LAJMI I FUNDIT:

Cirku i radhës i Jeremiqit

Jo shumë kohë pas zgjedhjes si kryesues i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (AP të KB-së) Vuk Jeremiq përmes aktiviteteve të tija nxori edhe para botës, në vepër, mendimet e tija fashiste. I frymëzuar nga kujtimet e venitura të krimeve të kryera nga serbët në tërë Ballkanin, dhe injoranca e të huajve për këto krime, kryesuesi aktual i AP-së, Jeremiqi, solli ritmet e këngës më famëkeqe “Marshi në Drinë”, mu në ambientet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Kjo gjë jo vetëm që i irritoi të gjithë popujt që kanë përjetuar gjenocidin e ushtruar ndaj tyre nga fashizmi serb, i motivuar nga ritmet e kësaj kënge, por edhe nënçmoi Kombet e Bashkuar të cilat thërrasin në drejtësi e paqe. Vazhdimi i cirkut të tij kundër njerëzor, e sidomos eksportimi i këtij cirku në OKB, prodhon shaka të keqe të cilën bashkësia ndërkombëtare po e duron.

Cirku i radhës i Jeremiqit ndodhi kur me vetiniciativë propozoi dhe caktoi datën për një debat të hapur në OKB për, siç thotë ai, punën e gjykatave ndërkombëtare të formuara ad hoc. Kjo ftesë për këtë debat poshtëron punën e gjykatave ndërkombëtare, jo se ato nuk duhen kritikuar, por nga fakti se kjo ftesë vije nga njeriu i cili ka kurajuar krimin e bërë nga kombi i tij, ndaj kombeve tjera.


Dyfytyrësia e kryesuesit aktual të AP të OKB-së është e njohur për ne, mirëpo, është për çudi se si bashkësia ndërkombëtare po e lejon cirkun e tij. Ky debat është ftuar të mbahet me 10 prill të këtij viti, mirëpo edhe në ftesat e tija ka tentuar të bëjë hile. Me çdo kusht është munduar t’i shmangë përfaqësuesit e të prekurve direkt nga krimet serbe në rajonin tonë.

Sipas informacioneve, mësojmë se presidenti i Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në Ish-Jugosllavi, Theodor Meron, ka thënë se që të tri gjykatat për krimet e luftës në Hagë nuk do të marrin pjesë në këtë debat. Ambasadori amerikan i ngarkuar për Çështjet e Krimeve të Luftës, Stephen Rapp, gjithashtu i ka thënë Al Jazeeras se ai nuk do të marrë pjesë në diskutim, mirëpo SHBA-të dhe disa vende tjera do të dalin me një qëndrim të përbashkët në mbështetje të drejtësisë ndërkombëtare.

Në diskutimet e bëra kohëve të fundit me përfaqësuesit e viktimave -krime këto të kryera nga shteti prej nga vjen kryesuesi aktual i AP-së – në Kosovë, mësova se asnjë përfaqësues nga vendi ynë nuk do të marrë pjesë në këtë cirk të Jeremiqit.

Ka të drejtë kur thotë zonja Munira Subashiq, drejtuese e Lëvizjes së Nënave të enklavave të Srebrenicës dhe Zhepës, se nuk mund të dëgjojmë të pavërtetat dhe gënjeshtrat të cilat përgatiten, dhe se ne duam ta themi të vërtetën për krimet, kriminelët dhe drejtësinë, mirëpo debati i organizuar nga Jeremiqi nuk është vendi ku meriton të flitet për të vërtetën.

Mos pjesëmarrja e përfaqësuesve nga Kosova në këtë cirk ka peshën më të madhe se sa shkuarja në një debat që nuk ka për qëllim drejtësinë e të vërtetën, por të kundërtën.