LAJMI I FUNDIT:

ConsciESG Lancon Platformën e Saj ESG në Prishtinë

ConsciESG Lancon Platformën e Saj ESG në Prishtinë

ConsciESG, një start-up që operon në fushën e ESG (Environmental, Social & Governance) Fintech e fituese e disa çmimeve ndërkombëtare në këtë fushë, e themeluar nga dy vajza shqiptare, po lancon platformën e saj globale të qëndrueshmërisë në Ballkanin Perëndimor, duke filluar me eventin e tyre lancues të parë në Prishtinë më 16 nëntor.

Viti i kaluar, që nga krijimi i ConsciESG, është karakterizuar nga arritje të rëndësishme të inovacionit, duke filluar me një çmim nga UNDP Boost si Gratë më Inovatore të  Europës e Azisë Perëndimore në vitin 2022, deri te mbyllja e investimit të tyre të parë në qershor 2023 nga fondi Kroat VC, Fil Rouge Capital.

Në nivel global, ConsciESG konkurron me një model shkencor që  mat e ndjek progresin e kompanive drejt targetave ESG, i cili mbulon të gjithë “supply chain” dhe një algoritëm optimizimi portofoli automatik që mundet të modernizojë menaxhimin e portofoleve ESG për menaxherët globalë të aseteve që duan të ofrojnë të dyja, të ardhura financiare e impakt.

Në mars të vitit 2023, ConsciESG u përzgjodh të bashkohet me programin prestigjioz në SHBA, Fintech Sandbox, i cili lidh start-up-et më të premtueshme në rritje me rrjetin e tyre të madh të partnerëve të datave. Në bashkëpunim me partnerët e njohur të të dhënave në nivel global, Morningstar (kompania mëmë e Sustainalytics), Dow Jones dhe Factset, ConsciESG testoi performancën e modelit të tij të vlerësimit të progresit me 3000 firma globale të listuara në bursë. Rezultatet ishin shumë premtuese, duke vërtetuar potencialin e madh të modelit ConsciESG për të ofruar atë që quhet “the holy grail” në fushën e investimeve ESG, alfa.

Alfa është një tregues financiar i aftësisë së një portofoli për të tejkaluar referencat financiare të njohura. ConsciESG zbuloi se një portofol financiar i ndërtuar duke përzgjedhur 1% të kompanive më progresive sipas ConsciESG nga 3000 kompanitë aktuale në studim, ka tejkaluar referencën S&P 500, me një alfa prej +19%.

Bashkëthemelueset vijnë me një vizion të qartë për kompaninë që nga fillimi. ConsciESG duhej të ndërtohej për të mbiperformuar konkurrentët e tij globalë dhe dijet e fituara globalisht duhet të ktheheshin në rajonin tonë, për të ndihmuar kompanitë rajonale të shndërrohen në shembuj të qëndrueshmërisë globale, për të performuar mbi konkurrentët e tyre, për të fituar tregje më të mëdha edhe për të pasur ekspozim ndaj mundësive më të mira të investimeve, që mund të shndërrojnë komunitetin biznesor rajonal në një bastion të qëndrueshmërisë.

Aktualisht, ConsciESG është një partner i licencuar i Global Reporting Initiative (GRI), është duke finalizuar partneritetin e tij me EDCI (Iniciativa për Konvergjencën e të Dhënave ESG), një partneritet i hapur i kapitalit privat për raportimin dhe zbatimin ESG dhe është duke zhvilluar një seri modulesh trajnuese me Drejtoreshën e Programit të Masterit në Qëndrueshmërinë e Bizneseve te Georgetown University. Modulat janë duke u ndërtuar për të ofruar njohuri e zgjidhje praktike organeve qeverisës privat edhe publik në fushën ESG.