LAJMI I FUNDIT:

Çka i ofron pushteti serb, publikut në fushën e filmit?!

Çka i ofron pushteti serb, publikut në fushën e filmit?!

Nga: Adem Nimani

Filmi serb me titullin “Njerëzit e zakonshëm”, është një film thuaja pa dialogje, i xhiruar në kuadro të thjeshta, kryesisht statike, herë-herë edhe pak më të gjata e me montazhe ritmike të baraspeshuara, kryesisht me prerje me gërshërë, me temp të ngadaltë, pra në një mënyrë jo narrative dhe jo dramatike. Ky film tregon e dëshmon një ditë tragjike të njerëzve, në prapavijë të frontit të luftës.


Një grup prej shtatë ushtarësh, me eprorin e tyre, menjëherë pasi kanë ngrënë mëngjes në kazermë, ngarkohen me detyrë që shpejt të marrin armët dhe të përgatiten për lëvizje. Pas një ore, a një orë e gjysmë të vozitjes me autobus, ata arrijnë në një vend ku nuk kanë qenë kurrë më parë.

Është kjo një kazermë e braktisur, apo ndonjë ndërtesë e ndonjë ndërmarrjeje të falimentuar.  Shkarkojnë municionet që kanë marr me vete, duke mos ditur pse kanë ardhur aty. Shëtisin rreth e përqark. Freskohen me ujë të kroit (është vapë vere), ndërsa “trimi” kryesor fle mbi bar nën hije të një lisi. Arrin edhe një kamion dhe, në total, nga rimorkio e tij shihen duke dal njerëz me rroba civile. Eprori bashkon grupin prej shtatë ushtarësh dhe pasi ua demonstron me të shpejt pikat ku duhet të goditet njeriu, ata duhet të marrin nishan. Pastaj i drejton në një fushë ku presin civilët. Këta ushtarë i pushkatojnë ata civilë që i kishin sjellë me kamion. Ushtarët shtinë dhe ata bien të vdekur përdhe, e ata kthehen mbrapa dhe shkojnë.

E dimë se ata, vetëm para pak minutash as që kishin kuptuar pse i kanë sjellë këtu, e tash kanë vrarë njerëz për të cilët askush nuk ua kanë thënë asnjë fjalë se kush janë ata, se a janë armiq të tyre. Kjo detyrë e pushkatimit përsëritët disa herë gjatë ditës. Në një çast pushkatohen edhe fëmijë 14-15 vjeç.

Në ndërkohë, eprori sjellë shtatë shishe raki dhe ua shpërndan ushtarëve të tij. Arrin kamioni serish me civilë të tjerë të cilët rreshtohen. Ushtarët i dërgojnë në vendin e pushkatimit, i vrasin, kthehen në oborrin e objektit ku janë vendosur, ulen, pinë dhe heshtin. Në makro plan, shohim djersitjen në fytyrat e tyre; iu prishet çehrja.

Arrin kamioni tjetër … Nuk ka dyshim.

Ky krim për shumëçka i përngjan krimit të Ushtrisë serbe mbi boshnjakët në Srebrenicë. Por, autori i filmit e mbulon identitetin e ushtarëve se së cilës armatë i përkasin. Uniformat e tyre nuk kanë ndonjë nishan apo logo si shenjë dallimi. Toponimet janë trilluar, ndërsa emrat personalë të nja apo dy vetave që përmenden, me mbiemra iu përngjajnë serbëve, kroatëve apo boshnjakëve. Pra, regjisori ka pasur kujdes që krimin ta përgjithësoj dhe ta nxjerr nga konteksti konkret.

Me një hap të vetëm të guximshëm të skenaristit e regjisorit, ky do të mund të ishte film serb mbi gjenocidin në Srebrencië, dhe do të mund të shënonte kthesë epokale në politikën e kulturës.

Filmi i Millosh Radivojeviqit me titullin “Si më vodhën gjermanët”, u shfaq premierë me 19 tetor 2011, saktësisht 70 vjet nga dita kur nazistët vranë shumë civilë në Kragujevc, në fshatrat Marshiq, Iliqevo dhe Goroshicë, duke vazhduar të nesërmen në qytetin e Kragujevcit. Ndërsa, më 21 tetor, afër vendit Shumaricë, pushkatojë edhe fëmijë.

Në shtëpinë e një profesori të gjimnazit, në periferi të një fshati serb – që nga filmi mund të ishte vet Kragujevci – oficeri i këmbësorisë naziste, Verner Kraus, i ka zaptuar dy dhoma. Në atë shtëpi, ku i jetojnë gjyshja, nëna, motra e madhe dhe vëllai i madh (axha i tyre është në burg), rritet Aleksandri, fëmijë jashtë kurore, në kujtimet e të cilit – kur ta njohim si burrë në film, në moshën 50 vjeçe – oficeri gjerman Kraus edhe më tutje mbetet fytyra me e dashur, ngase në fëmijëri atij i ka ofruar më shumë dashuri se çdo kush tjetër. Kështu pra, në vitin 1991, Aleksandri e adhuron atë gjerman. Ai nuk e ngatërron përjetimin e tij të dikurshëm personal si fëmijë, që është i sinqertë dhe i bukur, me njohjen e rolit objektiv të atij njeriu si oficer nazist. Vet regjisori e injoron këtë dallim, dhe ky injorim është përpjekje për infantilizmin e publikut dhe të shoqërisë. Kjo përpjekjeje, ka rezultuar e frytshme.

Pra, ekziston kufiri mes pafajësisë fëmijërore dhe përgjegjësisë se të rriturit. Ky kufi quhet pjekuri apo formimi i personalitetit. E mira e mosdijes së fëmijës është e mundshme vetëm për fëmijë.

Është e vërtetë se një oficer okupator mund të shërbejë si shembull në vetëdijen e një fëmije, në mënyrën më të sinqertë, por është papërgjegjësi e skajshme të harrosh (të mos e kujtosh) që jashtë këtij përjetimi fëmijëror ai oficer ishte në shërbim të armikut. Fëmija këtë nuk mund ta di. I rrituri nuk guxon të mos e dijë.

Asgjë nuk do të ishte njollosur nga kujtimi i shkëlqyeshëm i fëmijës, për gëzimin e shoqërimin e sinqertë me njeriun i cili i ofron dashuri, nëse do të dihej se ai njeri – jashtë asaj kohe të cilën e kalon me fëmijën, dhe jashtë asaj hapësire në të cilën qëndron – ishte fajtor për krime, bashkë me shokët, ndaj bashkëqytetarëve dhe bashkëkombëseve të fëmijës me të cilin kalon kohën si prindi më i mirë. Por, ku qëndron oficeri gjithë ditën dhe çka punon në qytetin e okupuar, që sipas të gjitha gjasave në këtë film është Kragujevci. Për këtë autori i filmit hesht e as nuk e thotë as edhe një fjalë të vetme, sikur të ishte pa gojë.

Në trend Kultura

Më shumë
“Një autograf për nipin tim - skllavin tuaj”!

“Një autograf për nipin tim - skllavin tuaj”!

Kulture
Binjaket magjepsëse dhe shkrimtarët e famshëm

Binjaket magjepsëse dhe shkrimtarët e famshëm

Kulture
KATËR GJËRA

KATËR GJËRA

Poezi
EZRA POUND

EZRA POUND

Poezi
DREJTËSIA!

DREJTËSIA!

Fjala+
DUART E NËNËS

DUART E NËNËS

Poezi
Kalo në kategori