer përmes bankës.

Pasi i akuzuari ka deklaruar se nuk i kujtohet se sa para ka marrë nga i akuzuari Dalip Ibrahimi, prokurori special Naim Abazi, e ballafaqoi me deklaratën e dhënë në prokurori në janar 2019, ku kishte deklaruar se i akuzuari Ibrahimi e kishte ndihmuar duke ia dhënë 150 mijë euro, por pa interes.

“Paratë që i kam pranuar nga Dalipi i kam kthyer përmes transaksionit bankar, edhe pse i kam pranuar nga ai kesh”, ka deklaruar dëshmitari.

Dëshmitari ka thënë se nga i akuzuari Ismet Salihu kishte huazuar 15 mijë euro, prej të cilave tha se 3 mijë euro ende nuk ia kishte kthyer.

Seanca e radhës pritet të mbahet më 11 janar 2022.

Në këtë rast, për bixhoz të paligjshëm janë akuzuar edhe Ismet Salihu e Alban Geci, por ata janë dënuar me nga gjashtë muaj burgim, pasi e kanë pranuar fajësinë. Të akuzuarit Alban Geci, në dënimin e shqiptuar i është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim, ndërsa pjesa tjetër e dënimit i është zëvendësuar me 3 mijë euro gjobë.

Sipas aktakuzës së ngritur me 8 maj 2019, të akuzuarit Dalip Brahimi, Ismet Salihu dhe Bujar Gërbeshi, nga data e pavërtetuar e deri më 20 dhjetor 2018 në Prishtinë, duke e shfrytëzuar gjendjen e vështirë financiare u kishin dhënë para me fajde të dëmtuarve Bejtush Zhugolli, Skender Blakqori dhe Besim Beqiri.

Në aktakuzë thuhet se i dëmtuari Bejtush Zhugolli, në gusht 2008, shkurt dhe korrik 2010, nga i akuzuari Dalip Ibrahimi kishte marrë gjithsej shumën prej 165 mijë e 914 euro, kurse i dëmtuari Zhugolli i kishte kthyer përmes transaksioneve bankare 599 mijë euro, kurse për pjesën tjetër të mbetur borxh i akuzuari Dalip Brahimi ia kishte marrë të dëmtuarve Bejtush dhe Ilmi Zhugolli një lokal me çmim 167 mijë euro, tre banesa në vlerë prej 146 mijë e 805 euro, një veturë “Mercedes”, e cila pasuri që i është marrë të dëmtuarit Bejtush Zhugolli, tejkalon shumë prej një milion euro.

Ndërkaq, thuhet se i akuzuari Dalip Brahimi, me qëllim që të mbulonte këtë diferencë kaq të madhe të parave, së bashku me të dëmtuarin Bejtush Zhugolli kishin nënshkruar një kontratë te noteri, kinse i akuzuari Dalip Brahimi i shiste të dëmtuarit Zhugolli një parcelë në shumë prej 1,001,200.00 euro, edhe pse këtë pronë i akuzuari e kishte blerë në vlerë prej 100,000.00 euro.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit para në shumë të ndryshme me përqindje prej 5-15% i kishin dhënë edhe të dëmtuarit Skënder Blaqori dhe në momentin kur ai nuk kishte arritur të kthejë kamatën, i akuzuari Dalip Brahimi përmes të dëmtuarit Bejtush Zhugolli dhe një personi me emrin Ekrem Leci, e kishin detyruar Blakqorin që të nënshkruajë një kontratë për shitblerjen e banesës në lagjen “Dardania” në Prishtinë, në sipërfaqe prej 161.81 metra katror dhe të njëjtat para që i dëmtuari Blakqori i kishte marrë nga shitja e banesës, e kishin detyruar që t’ua paguajë “borxhet” atyre.

Në aktakuzë thuhet se kjo patundshmëri ishte regjistruar në emër të Dalip Brahimit, ndërsa i dëmtuari Blakqori gjatë periudhës kohore 2010-2019, kishte marrë para me fajde nga i akuzuari Gërbeshi, i cili përveç parave që i kishte marrë në emër të fajdesë, ia kishte marrë edhe një banesë në lagjen “Mati 1”, në sipërfaqe 86.16 m2.

I dëmtuari Jakup Blakqori, sipas aktakuzës, gjatë periudhës 2010 kishte kontaktuar me vëllain e tij Skënderin, i cili i kishte thënë se i akuzuari Bujar Gërbeshi do t’i sjell 15 mijë euro me qëllim të pagesës së doganës për qeramikat që i kishin importuar dhe me të arritur i akuzuari Gërbeshi tek i dëmtuari Jakup Blakqori, i kishte thënë se 8 mijë e 100 euro do t’i ndalë në emër të kamatës së borxhit të vëllait të tij Skënderit, kurse 6 mijë e 900 euro mund t’i marrë.

Kështu, siç thuhet në aktakuzë, i dëmtuari Jakup Blakqori i kishte marrë shumën prej 6 mijë e 900 euro dhe për këtë shumë kishte paguar 10 mijë e 500 euro në emër të kamatës.

Sipas aktakuzës, i dëmtuari Besim Beqiri kishte marrë para me fajde nga i akuzuari Gërbeshi, i cili e kishte detyruar Beqirin me të bijtë e tij që të paguanin kamatën e kontraktuar në shumë prej 4 mijë euro.

PSRK-ja të akuzuarit Dalip Brahimi, Ismet Salihu dhe Bujar Gërbeshi po i ngarkon me veprën penale “Fajde”.

Po ashtu, të njëjtit po dyshohen se në bashkëkryerje dhe me të akuzuarit Dalip Brahimin në krye, kishin marrë dhe kishin negociuar për vete shumën dukshëm jo proporcionale të pasurisë, në këmbim të shërbimit për personin tjetër, duke e shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarve Bejtush Zhugolli, Skender dhe Jakup Blakqori.

PSRK të njëjtit po i ngarkon edhe me veprën penale “Krim i organizuar”.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Gërbeshi gjatë periudhës kohore janar 2017, e deri me 20 dhjetor 2018, i kishte dhënë para me fajde të dëmtuarit Afrim Muçiqit, në shumë rreth 10 mijë euro, ndërsa i dëmtuari Muçiqi ishte detyruar që atij t’ia kthejë shumën prej 10-30% në emër të kamatës.

Gërbeshin prokuroria po e ngarkon me veprën penale “Fajde”.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Dalip Brahimi, më 6 shtator 2015 në Prishtinë, e kishte goditur në pjesë të ndryshme të trupit të dëmtuarin Skender Blakqori, me qëllim që të veprojë në dëm të pasurisë së tij, ku i dëmtuari Blakqori kishte shkuar në shtëpinë e të akuzuarit Brahimi që t’ia kërkojë lirimin e banesës, por ai e kishte kanosur rëndë të dëmtuarin me fjalët “Ta rujt Zoti djalin”.

Prokuroria të akuzuarin Dalip Brahimi, po e ngarkon edhe me veprën penale “Detyrim” nga neni 340, paragrafi 1 të KPRK-së.

Të akuzuarit Alban Geci dhe Ismet Salihu, gjatë periudhës kohore të pavërtetuar e deri me 20 dhjetor 2018, akuzohen se në lagjen “Dardania” në Prishtinë, në lokalin e tyre kishin organizuar lojëra të fatit pa lejen e organit kompetent shtetëror.

Prokuroria të akuzuarit Geci dhe Salihu po i ngarkon me veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, sipas nenin 300, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Kurse, Rrahim Brahimi akuzohet se gjatë periudhës janar 2017 e deri me 20 dhjetor 2018, e kishte ndihmuar babanë e tij, të akuzuari Dalip Brahimin që të njëjtit t’i sjellë dobi pasurore.

Në aktakuzë thuhet se ai kishte kontaktuar dhe ndërmjetësuar më të dëmtuarin Gentrit Beqiri, në lidhje me borxhin që babai i tij, Besim Beqiri ia kishte të akuzuarit Dalip Brahimi, duke i kërkuar që i njëjti t’i përmbahet obligimeve që kishte ndaj të babait të tij, Dalip Brahimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

PSRK edhe të akuzuarin Rrahim Brahimi po e ngarkon me veprën penale “Fajde”, nga neni 343 lidhur me nenin 33 të KPRK-së.

I akuzuari Lulzim Berisha, gjatë periudhës kohore janar 2017, e deri më 20 dhjetor 2018, akuzohet se e kishte ndihmuar të akuzuarin Gërbeshi që të njëjtit t’i sjellë dobi pasurore, duke kontaktuar dhe ndërmjetësuar me të dëmtuarin Afrim Muçiqi, duke i kërkuar që i njëjti t’i përmbahet obligimeve që kishte ndaj të akuzuarit Gërbeshi.

Për këto veprime, i akuzuari Berisha po ngarkohet me veprën penale “Fajde”, nga neni 343 lidhur me nenin 33 të KPRK-së.

Në trend Lajme

Më shumë
Zhduket një 28-vjeçare në Ferizaj, familja kërkon ndihmën e policisë dhe qytetarëve për gjetjen e saj

Zhduket një 28-vjeçare në Ferizaj, familja kërkon ndihmën e policisë dhe qytetarëve për gjetjen e saj

Kronika e Zezë
Ymeri: Mos pranimi i Kosovës në KiE është dështim i Qeverisë Kurti

Ymeri: Mos pranimi i Kosovës në KiE është dështim i Qeverisë Kurti

Lajme
Kurti publikon statistikat: Serbia po propagandon për dhunën ndaj serbëve në Kosovë

Kurti publikon statistikat: Serbia po propagandon për dhunën ndaj serbëve në Kosovë

Lajme
Iu bë atentat në Bruksel më 28 prill, ndërron jetë Agustin Kaza - dyshohet se u vra për gjakmarrje

Iu bë atentat në Bruksel më 28 prill, ndërron jetë Agustin Kaza - dyshohet se u vra për gjakmarrje

Lajme
DASH hedh poshtë pretendimet për Escobarin: Nuk është shkarkuar, do të emërohet në një pozitë tjetër sipas rrotacionit

DASH hedh poshtë pretendimet për Escobarin: Nuk është shkarkuar, do të emërohet në një pozitë tjetër sipas rrotacionit

Lajme
Hoxha: Duke e bllokuar Kosovën në KiE, Gjermania dhe Franca anojnë kah Serbia qartazi

Hoxha: Duke e bllokuar Kosovën në KiE, Gjermania dhe Franca anojnë kah Serbia qartazi

Lajme
Kalo në kategori