LAJMI I FUNDIT:

Dalja nga moratoriumi evropian

Dalja nga moratoriumi evropian
Ilustrim

Demush Shasha

Ndonëse mburremi si “evropianë” dhe se BE-ja është “fati ynë”, fakti që ende jetojmë në një vend ku asnjë ministër asnjëherë nuk është shkarkuar për shkak të dështimit për të avancuar një reformë evropiane, tregon çdo gjë për vullnetin tonë politik për integrim evropian. Tani e një kohë të gjatë, procesi integrues i Kosovës është joekzistent. Nëse do të kisha zgjedhur një moment të caktuar prej kur procesi integrues i Kosovës ka hyrë në moratorium, ai do të ishte viti 2016.


Viti 2016 ishte zenit i procesit të integrimit. Atë vit Kosova arriti dy momente kulmore në rrugëtimin e saj integrues: liberalizimin e vizave dhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Në muajin maj 2016, Komisioni Evropian propozoi liberalizimin e vizave për Kosovën, së bashku me liberalizimin e vizave për Ukrainën dhe Gjeorgjinë. Ishte përgjithësisht e pritur që nëse Kosova ratifikon demarkacionin, atëherë liberalizimi i vizave ishte çështje e garantuar.

Sot të gjithë e dimë si përfundoi kjo çështje. Nga ana tjetër, në muajin prill 2016 hyri në fuqi Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit mes Kosovës dhe BE-së. MSA-ja vendosi themelet juridike, politike dhe ekonomike të procesit integrues të Kosovës.

Pas këtyre dy momenteve, procesi integrues i Kosovës filloi një kurbë të gjatë të rënies së lirë. Liberalizimi i vizave u shndërrua nga një storie e gëzimit evropian, në tragjedinë e dhimbshme kosovare. Me ngecjen e liberalizimit të vizave, ngeci edhe apetiti politik i Kosovës për ndërmarrjen e reformave strukturore të parapara me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

Nëse në vitin 2016 për politikanët çështjet sikur liberalizimi i vizave dhe integrimi evropian ishin asete propagandistike për fushatat zgjedhore, në vitin 2023 ato janë tema toksike që duhet shmangur. Kësisoj, dalëngadalë procesi i integrimit evropian hyri në moratorium. Prandaj, edhe vendimi për mbylljen e Ministrisë së Integrimit Evropian nuk ishte për askënd befasi. Ishte përfundim logjik i një gjendjeje atrofike të vetë procesit integrues.

Ndërkohë, piedestalin dhe fanfarën e procesit integrues e zuri dialogu me Serbinë. Kësisoj dialogu u shndërrua në temën më të rëndësishme politike të vendit. Ai ishte arsyeja për rënien dhe ngritjen e çdo qeverie. Ai vazhdon të jetë konsumues i vëmendjes kryesore politike dhe publike të vendit. Kjo është edhe arsyeja përse ironikisht në Kosovë më i njohur është përfaqësuesi i veçantë i BE-së për dialogun, z. Lajçak, sesa komisioneri për zgjerim, z. Varhelyi.

Kjo është edhe arsyeja përse ironikisht z. Besnik Bislimi është më i njohur për dialog sesa për integrim evropian. Me politikanët të zënë me dialogun, integrimi evropian ngeli në mëshirën e “grupeve punuese”. Reduktimi i procesit integrues në detyrat burokratike dhe administrative, siç është raporti për vendin dhe takimet e nënkomiteteve të MSA-së, nuk mund të zëvendësojë vullnetin politik për anëtarësimin tonë në BE. Aty ku nuk ka vullnet politik, “grupi punues” nuk mund të ndihmojë.

Në gjithë këtë sfond lind pyetja se çfarë mund të bëhet për të kthyer vëmendjen drejt reformave thelbësore të procesit integrues. Fillimisht duhet njohur faktin se dialogu do të vazhdojë të jetë parakusht për çfarëdo avancimi të rrugës integruese të vendit. Pa progres në dialog nuk mund të këtë progres në integrimin tonë evropian. Për shembull, është naive të mendosh se BE-ja do të konsiderojë seriozisht aplikimin e Kosovës për statusin e vendit kandidat, pa progres në kuadër të dialogut. Këtë fat do ta këtë edhe aplikimi ynë për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Dhe, përderisa dinamikat e dialogut janë tërësisht jashtë ndikimit tonë, janë disa gjëra që patjetër ngelin në prerogativën tonë. E para: roli i Kryeministrit në kuadër të integrimit evropian. Kryeministri Kurti shpesh flet për “vlerat evropiane”, por jashtëzakonisht rrallë për “reformat evropiane”. Ai shpesh flet për rëndësinë e BE-së si “fati ynë”, por jashtëzakonisht rrallë për “obligimet tona” në kuadër të këtij fati.

Në këtë drejtim, përderisa ligjërimi metafizik për rëndësinë e BE-së nga ana e kryeministrit është i mirëseardhur, po kaq i domosdoshëm është angazhimi i tij për avancimin e këtij vizioni. Dhe, kjo kërkon angazhim praktik politik, jo ligjërim metafizik publik. Kjo kërkon vëmendje politike për reformat evropiane dhe llogaridhënie për ngecjen e atyre reformave. Ende jetojmë në një vend ku asnjë ministër asnjëherë nuk është shkarkuar për shkak të dështimit për të avancuar një reformë evropiane.

Ky është “litmus testi” i vullneti politik. Fjalime të bukura çdo qeveri është e aftë të prodhojë, por dallimi në mes qeverive serioze dhe atyre joserioze bëhet në akte të guximshme politike. Përderisa dialogu patjetër do të vazhdojë të ngelet prioriteti numër një në rrugën tonë integruese, pyetja ngelet çfarë janë duke bërë pesëmbëdhjetë ministra të tjerë të Qeverisë në fushën e integrimit evropian? Çfarë reforme madhore arritën të jetësojnë ata në këta dy vjet e gjysmë?

Mungesa e përgjigjes në këtë pyetje është shurdhuese. Por, në fund fare, kjo nuk ka të bëjë me ministrat individualë. Përgjegjësinë përfundimtare e mban kryeministri. Dhe, në këtë drejtim, ajo çfarë procesi integrues i vendit ka nevojë është vëmendja e kryeministrit. Në termat praktikë, kryeministri duhet të përcaktojë nga tri reforma kyç evropiane për çdo ministër të tij. Ai duhet të monitorojë zbatimin e këtyre reformave nga afër. Kjo nënkupton aktet publike dhe politike të komunikimit për rëndësinë e këtyre reformave, por edhe punën jopublike dhe burokratike për jetësimin e këtyre reformave. Ministrat duhet të kuptojnë se dështimi për jetësimin e këtyre reformave nënkupton përfundimin e mandatit të tyre ministror.

E dyta: fuqizimi administrativ i procesit integrues. Asnjë vullnet politik nuk mund të materializohet pa ekspertizën e nevojshme teknike. Për këtë qëllim, Qeveria ka në dispozicion shërbimin civil. Sidoqoftë, prej kohësh kapaciteti administrativ për integrim evropian është venitur. Copëzat e asaj që ka qenë MIE i janë bashkangjitur Zyrës së Kryeministrit si një trup i huaj administrativ, pa asnjë lidership strategjik dhe organizim struktural institucional. Sot, Kosova është i vetmi vend në rajon që nuk ka një strukturë të veçantë administrative përgjegjëse për procesin integrues. Cilësia e çdo institucioni është stafi i saj, jo sigla që përdorin apo ndërtesa ku janë të vendosur.

Dhe, përderisa një pjesë e konsiderueshme e stafit të ish-MIE-së nuk është më pjesë e institucioneve, shumë pak është bërë për të rekrutuar stafin e ri dhe për të vazhduar ngritjen e kapaciteteve të stafit ekzistues. Gjendja e ngjashme mbretëron në nivelin ministror. Kjo gjendje duhet të ndryshojë urgjentisht. Qeveria duhet të njohë rëndësinë e një qendre të fuqishme administrative burokratesh, të cilët do të janë të aftë të jetësojnë vizonin e saj për avancimin e reformave evropiane. Pa ngritjen dhe fuqizimin e kësaj garde pretoriane të integrimit evropian zotimet për BE-në si “fati ynë”, do të ngelin përgjithmonë në domenin e metafizikes.

E treta: komunikimi publik. Prej kohësh politikanët e Kosovës kanë hequr dorë nga aktivitetet e komunikimit publik për procesin e integrimit evropian. Kjo është edhe arsyeja përse nuk i keni parë as presidenten, as kryetarin e Kuvendit dhe as kryeministrin pjesë të ndonjë aktiviteti kreativ publik për komunikimin e procesit të integrimit evropian. Kjo nuk duhet të jetë kështu. Procesi integrues është literalisht kudo rreth nesh: nga cilësia e ushqimit që konsumojmë dhe lodrat e fëmijëve, me të cilat ata luajnë, e deri te shërbimet komunale që pranojmë dhe produktet industriale që eksportojmë. Është e pamundshme të gjesh një aspekt të jetës sonë, i cili në një mënyrë ose tjetrën nuk është i ndikuar nga procesi ynë integrues.

Por, ndoshta mundësia më ideale e komunikimit publik të procesit të integrimit evropian do të jetë 1 janari 2024 dhe momenti i liberalizimit të vizave. Ky moment do të jetë mundësi e shkëlqyer për të komunikuar vlerat dhe idealet e BE-së. Thonë se idetë e mira ia vlen të kopjohen. Kësisoj nuk është turp të mësojmë nga fqinji ynë verior. Me rastin e liberalizimit të vizave qeveria e Serbisë, pas nominimit publik ka bërë përzgjedhjen e 50 qytetarëve të cilët nuk kanë pasur mundësi financiare të udhëtonin në Evropë, por të cilët kanë dëshmuar veti të jashtëzakonshme fisnike në jetën e tyre.

Një lloj “qytetari hero”. Në mesin e tyre ishte një nënë vetushqyese, e cila ka rritur tre fëmijë dhe ka kryer fakultetin, një zjarrfikës hero, disa studentë brilante dhe shembuj të ngjashëm të fisnikërisë qytetare. Me të gjitha shpenzimet e mbuluara ata përjetuan për herë të parë Brukselin, Romën, Berlinin dhe Parisin. Gjatë muajve në vijim aktivitetet sikur këto do të jenë mjete të shkëlqyera të komunikimit të procesit të integrimit evropian.