LAJMI I FUNDIT:

City planifikon t’i shpenzojë 100 milionë euro për dy yjet e Aston Villës

City planifikon t’i shpenzojë 100 milionë euro për dy yjet e Aston Villës

Pep Guardiola pritet të vazhdojë kontratën me Manchester Cityn dhe sigurisht edhe investimet për ta bërë një skuadër më të fortë.

Trajneri spanjoll synon që në afatin kalimtar të janarit t’i transferojë dy futbollistët më të mirë të Aston Villës, Jack Grealisht dhe Douglas Luiz.


Mediat angleze kanë raportuar se City është duke përgatitur një ofertë prej 100 milionë euro në drejtim të Aston Villës për dy futbollistët.

Grealish ka qenë i jashtëzakonshëm këtë edicion ku në tetë ndeshjet e para ka shënuar pesë gola dhe ka bërë gjashtë asistime.

Për reprezentuesin anglez City është gati të shpenzojë 60 milionë euro.

Ndërkohë spanjolli Pep Guardiola do ta rikthejë brazilianin Douglas Luiz në Etihad Stadium.

22-vjeçari u largua nga City për te Aston Villa në verën e vitit 2019 për rreth 17 milionë euro, por ai tanimë ka bërë ngritje të madhe në karrierë.

Reprezentuesi brazilian që luan si mesfushor defensivë është ndër më të mirët këtë edicion në Ligën Premier dhe City ka gati 40 milionë euro për rikthimin e tij.

Gjithsesi gjashtë herë kampioni anglez nuk do ta ketë fare të lehtë transferimin e këtyre dy yjeve, pasi për Grealish interesohet edhe Manchester United, teksa Douglas Luiz është në shënjestrën e Juventusit dhe Interit. /Telegrafi/