LAJMI I FUNDIT:

Cikël i egër: Sindroma e abuzimit të grave në Kosovë dhe Shqipëri

Cikël i egër: Sindroma e abuzimit të grave në Kosovë dhe Shqipëri

Izolimi ndërkombëtar e bën Kosovën “vrimë të zezë” për viktimat e dhunës në familje që ngecin në një cikël diskriminimi dhe standarde të dyfishta.

Ajo thotë se ishte fytyrë e njohur në stacionin policor në jug të Kosovë, ku shumë shpesh ka kërkuar strehë për të shpëtuar nga burri i saj i dhunshëm.

Ishte në të 20-at e hershme kur martesa e saj u shndërrua në një ankth abuzimi. Mes torturave të tjera, ai e kërcënonte me pistoletë. Për shkak se kishte frikë për jetën e saj, një ditë ajo e mori revolen dhe e dërgoi në stacionin policor.

“Polici që më doli përpara qëlloi të jetë shoku i burrit tim”, tha gruaja, sot 31 vjeçe. “Ai më tha që po të isha gruaja e tij, s’do të arrija ta sillja revolen sepse ai do të më kishte vrarë i pari”.

Në fund, ishte kjo që e vrau burrin e saj. Ia preu fytin me brisk.

E ulur në një karrige të ndotur zyre në dhomën e intervistës në burgun e vetëm për gra në Kosovë, në periferi të Lipjanit, në jug të Prishtinës, ajo reflektoi për dënimin prej 12 vjetësh që kishte marrë për vrasje.

Tetë vite e katër muaj i ka bërë në burg, dhe më pak se katër i kanë mbetur.

Gjykatësi ishte shumë i vrazhdë, tha ajo, një grua me qerpikë të trashë me maskara nga trajnimi profesional i bukurisë, të cilin e ka ndjekur në burg. Po gjithë ato vite në dhunë, thirrjet e papërgjigjura për ndihmë?

Sevdije Morina, zëvendës kryeprokurore e shtetit në Prishtinë, e përshkroi dënimin e saj si “dënim normal” që nuk i ka marrë parasysh rrethanat lehtësuese.

“Burri me të vërtetë e ka bërë të vuajë”, tha ajo.

Viktimat e dhunës në familje në Kosovë shpesh janë në mëshirë të një sistemi gjyqësor që dështon t’i mbrojë ato, dhe i mungon mëshira kur dëshpërimi shpërthen në vetëmbrojtje apo hakmarrje, thonë avokatët dhe aktivistët për të drejta të njeriut.

Ashtu sikurse në shoqëri të tjera patriarkale në rajon, diskriminimi dhe standardet e dyfishta ndaj krimeve të dhunshme të burrave dhe grave i përcakton prioritetet e policisë, prokurorisë dhe gjyqësisë së mbingarkuar.

Por Kosova është unike pasi që është e përjashtuar nga instrumentet kyçe të gjyqësisë evropiane për shkak të statusit të saj politik si vend, duke i lënë aktivistët më mundësi të mangëta për ndryshim.

“Ne e quajmë vrima e zezë e Evropës”, tha Hilmi Jashari, Avokati i Popullit në Kosovës institucion i pavarur që mbron interesat publike.

“Kosova është në fakt i vetmi shtet [në Evropë] ky qytetarët nuk mund të shkojnë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg”.

Kosova, shtet me shumicë shqiptare që ka shpallur pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, nuk njihet nga disa shtete, përfshirë Serbinë, Rusinë dhe Kinën.

Kjo do të thotë që Kosova nuk ka arritur të jetë pjesë e Këshillit të Evropës, që mbështet të drejtat civile dhe politike të 47 shteteve anëtare. Gjykata në Strasburg, Francë, është arbitër i Këshillit.

Çka ndodh në Strasburg, ndikon teorikisht se si Kosova e trajton dhunën në familje dhe si i mbron viktimat. Kushtetuta e Kosovës deklaron që ligjet e saj duhet të interpretohen në përputhje me vendimet e Gjykatës.

Por për shkak se Strasburgu nuk ka pushtet t’i shqiptojë dënime Kosovës, parimet e larta kushtetuese rrallë ndikojnë në vendimet që merren në praktikë.

Në vendime të tilla përfshihen anëtarë të një sistemi gjyqësor që i dorëzohen mbingarkesës me lëndë në një nga ekonomitë më të varfra të Evropës.

Ata vendosin se si policia dhe prokurorët veprojnë me raportimet e dhunës në familje edhe nëse gjykatësit lëshojnë urdhra mbrojtës.

Dhe në raste ekstreme ku viktimat i kundërvihen torturuesve të tyre, gjykatësit duhet të vendosin dënime të përshtatshme për vrasëset që vuajnë nga sindromi i personit të abuzuar, një formë e traumës psikologjike e shkaktuar nga abuzimi sistematik.

“Gjykata për të Drejta të Njeriut nuk të pyet nëse ke njerëz apo kushte për ta bërë punën si duhet”, tha prokurorja Morina.

“Të drejtat e njeriut duhet të respektohen dhe kur shkelen, shteti kishte me ra në dy gjunjë me dënimet që i kishte marrë [nëse Kosova kishte me qenë anëtare e Këshillit të Evropës] … Në këtë mënyrë, njerëzit do ta mbanin shtetin të përgjegjshëm”.

Avokati i Popullit, Jashari e citoi Italinë si shembull për një vend që i ka përmirësuar reagimet ndaj dhunës në familje si rezultat i vendimeve të marra me vite nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.

Në një vendim të tillë, në mars, gjykata vendosi që autoritetet italiane kanë dështuar të përkrahin një nënë dhe djalin e saj duke mos vepruar me shpejtësi ndaj ankesave të dhunës së vazhduar në familje që rezultoi me vrasjen e djalit dhe vrasjen në tentativë të së ëmës nga burri.

Protestueset/it në Prishtinë shprehin zemërimin e tyre për vrasjen e Diana Kastratit, 27 vjeçaren e vrarë nga bashkëshorti i saj në vitin 2011 pasi një gjyqtar kishte refuzuar kërkesën për urdhër mbrojtje. Fotografia nga: Amy di Giacomo

Pas dyerve të mbyllura

Në Qendrën Korrektuese për Gra dhe të Mitur në Lipjan, një kompleks me tela gjembash dhe beton e rrethuar me fusha, një grusht grash të dënuara për vrasje të burrave të tyre e përshkruan tmerrin e përjetuar para se ta humbnin kontrollin.

Rregullat e burgut nuk lejuan identifikimin e tyre.

“Ai më rrihte, më torturonte dhe më provokonte me mesazhe dhe thirrje anonime”, tha 45 vjeçarja e dënuar me 11 vjet burg për vrasjen e burrit nga martesa e tyre ‘me mësit’.

Një grua tjetër, 24 vjeçare, vuan dënimin me 13 vjet burg për vrasje. Ajo tha se shtiu në burrin e saj pasi që ai ia sulmoi vajzën.

“Nuk kam dasht me e vra”, tha ajo. “Veç kam dasht me e frikësu.”

Vetëm një numër i vogël i grave shkojnë e vrasin. Burgu i Lipjanit është strehë për 17 gra të dënuara me vrasje; gjashtë për vrasje të partnerëve të tyre.

“Gratë në Kosovë përballen me problem ekonomike dhe sociale”, tha Edi Gusia, kryeshefe ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore, pjesë e zyrës së Kryeministrit.

“Ato janë të papunësuara dhe të varura ekonomikisht, pasi që nuk gëzojnë të drejta pronësore nga prindërit e tyre. Pa strehë, ato ngecin në ciklin e dhunës që në disa raste kanë rezultuar edhe me vdekje të tyre.”

Fatmire Haliti, avokate në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, tha që ligji që i jep Presidentit pushtet diskrecional për falje duhet të përdoret kundër dënimeve tejet të vrazhda për gratë e abuzuara që shtyhen drejt dhunës.

Që nga viti 2010, nga Ligji për Faljen në Kosovë kanë përfituar 86 burra dhe 5 gra për krime të ndryshme.

“Kur i analizon profilet e këtyre grave, e kupton dhunën që ato e kanë përjetuar, rrethanat e tmerrshme në të cilat janë detyruar të jetojnë, dhe motivet prapa veprave të tyre penale,” tha Haliti.

“Shumica e këtyre grave janë nëna fëmijët e të cilave duhet të qëndrojnë në strehimore për fëmijë të braktisur. Krejt këta faktorë duhet marrë parasysh kur zbatohet Ligji për Faljen.”

Heset Loku, drejtor i burgut të Lipjanit, tha që ai mendon se disa prej të burgosurave e meritojnë faljen për shkak të prapavijave të tyre të ndjeshme dhe sjelljes së mirë në burg.

Ministria e Drejtësisë nuk iu përgjigj kërkesës për të komentuar.

Grupet për të drejta të njeriut thonë që statistikat e krimit janë vetëm indikatorë të shkallës së dhunës pas dyerve të mbyllura në një shtet prej 1.8 milion banorë. Sipas vlerësimeve të Agjencisë për Barazi Gjinore, gati 90% e rasteve të dhunës në familje kalojnë pa u raportuar.

Sipas Drejtorisë së Policimit në Bashkësi dhe Preventivë, në vitin 2016, policia ka pranuar 870 raportime të dhunës në familje, shumica e rasteve të dhunës ndaj grave, prej të cilave 243 kanë rezultuar në arreste. Rastet e tjera, policia i ka drejtuar në prokurori apo qendra për punë sociale.

Një studim i vitit 2015 nga Rrjeti i Grave të Kosovës, rrjet i organizatave për të drejta të grave, ka gjetur që 68 për qind e grave janë prekur nga dhuna në familje në jetën e tyre.

Më shumë se 20 për qind e të anketuarve gra e burra kanë pohuar se ndonjëherë është e pranueshme që burri ta rrah gruan e tij.

“Kosova nuk i ka kapacitetet për ta adresuar dhunën në familje – as për t’i mbrojtur njerëzit nga dhuna, dhe as ta hetoj atë”, tha Tahire Haxholli, shefe e sektorit kundër dhunës në familje dhe abuzimin me fëmijë në policinë e Kosovës.

“Kjo është çështje qeveritare. Duhet të ketë buxhet të qëndrueshëm për ta ndihmuar policinë e Kosovës që ta bëjë punën sa më mirë”.

Kjo fatkeqësi ka qenë gjatë në agjendën e grupeve të shoqërisë civile që ndihmuan rindërtimin e Kosovës pas konfliktit me Serbinë në fund të 1990-ave.

Por asgjë nuk ka nxitur më shumë debat se sa dy raste të profilit të lartë që kanë theksuar dështimin e shtetit për t’i mbrojtur gratë nga dhuna e vazhdueshme.

Në vitin 2011, Diana Kastrati, 27 vjeçe dhe studente universiteti nga Prishtina, kërkoi urdhër mbrojtje nga ish-bashkëshorti i saj, i cili e kërcënonte dhe e përndiqte në mënyrë të vazhdueshme. Një gjykatës ia mohoi kërkesën.

Tri javë më vonë, ish-bashkëshorti e qëlloi me armë kur ajo po shkonte në ligjërata.

Avokatët e familjes Kastrati thonë se ai ka ikur nga vendi dhe mendohet të jetë në Spanjë. Pasi që Kosova nuk është anëtare e Organizatës Ndërkombëtare të Policisë, Interpol, dhe nuk ka marrëdhënie bilaterale për ekstradim me Spanjën, nuk ka mundësi që ta rikthejë atë në vend që të përballet me drejtësinë.

“Vdekja e Diana Kastratit është përgjegjësi e shtetit”, tha avokati Artan Qerkini, i cili ka përfaqësuar prindërit e saj në një rast të rëndësishëm ligjor para Gjykatës Kushtetuese.

“Shteti nuk ka vepruar në përputhje me dispozitat ligjore dhe kushtetuese për të mbrojtur jetën e një individi, edhe pse kishte pranuar informacion serioz se ajo ishte në rrezik”.

Në vitin 2013, gjykata ka vendosur që shteti ka shkelur të drejtat e Kastratit të garantuara me Kushtetutë dhe me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Familja e saj po kërkon kompensim përmes Gjykatës Kushtetuese.

Edhe pse ky rast shënoi një precedent të rëndësishëm, Avokati i Popullit Jashari tha që pa mundësinë e sanksioneve të fuqishme nga Strasburgu, “gjithçka mbetet në diskrecionin e autoriteteve publike brenda vendit”.

Ndërkohë, Zejnepe Bytyqi Berisha, 39 vjeçarja nga një fshat afër qytetit jugor të Suharekës, ka duruar dhunën nga duart e burrit të saj Nebi Bytyqi, plot 16 vite.

Ky burrë ka pasur një dosje të gjatë penale. Ajo e ka raportuar atë disa herë për 13 vite por policia nuk ka bërë asgjë.

Një natë tetori në vitin 2015, ai e theri me thikë 20 herë deri sa ia mori jetën. Ai po ashtu e lëndoi vajzën e tyre adoleshente e cila u mundua ta ndalte.

Nebi Bytyqi është akuzuar për vrasje të rëndë, vepër penale që mbart dënim maksimal me burgim të përjetshëm. Ai u dënua me 12 vjet.

Pjesë kyçe e mbrojtjes së tij ishte se ka vepruar nga xhelozia, apo siç e tha avokati i tij mbrojtës jashtë sallës së gjyqit, “bazuar në dyshimin se gruaja e ka tradhtuar me një polic nga Suhareka”.

Prokurorja Morina tha që avokatët mbrojtës të burrave të dhunshëm shpesh thirren në përgjegjësi të zvogëluar të klientëve të tyre për shkak të marrëzisë së përkohshme.

“Kur duan, neuropsikiatrët njeriun e shëndosh e bëjnë të sëmurë”, tha ajo.

Prokurorët apeluan dënimin e Nebi Bytyqit në gusht. Në ditën e vendimit, dhjetëra përkrahëse iu bashkuan familjes në një protestë të heshtur jashtë Pallatit të Drejtësisë në periferi të Prishtinës. Ato mbanin një baner gjigant ku shkruante: “Drejtësi për Zejnepen”.

Gjykata e Apelit ia shtoi një gjysmë dekade dënimit të Bytyqit, duke e bërë atë 17 vjet.

Fatkeqësi rajonale

Anembanë Ballkanit, dhuna në familje infekton shoqëritë patriarkale ku – për disa burra së paku – maçoizmi dhe agresioni shkojnë bashkë.

Sipas një studimi të vitit 2012 nga SOS Hotline për Gratë dhe Fëmijët Viktima të Dhunës, në Mal të Zi, fqinji perëndimor të Kosovës,  më shumë se 67 për qind e grave të martuara kanë përjetuar dhunë nga bashkëshorti.

Të dhënat nga Këshilli Gjyqësor që mbikëqyr gjyqtarët në atë vend me 620,000 banorë, dëshmojnë që prokurorët kanë tendencë të minimizojnë dhunën në familje duke mos i drejtuar rastet në gjykata penale, por duke i kthyer në kundërvajtje, apo duke e inkurajuar pajtimin në mes të qifteve.

Vitin e kaluar, gati 90 për qind e rasteve të dhunës në familje – më shumë se 2,000 nga to – kanë kaluar në gjykata për kundërvajtje në Mal të Zi. Shumë prej tyre kanë pasur të bëjnë me lëndime serioze trupore. Më pak se 30 për qind kanë rezultuar në gjoba apo dënim më burg.

“Kam biseduar me disa prokurorë dhe më kanë thënë, “Rastet e dhunës nuk i kemi prioritet. Ato zgjidhen lehtë, e ne kemi raste të mëdha të korrupsionit dhe krimit të organizuar’,” tha Maja Raicevic, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës për të Drejta të Grave, organizatë joqeveritare në Podgoricë.

Gjatë pesë viteve të fundit, pesë gra malazeze janë vrarë nga partnerët e tyre.

“Katër nga to e kanë raportuar dhunën vazhdimisht në polici dhe institucione të ndryshme dhe nuk kanë pranuar mbrojtje të duhur”, tha Raicevic.

Por ajo tha që grupet për të drejta të njeriut kanë filluar të bazohen në konventat ndërkombëtare, posaçërisht në Konventën e Kombeve të Bashkuara për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave, CEDAW, e njohur edhe si projektligj botëror për të drejta të grave.

“Nëse komiteti i CEDAW vendos që ka pasur shkelje të të drejtave të grave nga institucionet, atëherë shteti është ligjërisht i obliguar që ta ndryshojë atë lloj praktike”.

Kosova është i vetmi vend në Evropë që nuk është i nënshkruar në CEDAW.

Shqipëria e ka ratifikuar konventën në vitin 1994. Por sipas ekspertëve të drejtësisë, ngjashëm si Kosova, Shqipëria ka ende shumë punë për të bërë kur është fjala për dhunën në familje.

“Ne jemi thuaja i njëjti komb”, tha Zoje Jaka, drejtoreshë e burgut Ali Demi, i vetmi burg për gra në Shqipëri. “Si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, e kemi të njëjtën mendësi dhe të njëjtën qasje ndaj ligjit”.

Vrasja e gjyqtares që ndodhi kohët e fundit e simbolizon dështimin e Shqipërisë për t’i mbrojtur gratë në rrezik. Fildeze Hafizi u vra nga ish-bashkëshorti i saj në fund të muajit gusht pas kërcënimeve të marra me vite.

Disa ditë pas vrasjes, protestuesit në Tiranë gjuajtën ministrinë e drejtësisë me ngjyrë të kuqe dhe marshuan drejt parlamentit. “Vrasja nuk të bën burrë, të bën vrasës,” shkruante në njërën nga pankartat.

Por jo të gjithë ishin të indinjuar. Në medie sociale, shumë njerëz mbronin vrasësin e Hafizit, i cili është duke u gjykuar për vrasjen dhe e ka pranuar krimin.

“E marrtë dreqi atë kurvë që ndërtoi karrierë më paratë e burrit të saj dhe i dha shqelmin burrit që e bëri njeri,” shkroi një përdorues Facebooku.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshëm të Burgjeve, në Shqipëri 816 burra vuajnë burgun për vrasje qysh prej muajit korrik, në krahasim me 14 gra.

Në burgun Ali Demi, një grumbull i ndërtesave me kulme të kuqe të mbikëqyrura nga rojet në një qark banimi në Tiranë, shumë prej grave të dënuara me vrasje, kanë vrarë burrat apo përndjekësit e tyre.

Një libër nga Eni Vasili, gazetare televizive shqiptare, dokumenton rrethanat që i kanë shtyrë këto gra t’i bëjnë krimeve që kanë bërë.

Fatbardha Gjonaj nga fshati verior i Matit është dënuar me 12 vjet burg për vrasjen e përndjekësit të saj, i cili i armatosur e kishte kërcënuar me përdhunim.

“Po qe se ti nuk do të vish me mu, vëllain andej do ta sjell të vdes për një javë,” rikujton ajo se çfarë i tha ai ditën kur kjo e vrau me automatikun e babait të saj, kur i kishte vetëm 26 vjeç. “Edhe ty do të të fus në një shtëpi të pabanueshme, që është atje përtej. Do të marr e do të të pres e do të regj me krypë, do të çpoj me tel të nxehtë.”

Në janar, Gjonaj u fal.

‘Burra të vërtetë’

Nëse dëshironi t’i japim fund dhunës ndaj grave, thonë ekspertët ligjorë, filloni duke e këputur ciklin aty ku fillon – me burra të rinj.

“Shumë rrallë flasim për dhunën ndaj fëmijëve dhe dhunën ndaj djemve adoleshentë”, tha Morina, zëvendës prokurorja e shtetit të Kosovës.

“Familjet tona janë mjaft autoritare dhe shumë prej këtyre burrave të rinj rrihen dhe abuzohen dhunshëm nga baballarët, xhaxhallarët dhe gjyshërit e tyre, që kërkojnë nga këta të rinj të jenë “burra të vërtetë.’”

Gratë shpesh e bartin peshën kryesore të këtij brutalizmi, posaçërisht në komunitete tradicionale në Kosovë dhe Shqipëri ku ligjet zakonore, gjatë i kanë zhvlerësuar gratë.

Që nga mesjeta, ligjet zakonore shqiptare të njohura si Kanuni i Lekë Dukagjinit kanë shërbyer si mjet për rregullimin e jetës shoqërore.

Përderisa ndikimi i tij në shoqëritë moderne në Shqipëri e Kosovë është i debatueshëm, tradicionalisht Kanuni e ka shpërblyer jetën e burrit, duke i arsyetuar për shembull, vrasjet hakmarrëse të atyre që kanë derdhur gjak burri.

Në anën tjetër, jeta e gruas konsiderohet si shumë më pak e vlefshme.

“Gjaku i grues s’bahet krahas me gjak të burrit”, thotë Kanuni kur flet për martesën. Po ashtu, Kanuni e krahason gruan me “shakull për me bajt sa të jetë në derë të burrit”.

Disa ekspertë thonë që jehona e një mendësie të tillë shihet në mënyrën se si burrat i trajtojnë gratë sot.

“Kuptimet mbi rolet dhe normat gjinore për atë se çfarë e bënë një burrë apo një grua, një vajzë apo djalë, gjejnë referenca tek Kanuni”, tha Nita Luci, antropologe në Universitetin e Prishtinës. “Ato janë të mishëruara në përditshmëri dhe gjejnë mbështetje në të gjitha institucionet shoqërore”.

Ekspertët e drejtësisë penale po ashtu i theksojnë standardet e dyfishta në qëndrime sa i përket të burgosurve gra e burra, pavarësisht krimeve.

Kur burrat bien ndesh me ligjin, familjet bëjnë çka do që munden për t’iu gjetur avokatët më të mirë, shesin tokën, veturën apo traktorin, apo marrin kredi.

Në të kundërtën, shumë prej grave që e thyejnë ligjin përjashtohen nga familja dhe miqtë, edhe atëherë kur ato vetë kanë qenë viktima të dhunës.

“Gjatë përvojës sime në sistemin korrektues në Shqipëri, kam vërejtur standarde të dyfishta gjinore sa i përket krimeve të dhunshme”, tha Klejda Ngjela, menaxhere projekti në Komitetin Shqiptar të Helsinkit, një grup avokues për të drejta të njeriut në Tiranë.

“Kishte tolerancë të ulët për gratë që kanë vrarë. Në anën tjetër, kam vërejtur tendencë të dukshme për t’i arsyetuar burrat që kanë vrarë gratë e tyre, posaçërisht kur xhelozia dhe çështjet familjare janë trajtuar si motive.”

Prapa në burgun e Lipjanit në Kosovë, gratë e burgosura po i zbraznin qelitë e tyre për t’iu bashkangjitur orës së ushtrimeve fizike.

“Kur një burrë e vret dikë, është burrëri,” tha një e burgosur. “Kur një grua e bën të njëjtën, është tragjedi”.

Ky artikull është prodhuar si pjesë e Bursës Ballkanike për Gazetari Ekselente, përkrahur nga ERSTE Foundation dhe Open Society Foundations, në bashkëpunim me Rrjetin Ballkanik për Gazetari Hulumtuese.

Në trend Lajme

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Lajçak me post të ri nga shtatori

Lajçak me post të ri nga shtatori

Lajme
Katër votat kundër Kosovës në Këshillin e Evropës dhe një abstenim, gjithçka që duhet të dini

Katër votat kundër Kosovës në Këshillin e Evropës dhe një abstenim, gjithçka që duhet të dini

Muhamet Hajrullahu
Dyshohet se ishte duke u përgatitur për ta kryer një vrasje, arrestohet i dyshuari në Pejë

Dyshohet se ishte duke u përgatitur për ta kryer një vrasje, arrestohet i dyshuari në Pejë

Kronika e Zezë
Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës,

Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës, "Octopus": Urgjentisht të koordinohen veprimet me ndërkombëtarët

Siguri
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
Kalo në kategori