LAJMI I FUNDIT:

Deklarata e Bislimit për zgjedhjet në veri dhe për masat e BE-së, opozita: Para se të bëjë kushtëzime ndaj BE-së të raportojë në Komision

Deklarata e Bislimit për zgjedhjet në veri dhe për masat e BE-së, opozita: Para se të bëjë kushtëzime ndaj BE-së të raportojë në Komision

Ditë më parë zëvendëskryeministri i vendit, Besnik Bislimi është deklaruar lidhur me organizimin e zgjedhjeve në veri dhe masave të Bashkimit Evropian për Kosovën, ndërkaq pas deklaratës së tij kanë reaguar nga opozita duke i kërkuar zëvendëskryeministrit që të shkojë të raportojë në Komision.

Një kërkesë e tillë e opozitës për raportim të Bislimit në Komision vjen pasi të premten që lamë pas zëvendëskryeministri nuk ishte në mbledhjen e Komisionit për raportim ashtu siç ishte paralajmëruar.


Bislimi nuk shkon për të raportuar në Komision, deputetët e PDK-së vendosin disa fotografi të tij duke hedhur shishe
Lexo po ashtu Bislimi nuk shkon për të raportuar në Komision, deputetët e PDK-së vendosin disa fotografi të tij duke hedhur shishe

Numri dy i Qeverisë së Kosovës në një takim me gazetarë në Prishtinë ka thënë se Kosova nuk duhet të shpallë zgjedhje në veri të vendit, pa u hequr masat ndëshkuese të vendosura nga Bashkimi Evropian.

Bislimi tha që është në pritje të njoftimit të BE-së për heqjen e sanksioneve, pas pajtueshmërisë së arritur mes Kosovës dhe BE-së në Bratisllavë, dhe tërheqjes së 25% të forcave policore nga ndërtesat komunale në 4 komunat veriore.

Edhe pse më herët, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka thënë se organizimin e zgjedhjeve e lejon rregullimi ligjor i Kosovës dhe se diçka e tillë mund të bëhet përmes një peticioni të nënshkruar nga 20 për qind e qytetarëve që janë në listën votuese, të cilët mund të iniciojnë procesin e zgjedhjeve të reja, Bislimi tha se nuk është i sigurt që ekziston një bazë e përshtatshme ligjore për shpalljen e tyre.

“Është problem i brendshëm i Kosovës për cilin nuk ka dakordim se a mjafton udhëzim administrativ, apo duhet ligj”, ishte shprehur ai, njofton REL.

Raportimi i Bislimit në Komision, Kadiu: Mbledhja dështoi për shkak se nuk pati kuorum
Lexo po ashtu Raportimi i Bislimit në Komision, Kadiu: Mbledhja dështoi për shkak se nuk pati kuorum

Dorëheqja eventuale e kryetarëve do të çonte komunat në zgjedhje të parakohshme, mirëpo sipas Bislimit, Qeveria, e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje nuk do të kërkojë një gjë të tillë nga kryetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut dhe Leposaviqit, që janë nga kjo parti.

Kryetarët e dy komunave tjera, Zveçan e Zubin Potok, janë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Qeveria e Kosovës është pajtuar më 10 korrik që të bëjë një deklaratë publike, për të mbështetur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në 4 komunat veriore, pas verës. Sipas marrëveshjes, Kosova përkushtohet të sigurojë bazën e nevojshme ligjore për të mundësuar organizimin e zgjedhjeve.

Për shkak të mospërmbushjes së kërkesave të paraqitura nga blloku evropian, Brukseli në fund të qershorit nisi të zbatonte disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës.

E pas deklaratave të Bislimit, ka reaguar kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi.

Krasniqi, përmes një shkrimi në Facebook i ka bërë ftesë Bislimit që të shkojë për raportim në komision, siç tha ajo, para se ky i fundit të kushtëzojë BE-në.

“Z. Bislimin e ftoj publikisht që të respektoj Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe të paraqitet për raportim në Komisionin për Integrim Evropian lidhur me detajet e marrëveshjes për deeskalim, para se të bëjë kushtëzime të tilla ndaj BE-së.

Kompromiset në dëm të Kosovës i keni bërë standard të politikës së jashtme.

Mjaft më, ky vend e këta qytetarë nuk ju kanë asnjë borxh të i trajtoni kështu.

Koordinimin nga ShBA-ja i keni zbritur tek Millan Radoiçiqi”, ka shkruar ajo. /Telegrafi/