LAJMI I FUNDIT:

Çfarë po ndodh me marrëveshjen për eksportin e grurit ukrainas?

Çfarë po ndodh me marrëveshjen për eksportin e grurit ukrainas?

Marrëveshja mes Ukrainës dhe Rusisë për eksportin e drithërave skadon më 17 korrik. Një marrëveshje e re nuk është arritur ende. Cilat mund të jenë pasojat?

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres e quajti “dritë shprese” marrëveshjen midis Ukrainës dhe Rusisë për vazhdimin e eksportit të drithërave, të nënshkruar më 22 korrik 2022.

Marrëveshja, e cilësuar shpesh si “Iniciativa për Drithërat e Detit të Zi”, është zgjatur disa herë, por Rusia ka deklaruar se nuk ka ndërmend ta zgjasë atë pas datës 17 korrik. Kjo do të kishte pasoja në mbarë botën.


Pse është e rëndësishme marrëveshja?

Ukraina është ndër prodhuesit më të mëdhenj të grurit në botë. Në fillim të pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022, shumë vende u kërcënuan nga uria.

Sipas të dhënave të Programit Botëror të Ushqimit të Kombeve të Bashkuara, drithërat ukrainase ushqejnë 400 milionë vetë në botë. Ndërprerja e eksportit do të dëmtonte më së shumti Afrikën dhe Lindjen e Mesme.

Çmimet e ushqimeve janë rritur në veçanti pas fillimit të luftës dhe ende po rriten për shkak të pushtimit rus. Për më tepër, për shkak të bllokadës ruse të Detit të Zi, miliona tonelata drithëra ukrainase kanë mbetur në hambarë dhe po ruhen për eksport.

Bashkimi Evropian thotë se, “vazhdimi i dërgesave të grurit ukrainas është i një rëndësie vendimtare për sigurinë ushqimore në mbarë botën”.

Kjo është shumë e rëndësishme edhe për Ukrainën, pasi që nga marsi 2022, shitjet e drithit kanë sjellë 700 milionë dollarë amerikanë.

Marrëveshja e grurit ukrainas drejt skadimit, asnjë sinjal për vazhdim nga Kremlini
Lexo po ashtu Marrëveshja e grurit ukrainas drejt skadimit, asnjë sinjal për vazhdim nga Kremlini

Si funksionon marrëveshja?

Marrëveshja rregullon eksportin e grurit nga portet e Detit të Zi në Odesa, Chornomorska dhe Pivdeni të kontrolluara nga ukrainasit. Anijet kalojnë përmes korridorit humanitar të pajtuar më parë në drejtim të Stambollit.

Në një vend të kontrolluar nga Turqia, anijet vizitohen nga një inspektim i përbërë nga inspektorë rusë, turq, ukrainas dhe inspektorë të Kombeve të Bashkuara.

Dy njësi ushtarake të Kombeve të Bashkuara sigurojnë transportin e grurit ukrainas, por ato gjithashtu kanë për detyrë të lehtësojnë eksportin e ushqimit dhe plehrave ruse.

A është marrëveshja e suksesshme?

Kjo marrëveshje mund të kontribuojë në uljen e çmimeve dhe stabilizimin e tregut. Deri në maj të vitit 2023, përmes këtij korridori u eksportuan 30 milionë tonë drithëra dhe produkte të tjera ushqimore.

Marrëveshja ndihmon veçanërisht vendet e varfra. Rreth 64 për qind e këtij gruri shkon në vendet në zhvillim, ndërsa gjysma e misrit shkon për to, ndërsa gjysma tjetër importohet nga vendet e zhvilluara industrialisht.

Që nga marsi, ka pasur raportime të shpeshta në media sipas të cilave Ukraina eksporton gjithnjë e më pak drithëra – sipas tyre, në maj u eksportuan tre të katërtat më pak sesa në tetor të vitit të kaluar. Kompanitë e transportit ngurrojnë të marrin rrezikun e dërgimit të anijeve në rrugë të pasigurta. Përveç kësaj, kontrollet e rrepta e bëjnë të pamundur biznesin e shpejtë.

Guterres ka shprehur pakënaqësi së fundmi për moszbatimin e marrëveshjes.

“Zvogëlimi i ritmit të inspektimeve do të thotë gjithashtu se më pak anije hyjnë në portet e Ukrainës, më pak largohen prej tyre dhe më pak drithë arrijnë”, tha zëvendëszëdhënësi i tij Farhan Haq.

Pala ruse ankohet se sanksionet perëndimore pengojnë eksportin e produkteve bujqësore ruse edhe ose këto produkte janë të përjashtuara shprehimisht nga sanksionet. Megjithatë, në vitet e fundit, Rusia ka kufizuar eksportet e saj duke vendosur taksa, dhe herë pas here ka vendosur madje një ndalim të eksportit të drithërave.

Sa i rëndësishëm është Deti i Zi?

Interesat e shumta kryqëzohen në rajonin e Detit të Zi – ato që kanë të bëjnë me detin dhe tokën, gjeostrategjinë dhe ekonominë. Është e vetmja rrugë detare e Ukrainës për eksportin e grurit. Ngushticat e Bosforit dhe Dardaneleve nëpër të cilat kalon i gjithë trafiku i anijeve nga Deti i Zi kontrollohen nga Turqia.

Por këto rrugë janë interesante edhe për vende të tjera që nuk kanë qasje në bregun e Detit të Zi, në veçanti për Kinën.

Një pjesë e Rrugës së re të Mëndafshit kalon përmes Detit të Zi, gjë që do të përshpejton qarkullimin e mallrave kineze drejt Evropës.

OKB-ja kërkon zgjatjen e marrëveshjes për eksportin e grurit ukrainas
Lexo po ashtu OKB-ja kërkon zgjatjen e marrëveshjes për eksportin e grurit ukrainas

Po nëse marrëveshja nuk vazhdohet?

Është e paqartë nëse Ukraina do të gjente një mënyrë për të eksportuar të njëjtën sasi drithi pa këtë marrëveshje. Kostoja e lartë e sigurimit për anijet do të ishte një problem shtesë. Anijet që aktualisht zgjedhin rrugën e Detit të Zi për në Ukrainë, duhet të paguajnë mijëra dollarë sigurim.

Pa miratimin rus kompanitë e transportit do të hezitonin të dërgonin anijet e tyre në zonën e rrezikuar nga lufta. Edhe transportimi i grurit në rrugë tokësore mund të jetë një detyrë e vështirë. Që nga fillimi i luftës, Ukraina ka eksportuar një sasi të madhe gruri përmes vendeve lindore të Bashkimit Evropian. Por sfidat logjistike ishin të mëdha dhe të shumta. Për shembull, numri i vagonëve në dispozicion ishte shumë i vogël për sasinë e grurit.

Përveç kësaj, vendet lindore të BE që prodhojnë drithëra ankohen se drithi ukrainas po zhvendosë produktet vendore dhe po ul çmimin atje. Në fillim të qershorit, Bashkimi Evropian reagoi duke kufizuar importet e grurit ukrainas. Sipas këtij vendimi, gruri mund të transportohet përmes Bullgarisë, Polonisë, Rumanisë dhe Sllovakisë, por nuk mund të shitet atje.

Haq tha se Kombet e Bashkuara kanë për detyrë të vazhdojnë të mbështesin marrëveshjen për eksportin e grurit ukrainas, si dhe të produkteve ushqimore ruse dhe të plehrave artificiale. Ai shtoi se është veçanërisht e rëndësishme tani, sepse korrja e re në Rusi dhe Ukrainë sapo ka filluar. Deri tani nuk është rënë dakord për vazhdimin e marrëveshjes.  /Deutsche Welle/

Në trend Ekonomi

Më shumë

"Mund të shkojë deri në 1 milion dollarë?": Ekspertët tregojnë se çfarë mund të ndodhë, nëse SHBA nën Trump krijon një 'rezervë kombëtare me bitcoin'

Botë
Kontratat njëburimore, Bajrami i përgjigjet Muratit: Të gjithë të korruptuarit duhet të përfundojnë në burg

Kontratat njëburimore, Bajrami i përgjigjet Muratit: Të gjithë të korruptuarit duhet të përfundojnë në burg

Ekonomi
Këto janë TOP konkurset e kësaj jave

Këto janë TOP konkurset e kësaj jave

Ekonomi
Spitali që po thyen tabutë e trajtimit të varësive në Kosovë tani me emër dhe vizion të ri

Spitali që po thyen tabutë e trajtimit të varësive në Kosovë tani me emër dhe vizion të ri

Ekonomi
Al Trade feston 25 vite suksese dhe shpërblen besimin tuaj!

Al Trade feston 25 vite suksese dhe shpërblen besimin tuaj!

Ekonomi
Java magjike e Black Friday në Fortesa Home - Zbritje që nuk duhet t’i humbisni!

Java magjike e Black Friday në Fortesa Home - Zbritje që nuk duhet t’i humbisni!

Ekonomi
Kalo në kategori