Demokracia e brishtë e Kosovës

Demokracia është sistemi më i mirë i qeverisjes në krahasim me sistemet e kaluar jo demokratike. Në Kosovë ky sistem ende nuk ka arritur niveli e zhvillimit normal të saj.
Kjo më së miri argumentohet me gjendjen politike në Kosovë dhe sfidat nëpër të cilat po kalojmë në ndërtimin e institucioneve demokratike, procesit zgjedhor, autonomisë së pushteteve dhe funksionimit të sistemit gjyqësor si instrument shumë i rëndësishëm i instalimit dhe zhvillimit të demokracisë.
Por, cili është roli i të rinjve në demokraci?
Progresi demokratik i vendit varet pikërisht edhe nga gjeneratat e reja, inkuadrimi i së cilës në institucione shtetërore shërben si lokomotivë e këtij procesi.
Në Kosovë inkuadrimi i të rinjve në proceset demokratike shtetërore është një proces që po ecën shumë ngadalë, duke marrë parasysh hapësirën që ata kanë në vendimmarrje, qoftë në institucione e parti politike.
Sot të rinjtë në Kosovë kanë fuqi të vogël vendimmarrëse, ku për çështje të rëndësishme vendos gjenerata e mesme, duke mos lënë hapësirë që të rinjtë të jenë pjesë e proceseve të rëndësishme në demokratizimin e vendit.
Dëshmi e pafuqisë së tyre në proceset vendimmarrëse në Kosovë janë partitë politike ku rinia brenda tyre më shumë shërben për punëtorë në sigurimin e votave, organizimin e fushatave parazgjedhore të partisë, ndërsa pas përfundimit të zgjedhjeve përfundon angazhimi dhe roli i tyre.
Fuqia e tyre për t’i shtyrë proceset përpara brenda partive apo Qeverisë, është shumë e vogël, e kjo rezulton me mungesë të mbajtjes së zgjedhjeve të rregullta dhe demokratike brenda partive ku vendimmarrja monopolizohet nga një grup i të “vjetërve” në parti, me ide dhe politika të vjetra e të konsumuara, me mungesë të mbajtjes së zgjedhjeve të rregullta brenda vet partive, luftë mbas pushtetit, mungesë të parimeve etj... që e bëjnë demokracinë e brishtë në Kosovë.
Për të pasur një demokraci funksionale brenda shtetit duhet së pari të kemi parti politike demokratike me profilizim të qartë ideologjik,e me politika të qartë të udhëheqjes, zgjedhje të lira dhe demokratike, me një gjyqësor funksional, shoqëri civile të paanshme dhe aktive, qytetari aktive, të organizuar mirë në mbrojtjen e të drejtave të tyre për një jetë më të mirë, arsimim të gjeneratave të reja të cilat me vizion dhe politika të qarta për të ardhmen do të ndihmonin mjaft shumë në demokratizimin e vendit.




















































