LAJMI I FUNDIT:

Dashuria e parë mban mend edhe urrejtjen e parë!

Ngase është hera e parë është edhe dashuri që vezullon. Dashuri mund të kemi edhe herëve tjera, porse herët tjerë këtë herë nuk janë të parat. Mbase po të ishin në shumës “dashuri të para” atëherë nuk kemi të bëjmë me dashuri të parë, por me dashuriçka tashmë të rrjepura.

Çasti i parë në kuptimin e përgjithshëm, gjithmonë dhe gjithherë do mbetet i paharruar, qoftë për mirë a për keq. Të kesh sukses në dashurinë e parë dhe të vërtetë, do të thotë ta kesh siguruar normalitetin dhe lumturinë e jetës së mëtutjeshme, madje edhe atë të përbotshmen. Ndërkaq, urrejtja e parë do shoqërohen me një vazhdimësi të pafundme të tillë (urrejtëse), qoftë edhe nëse në ndërkohë, ndryshojnë qëndrimet. Për nga natyra, njeriu është i prirë të falë, ngase kjo cilësi është prej cilësive të Krijuesit të tij. Edhe pas faljes, në mendjen e njerëzve të sodit, përshtypja e takimit apo veprimit të parë, vështirë është të harrohet, për të mos thënë se si e tillë mbetet shumë gjata, ndoshta më gjatë se jeta e vet njeriut në tokë.

Përgjithësisht, ne shqiptarët përshtypjen e parë të dashurisë së mirëfilltë ndaj shtetit, vetëm njëherë në jetë arritëm ta përjetojmë. Atëherë pra kur u shpallë Shqipëria e pavarur! Mbase, kjo dashuri e përjetuar përherë të parë si liridashës dhe ushtrues të lirisë në shtetin dhe shtëpinë tonë, ndër neve jashtë avllisë së saj, mbajti ndër vite kohezionin kombëtar në të gjitha trevat shqiptare. Nuk na u shua në asnjë çast, etja dhe dashuria për atdheun dhe mëmëdheun Shqipëri. As atëherë kur komunizmi e veçoi me mbyllje këtë vend prej vlerave të shëndosha që natyrshëm duhet t’i kishte çdo qenie njerëzore!

Gjithsesi, përshtypja ndaj këtij vendi ishte tejet e ëmbël dhe si e tillë do mbetet përgjithmonë. Copëtimi i shqiptarëve nga ana e fuqive të pafuqishme për të prerë drejtësi, na bëri të mundur ta përjetojmë, edhe urrejtjen e parë, ndaj një armiku të ri, që njihej si sllav e tani që njihet si serb e maqedonas dhe si e tillë, besoj që do mbetet shumë gjatë apo përgjithmonë në këtë përkohshmëri, edhe pse nuk ia dua një gjë të tillë vetës dhe atyre që vijnë pas nesh.

Në truallin që ishte futur gjarpri në kopsht, teksa kënaqeshim duke i soditur fëmijët tanë duke lozur me ngazëllim në atë kopsht, në vazhdimësi u loz me dinjitetin, identitetin dhe qenësinë tonë. Shpeshherë prej serbëve e maqedonasve, cilësoheshim si fatkeqësi e tyre. Madje, në saje të kësaj, sot serbët arritën të cilësohen si viktimë në luftën e Kosovës, madje ende pa dhënë shpagimin ata u shpërblyen duke i siguruar serbeve në Kosovë të drejta që edhe shkenca e së drejtës pozitive ende sa duhet nuk i njeh këto të drejta. Ndërsa, fatkeqësi e vërtetë e këtij trualli ishin mu këta faqezi e hijerëndë.

Megjithëkëtë, Serbia, në saje të aktrimit të rolit të viktimës, pohon se arriti t’i mbrojë serbët në Kosovë, thuajse ata kishin qenë të pambrojtur! Tani serbët mund të jenë të pakënaqur, sepse do t’i ngushtohet rrethi i të ardhurave financiare. Para kësaj marrëveshje, serbët merrnin rroga nga Kosova dhe nga Serbia. Tani, meqë pranuan të jetojnë nën flamurin “e të gjithëve dhe të askujt, me një historik pa histori dhe me një kuptim të pakuptueshëm edhe për vetë ‘Marigonën’ dhe ata që e pranuan si flamur shtetëror”, do të detyrohen t’i pranojnë vetëm pagat që Kosova ia jep, tashmë si shtet i pranuar prej serbeve të Kosovës, por jo edhe prej Serbisë.

Këta edhe pse disa herë u përballën me falimentimin shumëdimensional, plandosje kjo e krijuar po nga dora e tyre, sërish nuk u mbushën me mend. Madje tani doli se kjo këmbëngulje, nguli filiza në kopshtin tonë me gjarprin mysafir të mbuluar me fletë të gjelbra. Fëmijët tanë mund ta duan kopshtin, por nëse dikur do të merrnin vesh se gjarpri kishte qenë i strukur aty brenda, atëherë ata do ta urrejnë të kaluarën dhe kopshtin, si dhe gjarprin do ta mbajnë mend si një krijesë të aftë dhe të mëshirshme. Të aftë ngase kishte qenë për vite të tëra në kopsht dhe askush nuk e kishte hetuar dhe të mëshirshëm, sepse asnjë fëmijë nuk e kishte kafshuar, edhe pse një mundësi të tillë lehtas mund ta jetësonte.