De Biasi krahasohet me Trapattonin, Lippin e Capellon

Gazeta “Corriere della Sera” i ka kushtuar një artikull special trajnerëve me titullin “Nga Giani deri te De Biasi, teknikët italianë që po fitojnë jashtë vendit”.
Në vlerësimin për strategun kuqezi, kualifkimi i tij me Shqipërinë përshkruhej “i pabesueshëm”. Aty citohej edhe 60-vjeçari që e cilësonte “arritjen më të madhe në karrierë”, madje më lart se ngjitja me Modenan nga Seria C në elitën e futbollit italian.
Klasifikimi special përfshin suksese nga futbolli, te volejbolli e basketbolli, për të vazhduar me sporte si çiklizmi apo hokeji. Por, interesant është fakti se emri i De Biasit rendit përkrah disa prej personazheve më të rëndësishëm të futbollit italian.
Nisur nga Giovanni Trapattoni. 76-vjeçari është ndoshta trajneri italian më i suksesshëm i të gjitha kohërave. Tituj kampionë në Gjermani, Portugali dhe Austri por edhe trajner i përfaqësueses italiane dhe i Irlandës.
Në renditje ndodhet edhe Fabio Capello. 69-vjeçari është një ekspert i klubeve, duke triumfuar me Milanin, Juventusin, Romën dhe Real Madrid. I pafat në punën me ekipet përfaqësuese, fillimisht me Anglinë dhe më pas me Rusinë, ku gjithmonë është kualifikuar në Kupën e Botës, por pa i ndihmuar skuadrat të shkëlqejnë.
De Biasi ndodhej edhe përkrah një emri si Marcello Lippi. Kampion i Serisë A me Juventusin dhe kampion bote me Italinë. Në karrierën jashtë vendit ka punuar në Kinë: dy vjet me Guangzhou, duke koleksionuar tre tituj dhe një Champions aziatike.
Nuk mund t’i mungonte listës edhe Sergio Scariolo. Trajneri italian më i suksesshëm në basketboll, që prej vitit 1990 në stolin e Spanjës ka fituar tre tituj Evropianë dhe një medalje argjendi në Lojërat Olimpike.

















































