LAJMI I FUNDIT:

COVID-19 dhe Mjekimi Intensiv

COVID-19 dhe Mjekimi Intensiv

Njësia e Mjekimi Intensiv, Reanimacioni ose Shok Dhoma, janë sinonime të të njëjtës njësi, e cila nënkupton vendin për trajtimin e të sëmurit me sëmundje ose gjendje (insuficienca respiratore, gjendje shoku, politrauma etj) jetëkërcënuese

Prof. Ass. Rexhep R. Gjyliqi, MD
Specialist i Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv


Të sëmuret e tillë, manifestojnë disfunksion të ndonjë organi apo grupi organesh, nuk kanë në dispozicion rezerva për kundërvënie sëmundjes dhe mund t΄i nënshtrohen komplikimeve të ndryshme.

Dështimi i një sistemi organesh shpie në dështim të sistemeve tjera. Për shkak të mundësisë së zhvillimit të komplikimeve, gjendja e tyre duhet përcjellur në vazhdimësi. Njësitë e mjekimit intensiv mundësojnë trajtim më kualitativ të të sëmurit dhe lehtësim të kryerjes së punëve nga personeli shëndetësorë.

Vetë hyrja në hapësirat e mjekimit intensiv imponon një ndjenjë frike dhe respekti njëkohësisht. Frikë nga vetë pamja e pacientëve të rëndë, nga mosnjohuritë mbi zhvillimet aty, respekt ndaj të sëmurëve kritik organizmi i të cilëve lufton për të mbijetuar dhe personelit shëndetësorë të cilët kanë njohuri dhe forcë që të ballafaqohen me këto sfida.

Puna e tyre është ecje nëpër “tehun e shpatës” për të arritur në cak, për të arritur shërimin e të sëmurit.

Historiku

Njësitë e Mjekimit Intensiv u themeluan dhe u zhvilluan si rezultat i nevojës për trajtim dhe përkujdesje të të sëmurit ose të lënduarit akut në gjendje jetëkërcënuese. Organizimi i njësive të tilla mundësonte trajtim më kualitativ të të sëmurëve, organizim më cilësorë si dhe punë më efikase të personelit shëndetësorë.

Mjekimi intensiv fillet e para i ka nga njësia e W.E.Dandy, njësi me tre shtretër, e hapur për trajtimin e të sëmurëve neurokirurgjik pas ndërhyrjes kirurgjikale në Johns Hopkins Hospital në Baltimore.

Gjatë luftës së dytë botërore u formua numër i madh i të ashtuquajturave,,shok dhoma” për trajtimin e ushtarëve të plagosur në gjendje të rëndë, të sëmurë rëndë ose trajtimin pas ndërhyrjeve kirurgjikale.

Në periudhën mes viteve 1947-1950, gjatë epidemisë së poliomielitit në Evropë dhe SHBA, u krijuan njësi ku trajtoheshin të sëmurët nga poliomieliti. Për shkak të paralizës së muskujve respiratorë dhe pamundësisë së marrjes frymë, të sëmurët duhej ventiluar. Në Danimarkë u organizuan njësi ku ventilimi bëhej në mënyrë mekanike, me duar.

Epidemia e poliomielitit qoi në hapjen e shumë qendrave respiratore në Evropë dhe SHBA.

Në vitet 1940-1950 u punuan pajisjet e para për ventilim të mushkërive të ashtuquajturat “mushkëritë e hekurta” dhe kështu u formuan njësitë respiratore të mjekimit intensiv në shumë vende evropiane dhe në SHBA.

Trajtimi i një numri të caktuar i të sëmurëve në njësi të veçanta lehtësoi përkujdesjen dhe trajtimin e të sëmurëve,por njëkohësisht edhe lehtësoi punën e personelit shëndetësorë.

Ventilatori me presion negativ (mushkëria e hekurt)

Ventilatori i tipit Tanker dhe Shaw (1929) ishte nga makinat e para me presion negativ të përdorur gjerësisht për ventilim mekanik. Në këtë cilindër i sëmuri futej deri në qafë.

Në SHBA, në vitin 1958, rreth 25% e spitaleve me mbi 300 shtretër kishin të organizuar njësinë e mjekimit intensiv.

Mjekimi intensiv bashkëkohorë merret me trajtimin e të sëmurëve kritik, të cilëve u është rrezikuar jeta dhe ata të cilët janë me funksione vitale të stabilizuara por në çdo kohë mund të vie deri te përkeqësimi i këtyre funksioneve.

Të sëmurët e rëndë kërkojnë mbikëqyrje, kujdes dhe mjekim të vazhdueshëm. Mjekimi intensiv, trajtimin e bën në njësitë e mjekimit intensiv, ku punojnë profesionistë mjekësorë të specializuar të cilët gjatë punës së tyre shfrytëzojnë pajisje speciale për trajtim dhe monitorim të një numri të funksioneve jetësore si shtypjen arteriale, frymëmarrjen, funksionin e veshkave si dhe aplikimin e intervenimeve urgjente invazive dhe joinvazive.

Njësia e Mjekimit Intensiv

Këto njësi janë të organizuara sipas profilit të sëmundjeve që trajtohen në atë njësi (njësia intensive neurologjike, internistike, kardiologjike, sëmundjeve ngjitëse, kirurgjike), por mund të jetë edhe e kombinuar ku trajtohen patologji nga më të ndryshmet kryesisht të sëmurët që kanë nevojë për përkrahje respiratore.

Përkrahja respiratore bëhet përmes disa pajisjeve të posaçme të cilat mundësojnë ventilimin (ajrosjen) e mushkërive në situatat kur i sëmuri ka problem ose nuk mund të marrë frymë vetë, të cilat quhen ventilatorë.

Në praktikën e përditshme mjekësore dhe literaturë të disa vendeve e edhe te ne, shpesh përdoret edhe termi respirator. Por në shumë vende e sidomos në ato anglishtfolëse termi respirator nënkupton një maskë që mbulon (mbërthen) gojën dhe hundën dhe filtron grimcat e ajrit gjatë frymëmarrjes.

Ventilatori mekanik

Ventilimi mekanik është një lloj i ventilimit artificial i cili realizohet përmes një pajisjeje mekanike e cili ndihmon ose zëvendëson frymëmarrjen spontane vetanake. Ky lloj ventilimi mundëson shkëmbimin artificial të gazrave. Mund të jetë invaziv, kur në rrugët e frymëmarrjes plasohet një gyp (realizohet intubimi) ose përmes një vrime të hapur nga jashtë dhe vendosjes së një kanule (traheostoma) dhe, joinvaziv kur ventilimi bëhet përmes një maske të vendosur në fytyrë ose në hundë.

Krahas shume sëmundjeve të cilat mund të komplikohen dhe të përkeqësojnë gjendjen e të sëmurit, edhe COVID-19 e shkaktuar nga Virusi i ri Corona, mund të qojë në komplikime dhe të kërkojë trajtim intensiv të të sëmurit.

Ndër komplikimet më të rënda, e ndoshta është më i rëndi i sëmundjes COVID-19 është inflamacioni mushkëror apo pneumonia.

Ky komplikim shoqërohet me ndryshime të rënda inflamatore në njësinë themelore të mushkërive të quajtura alveole (qeska të vogla), aty ku bëhet shkëmbimi i gazrave, oksigjenit dhe dyoksidit të karbonit. Alveolat mbushen me lëng, dëmtohet muri alveolar, strukturat alveolokapilare dhe kështu pamundësohet shkëmbimi i gazrave. Pamundësohet lënia e dyoksidit të karbonit dhe marrja e oksigjenit nga gjaku që qarkullon nëpër muret e këtyre alveolave. Kjo shpie në rritje të përqendrimit të dyoksidit të karbonit në gjak dhe ulje të përqendrimit të oksigjenit.

Sëmundja COVID-19 është sëmundje që sulmon traktin respiratorë dhe atë rrugët e sipërme më shpesh e më rrallë rrugët e poshtme duke shkaktuar pneumoni.

Pneumonia e shkaktuar, mund të shpie në pamjaftueshmëri respiratore, pra në gjendjen kur organizmi i të sëmurit përmes frymëmarrjes vetanake nga lodhja e muskujve respiratore, rritja e përqendrimit të dyoksidit të karbonit, konfuzioni, çrregullimet acidobazike, nuk mund të plotësojë nevojat e veta për oksigjen dhe nuk mund të largojë dyoksidin e karbonit.

Në këto rrethana, detyrimisht, personi duhet të vendoset në ventilim mekanik. I sëmuri intubohet dhe lidhet për aparatin e quajtur ventilator në përpjekje për të ndihmuar ajrosjen e mushkërive.

Asnjë mënyrë e ventilimit mekanik nuk mund të shërojë sëmundjen, por korrigjon problemet e shkaktuara nga pamjaftueshmëria respiratore. Vendosja në ventilator merret në konsideratë vetëm atëherë kur asnjë ndërmarrje tjetër nuk ndihmon për të parandaluar prishjen e afërt të funksioneve fiziologjike dhe mbajtur jetën.

Shumica e njerëzve të prekur nga Virusi i ri Corona, përjetojnë simptoma të buta, rreth 6% kanë nevojë për trajtim spitalor dhe një përqindje akoma më e vogël për ventilim mekanik (kyçje në ventilator).

Ventilatorët janë thelbësorë për të shpëtuar jetën nëse masat e distancimit social dhe izolimet në komunitet nuk e pengojnë rrjedhën e të sëmurëve nga COVID-19 drejt njësive të mjekimit intensiv. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Shëndetësi
Kalo në kategori