LAJMI I FUNDIT:

“Deka e Skanderbegut”, shfaqja teatrore e para 100 vjetëve

“Deka e Skanderbegut”, shfaqja teatrore e para 100 vjetëve
?

101 vjet më parë, në Shkodër, me rastin e 450-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, do vihej në skenë një dramë me titullin “Deka e Skanderbegut”. Drama ishte shkruar në vitet 1914-1915 nga Kolë Mirdita-Helenau, i cili kishte guxuar dhe e kishte vënë vetë në skenë dramën e tij dhe madje kishte luajtur edhe si aktor në rolin e personazhit Gjergj Lleshi.

Sipas të dhënave të gjetura në monografinë e Alfred Çapalikut, “Kolë Mirdita (Helenau): Jeta dhe Vepra”, mësojmë se kjo dramë ishte ngjitur dy herë në skenë, më 1916 dhe më 1917.


Fotot e rralla që ruhen në fondin e fototekës në Arkivin e Shtetit , tregojnë disa moment nga kjo shfaqje teatrore e para një shekulli.

Në monografinë e tij për këtë dramaturg dhe artist pak të njohur, Çapaliku shkruan ndër të tjera: “Ngjarjen më të veçantë të jetës rinore ia shënon vënia në skenë e dramës “Deka e Skanderbegut”, më 1916, ku qe autor, aktor dhe regjizor, në palkun e punuar nga artisti Kolë Idromeno. Shfaqia qëndroi gjatë në repertorin e teatrit të nxënësve. Ajo u riluajt më 17 janar 1917, ditën e 450-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit. U dalluan për lojën e tyre Luigj Mjeda (Skënderbeu) dhe Rrok Gjonej (sulltani). Suksesi qe i plotë. Duartrokitjet nuk ndaleshin. Meqë vepra nuk u botua, i njohim veç skeletin skenik, në saje të kujtesës së një spektatori entuziast. Akti i parë: pushtimi nga turqit, Akti i dytë: hyrja e Skënderbeut në Krujë, Akti i tretë: Kuvendi i Lezhës, Akti i katërt: Skënderbeu dhe i biri, Akti i pestë: porosia e fundit për bashkim.

Pas 45 vitesh, regjizori Lec Shllaku rikujtoi repertorin e traditës teatrore ku spikati edhe “…drama e paharrueshme e Helenaut Kolë Mirditës…”

‘Deka e Skandebegut’ i qëndroi gjykimit të kohës, jo vetëm si pioniere e teatrit kombëtar, por edhe si vlerë në vetvete. Shumë vite më vonë, studiuesi Kudret Velça për veprën e Kolës flet: ‘Drama përshkohet nga fryma e lartë patriotike dhe tregon për një konceptim realist të veprës artistike… Ndaj arrin të bëjë një përgjithsim më të madh ideoestetik nga ç’mund të bënte një kronikë historike’”.