LAJMI I FUNDIT:

Deklarata e Lajçakut pas takimit me krerët opozitarë dhe qëndrimet e Krasniqit, Abdixhikut e Haradinajt për Propozimin evropian

Deklarata e Lajçakut pas takimit me krerët opozitarë dhe qëndrimet e Krasniqit, Abdixhikut e Haradinajt për Propozimin evropian

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak për dy ditë ka qëndruar në Prishtinë, ndërsa ka takuar krerët e shtetit dhe kryetarët e partive opozitare.

Lajçak të enjten takoi presidenten e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, ndërkaq të premten u takua me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe atë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.


Pas këtyre takimeve me krerët e partive opozitare, i dërguari i BE-së në një shkrim në Twitter thotë se ka shprehur pritshmëri të qarta për ta vendosur dialogun mbi politikën e përditshme partiake.

“Në ditën e dytë në Kosovë, u takova me liderët e partive opozitare për të shpjeguar marrëveshjen, si dhe hapat e ardhshëm. Gjithashtu shpreha pritshmëri të qarta nga bashkësia ndërkombëtare për ta vendosur dialogun mbi politikën e përditshme partiake, veçanërisht në këtë moment kritik”, shkroi Lajçak.

Ai tutje tha se ka takuar edhe përfaqësuesit e Listës Serbe për t’i informuar për dialogun dhe për të dëgjuar pikëpamjet dhe vlerësimet e tyre për zhvillimet në veri të Kosovës.

Lajçak: Dialogu të vendoset mbi politikat ditore partiake
Lexo po ashtu Lajçak: Dialogu të vendoset mbi politikat ditore partiake

Lajçak ka përmendur edhe 15 modele evropiane të cilat thotë se ia ka prezantuar Kurtit lidhur me Asociacionin.

E pas takimit me të dërguarin e BE-së për dialogun janë shprehur edhe kryetarët e partive opozitare.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi tha se ia ka shprehur rezervat sa i përket marrëveshjes së propozuar për normalizim të raporteve. Sipas tij në tavolinë është një marrëveshje e përkohshme jo me njohje të ndërsjellë, por asociacion në qendër.

Ai deklaroi se marrëveshja aktuale nuk do ta ketë votën e PDK-së në Kuvend por theksoi se qëndrimin do ta japin pasi të shohin tekstin final që përfshinë aneksin e marrëveshjes.

Krasniqi tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka humbur mundësinë që vërtetë të arrijë të bind mbështetësit ndërkombëtar që të përkrahin Kosovën në realizimin e qëllimeve shtetërore.

Për PDK-në, marrëveshja e propozuar nuk është e mjaftueshme dhe nuk i adreson qëllimet shtetërore të Kosovës.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi gjatë takimit me të dërguarin e BE-së, Miroslav Lajçak

Ndërkaq, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku tha se partia që ai drejton mbështet implementimin e të gjitha marrëveshjeve që janë arritur në dialog, ndërkaq njoftoi se Lajçakut i ka kërkuar sqarime në lidhje me tekstin e marrëveshjes së propozuar.

Pas takimit me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ai ka thënë se LDK-ja i jep përkrahje këtij procesi, me ndërmjetësimin e BE-së dhe me përfshirjen e drejtpërdrejtë të ShBA-ve.

“Sot, pritëm ndërmjetësuesin e BE-së në dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak. Me të biseduam për ecurinë e procesit dialogues, me theks të veçantë për propozimin evropian në lidhje me normalizimin e raporteve Kosovë – Serbi”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

“LDK-ja i jep përkrahje procesit të dialogut, me ndërmjetësimin e BE-së dhe me përfshirjen e drejtpërdrejtë të ShBA-ve. LDK-ja rithekson se mbështet implementimin e të gjitha marrëveshjeve që janë arritur në këtë proces”.

LDK-ja ka përsëritur se Kosovës i duhet një marrëveshje e përqendruar te njohja e ndërsjellë dhe se asnjë marrëveshje tjetër nuk garanton normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku gjatë takimit me të dërguarin e BE-së, Miroslav Lajçak

“Heqja dorë nga njohja është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e kryeministrit Kurti dhe e institucioneve të tjera kushtetuese të Kosovës. Në takim, z.Lajcak i kërkova sqarime në lidhje me tekstin e marrëveshjes së propozuar, në mënyrë të veçantë në lidhje me preambulën, me nenin 7, nenin 10 dhe me planin implementues të marrëveshjes së tanishme”.

E kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj e ka ripërsëritur edhe një herë se Aleanca e mbështet Propozimin evropian për Marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Qëndrimin e tij Haradinaj e prezantoi në mbledhjen e sotme të Kryesisë së AAK-së, ku ndër të tjera tha se kjo marrëveshje është një e arritur e madhe, duke pasur parasysh rrethanat në të cilën ndodhemi si shtet.

“Qëndrimi i AAK në mbështetje të propozimit evropian për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, është qëndrim pro interesave nacionale e shtetërore. Ky është qëndrimi që ka dalë sot nga mbledhja e kryesisë së AAK-së.

“Në takim theksova se kjo marrëveshje e propozuar është një e arritur e madhe, duke pasur parasysh rrethanat në të cilën ndodhemi si shtet. Rikonfirmuam mbështetjen tonë ndaj arritjes së kësaj marrëveshjeje, të bindur se kjo i mundëson Kosovës hapjen e perspektives integruese euro-atlantike dhe arritjen e njohjeve të reja. Ky qëndrim është tërësisht në interes të vendit dhe pa ndonjë kalkulim elektoral”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj gjatë takimit me të dërguarin e BE-së, Miroslav Lajçak

Krejt në fund Haradinaj tha se e vlerëson ndihmën e aleatëve tanë, në veçanti të ShBA-së dhe kushdo që e kundërshton dhe tenton ta pengojë i bën dëm të madh vendit.

“AAK vlerëson ndihmën e aleatëve tanë, në veçanti të ShBA-së ndaj arritjes së kësaj marrëveshje. Kushdo që e kundërshton dhe tenton ta pengojë i bën dëm të madh vendit”, përfundoi ai.

Ndryshe, më 27 shkurt në Bruksel, kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u pajtuan në parim për Propozimin evropian për normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve.

Për aneksin e zbatimit të Propozimit evropian Kurti dhe Vuçiq do të takohen më 18 mars në Ohër të Maqedonisë.  /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
“Ka vetu, e ka bo Zoti dritë dhe e kom pa atë njeri”, thotë dëshmitarja për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

“Ka vetu, e ka bo Zoti dritë dhe e kom pa atë njeri”, thotë dëshmitarja për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

Drejtësi
A do të jetë Kosova vendi i parë në botë me shumicë myslimane që do të mundësojë martesat e së njëjtës gjini, Martens: Me sa duket po

A do të jetë Kosova vendi i parë në botë me shumicë myslimane që do të mundësojë martesat e së njëjtës gjini, Martens: Me sa duket po

Lajme
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Gjenden pa shenja jete dy persona, njëri në Fushë Kosovë e tjetri në Prishtinë

Gjenden pa shenja jete dy persona, njëri në Fushë Kosovë e tjetri në Prishtinë

Kronika e Zezë
Von Cramon: Nuk ekziston më arsyeja për masat kufizuese të BE-së ndaj Kosovës

Von Cramon: Nuk ekziston më arsyeja për masat kufizuese të BE-së ndaj Kosovës

Lajme
​Osmani për fjalimin e saj në KS të OKB-së: E kemi thënë të vërtetën

​Osmani për fjalimin e saj në KS të OKB-së: E kemi thënë të vërtetën

Politikë
Kalo në kategori