LAJMI I FUNDIT:

Ç’po ndodhë në Kosovë?!

Qenka tejet trishtuese kur njeriu sheh në këtë gjendje popullin e vet. Një popull të tërë që nga skamja dhe mjerimi i padurueshëm, ka mësy të ikë dhe një orë e më parë ta lë atdheun e tij, nën mallkimin që i sollën ata që nuk do duhej. Ndoshta u bë mjaft për këta njerëz të cilët padrejtësisht që sa kohë ushqehen me dezinformata zbukuruese, kurse gjërat nuk shkuan asnjëherë në rrugën e duhur dhe drejtimin në të cilin shqiptarët besonin.

Atyre tanimë, nga zhgënjimet e njëpasnjëshme, mjerisht u është bërë i pamundur qëndrimi në atdhe. Vrojtimi indiferent ndaj korrupsionit, nepotizmit, keqpërdorimit të demokracisë, pasurimit marramendës të pushtetarëve dhe varfërisë trishtuese të popullsisë, kanë filluar ta kërcënojnë jetën e tyre dhe sigurinë tonë kombëtare, e cila i detyron njerëzit e dëshpëruar në ikje të pa kthim.


Se kjo gjendje do të shkojë kaq larg dhe deri në këtë ditë sa të kërcënoi me zbrazjen e vendit dhe ç`shqiptarizimin e atdheut, këtë nuk e ka pritur askush. Mirëpo, të vazhdojë edhe më tej, që ky vend i sjellë në këtë skamje marramendëse dhe varfëri të skajshme deri në vdekje klinike, të udhëhiqet nga pushtetarë milionerë dhe deputetë të katapultuar aksidentalisht në Kuvend me vota të vjedhura, kurse shqiptarët – në shenjë proteste – ta lëshojnë tërësisht të heshtur vendlindjen e tyre… fatkeqësi më të madhe për këtë popull nuk mund të ketë.

Jo vetëm pushtetarët, por edhe opozitarët shihet se nuk janë aty për të shprehur zërin e votuesve të zhgënjyer, por për votimin pa kundërshtime të të gjitha planprogrameve të qeverisë, ashtu siç ajo i do dhe paraqet para tyre.

"Përfaqësues" të tillë keqpërdorin në mënyrë mjeshtërore sinqeritetin dhe durimin e këtij populli, duke punuar me hile në emër të tij, dhe pa asnjë përkushtim për interesin e vendit dhe aspiratave të atyre që ranë për lirinë e Kosovës.

Sjellja e tillë është edhe çështje e identitetit kombëtar, dinjitetit personal dhe edukimit njerëzor jo vetëm të deputetëve, por edhe votuesve të heshtur që nuk bëzajnë para asnjë padrejtësie ndaj tyre dhe vendit ku jetojnë, madje as para përpjekjeve të fundit antikombëtare për amnistimin në "paket" të të gjitha krimeve, kriminelëve dhe të inkriminuarve në çfarëdo vepër penale.

Më kotë shqiptarët shpresuan gjatë gjithë kohës se gjërat do të ndryshonin për të mirë. Fatkeqësisht as pas 14 vitesh çlirimi, nuk ka kthim nga e mbara. Përkundrazi, vendi po mbytet nga korrupsioni, skamja, varfëria dhe pasiguria totale, ndaj edhe njerëzit kanë marrë arratinë duke ikur me "cuc e me mic" me krejt çka kanë dhe si munden, nga varfëria tmerruese që pushtetarët dhe të gjitha partitë politike bashkë ditën t’i sillnin atdheut.

Asnjë vend në botë nuk mund të ecë përpara, nëse pushtetarët e tij nuk njohin zanat më të mirë sesa gjatë gjithë kohës së qëndrimit në pushtet të mbjellin korrupsion dhe prodhojnë varfëri e skamje, që ia zë frymën këtij vendi dhe dëmton me të madhe imazhin e Kosovës. Shihet se fare nuk është breng e tyre kjo, siç nuk brengosen për dhjetëra autobusët e mbushur me shqiptarë hallexhinj, që brenda dite largohen nga Kosova.