LAJMI I FUNDIT:

Çmimi i rrymës në rajon pritet të shënojë rritje

Çmimi i rrymës në rajon pritet të shënojë rritje

Çmimi i energjisë elektrike për biznese në Kroaci ka shënuar rritje këtë vit, derisa rritje të ngjashme për vitin 2019 janë paralajmëruar dhe në Serbi prej rreth 20%, dhe Bosnje dhe Hercegovinë prej rreth 15%. Në të njëjtën kohë, çmimi i energjisë elektrike në Rumani do të shënojë rritje deri në 40%, raporton Balkan Green Energy News.

Kompani të ndryshme të furnizimit në rajon theksojnë rritjen e çmimit të energjisë në berzë si një prej arsyeve kryesore të rritjes së çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët fundor.

Të dhënat nga SEEPEX për shkëmbimin e energjisë elektrike në Serbi tregojnë se në fillim të vitit, çmimi i energjisë elektrike ishte rreth 50 euro për megavat orë derisa për momentin, çmimi për megavat orë në të njëjtin vend ka arritur në 70 euro.

Trend i rritjes së çmimit të energjisë elektrike është shënuar edhe në tregun Hungarez të shkëmbimit të energjisë (HUPX), ndër tregjet më të preferuara nga furnizuesit në rajon.

Sipas Eurostat, Kosova ka çmimin më të ulët të energjisë elektrike në Evropë, pas Ukrainës. Për shkak të problemeve në vend me prodhimin e energjisë elektrike, rreth 22% e energjisë së konsumuar në vend vie nga importi, edhe pse vendi llogaritet i pesti në botë për nga rezervat e linjitit.

Raporte të Bankës Botërore tregojnë se Kosovarët shpenzojnë pak energji elektrike, në krahasim me vendet tjera në rajon. Të njëjtat supozojnë se kjo kërkesë do të rritet jashtëzakonisht shumë në vitet në vijim.

Sipas raporteve, një Kosovar konsumon pak më shumë se 2,000 kWh energji elektrike deri sa mesatarja e konsumit për person sipas OECD duhet të jetë diku rreth 8,000 kWh. Vlerat supozojnë një rritje të madhe të kërkesës në vend për energji elektrike, me qëllim të përmbushjes së mesatares së konsumit për person.

Sipas Bloomberg, edhe në botë kërkesa për energji elektrike pritet të shënojë rritje prej 57% deri në vitin 2050 dhe kjo edhe ka shtyrë investime të shumta në kapacitete të reja të prodhimit të energjisë elektrike. Në Kosovë, kërkesa për energji elektrike vetëm në vitin 2017 kishte pësuar një rritje prej 6.75%.

Pothuajse të gjitha vendet në rajon kanë paralajmëruar termocentrale të reja për t’u ballafaquar me kërkesën në rritje për energji elektrike. Kosova i është bashkuar vendeve të rajonit duke paralajmëruar ndërtimin e termocentralit të ri me kapacitet prej 500 megavatësh.

Sipas strategjisë së tyre energjetike, Serbia planifikon ndërtimin e termocentraleve me kapacitet të përgjithshëm prej rreth 2500 megavatësh, pasuar nga Bosnja dhe Hercegovina me 2480 megavat. /Telegrafi/