LAJMI I FUNDIT:

“Dea open air”: Aktorët e rinj me mundësi bashkëpunimi me regjisorë të huaj

“Dea open air”: Aktorët e rinj me mundësi bashkëpunimi me regjisorë të huaj

Ka filluar në Tiranë, festivali i gjashtë ndërkombëtar i filmit “Dea open air”. Këtë herë ky festival vjen me risi: e para që po zhvillohet në kryeqytet dhe një tjetër vlerë e shtuar e këtij festivali në këtë edicion është ”Tirana Casting Lounge” ku aktorët shqiptarë mësojnë teorinë dhe praktikën e “casting”-uT dhe më të mirët do kenë mundësi të bashkëpunojnë me regjisorë të huaj.

Drejtori i këtij festivali, regjisori Edmond Topi, shprehet se ”këtë herë zhvillohet takimi rajonal i akademive të filmit, ku pjesë e këtij takimi është akademia e Tiranës, Shkupit dhe Prishtinës. Ky takim bëhet për të konkurruar me njëri-tjetrin për punët e tyre, me ofertën edukative dhe studimore”.


”Këtë vit në festivalin e Tiranës ne vendosëm të bëjmë diçka të veçantë me idenë e gjetjes së aktorëve nga Ballkani dhe lidhjen e tyre me regjisorë dhe producentë nga Gjermania me qëllim që ata të bashkëpunojnë. Për të pasuruar filmat tanë ne na duhen aktorë të denjë”, shprehet Klemens Ehrbach.

Anja Dierbach, regjisore gjermane shton se, ”do të marrim disa pamje filmash për t’i çuar në vendin tonë me qëllim për t’i përdorur talentet nga Shqipëria për projekte të tjera. Ne jemi kuriozë të takojmë aktorë të rinj të cilët nuk i kemi parë më përpara”.

Me rreth 70 filma të huaj, por dhe prodhime të kinemasë shqiptare, festivali nga data 2-8 maj do të jetë pjesë e jetës artistike në Tiranë. /atsh/