Chelsea vëzhgon situatën e yllit të Real Madridit, transferimi i mundshëm vetëm për shifrat rekord

Dy klube të mëdha të Ligës Premier vazhdojnë të mbajnë nën vëzhgim situatën e Arda Guler.
Arsenali dhe Chelsea po shqyrtojnë mundësinë që të ndërmarrin hapa konkretë në fund të këtij sezoni për sulmuesin turk të Real Madridit.
Edhe pse fillimi i tij në “Santiago Bernabeu” nuk ishte i lehtë, Guler ka arritur gradualisht të fitojë një rol të rëndësishëm në skemat e skuadrës madrilene, duke iu afruar ëndrrës së tij të deklaruar hapur për të ndërtuar një karrierë afatgjatë te gjigantët spanjollë.

Në këtë kontekst, as lojtari dhe as drejtuesit e Real Madridit nuk duken të gatshëm të konsiderojnë një largim në këtë fazë.
Sipas raportimeve të “Caught Offside”, interesi i Arsenalit dhe Chelseat mbetet aktiv, por çdo ndryshim i mundshëm i situatës do të kërkonte kushte shumë specifike.
Së pari, vetë futbollisti do të duhej të shprehte dëshirë të qartë për t’u larguar nga Madridi, ndërsa më pas klubet e interesuara do të duhej të paraqisnin oferta financiare shumë të larta, në vlerat 90 ose 100 milionë euro.
Kujtojmë se Real Madridi pagoi rreth 26 milionë euro te Fenerbahçe për transferimin e tij.

Burime pranë Arsenalit kanë konfirmuar se klubi londinez po e ndjek nga afër zhvillimin e Guler, por e pranon se sfida kryesore do të ishte bindja e lojtarit, i cili aktualisht nuk po mendon të largohet nga Real Madridi.
Një lëvizje në afatin e janarit përjashtohet, ndërsa vera mbetet periudha e vetme ku një skenar i tillë mund të rishqyrtohet, nëse shumat e ofruara do ta detyronin Real Madridin ta mendonte seriozisht një shitje. /Telegrafi/





















































