LAJMI I FUNDIT:

Çfarë ndodhi në sportin kosovar në vitin 2023 – sukseset dhe dështimet

Çfarë ndodhi në sportin kosovar në vitin 2023 – sukseset dhe dështimet

Viti 2023 ishte i mirë për disa sporte, por për shumë prej tyre ishte vit i dështuar.

KOK-u mori pjesë në katër gara ndërkombëtare, por përveç pjesëmarrjes, në asnjërën prej garave nuk fitoi medalje.


Garat në të cilat u përfaqësuan sportistët tanë ishin dy Festivalet Olimpike për të Rinj, atë Dimëror dhe Veror, Lojërat Mesdhetare në Rërë dhe Lojërat Evropiane.

Në këtë të fundit iu afrua zonës së medaljes me boksieren Donjeta Sadiku e cila doli e pesta.

KOK-u si institucion u dallua në arritjen historike, më të madhen ndonjëherë për sportin tonë. Kandidatura për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, fitoi në Asamblenë e Përgjithshme të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, të mbajtur në Heraklion të Kretës së Greqisë, kur i pranishëm ishte edhe kryeministri Albin Kurti.

FUTBOLLI

Kombëtarja A pati një vit dëshpërues, duke mos realizuar synimin “Kosova në Evropian”, përkundër se shorti i hedhur jepte mundësi të artë që djemtë tanë do të zënë njërën nga dy pozitat e para që dërgonin në EURO 2024.

Në 2023-tën, futbolli më shumë u dallua për vajzat të cilat nga Liga C e Kombeve u kualifikuan në Ligën B. Sukses pothuajse të njëjtë arritën edhe vajzat U-17, kurse Kombëtarja U-19 e djemve u kualifikua në raundin elitë për kualifikimet për Kampionat Evropian.

Ballkani sërish nga klubet kishte suksesin më të madh, duke arritur në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.

BASKETBOLLI

Kombëtarja A e basketbollit ishte afër kalimit të raundit parakualifikues për Eurobasket 2025, por në ndeshjen vendimtare të luajtur në Prizren, pësoi humbje nga Danimarka.

Me rezultate nuk është se u shquan as grupmoshat e reja. Ajo që vlen të përmendet tek basketbolli është emërimi i kryetarit të FBK-së, Arben Fetahu, anëtar i Bordit Ekzekutiv të FIBA Evropës, si dhe organizimi i Kampionateve Evropiane të Divizionit C për grupmosha të reja dhe turneve në basketbollin 3X3.

Gara ndërkombëtare pritet të organizojnë edhe gjatë vitit 2024.

HENDBOLLI

Edhe tek hendbolli nuk pati ndonjë sukses për t’u veçuar tek Kombëtaret A, ku pësuan humbje në të gjitha ndeshjet e të dyja konkurrencave.

Por, suksesin e ruajtën tek Kombëtarja U-17 e vajzave, ku fituan garën e IHF Trophy të organizuar nga FHK-ja në Prishtinë për U-17 dhe U-19. Ky sukses i U-17 iu mundëson që vitin e ardhshëm të garojnë në IHF Trophy Ndërkontinentale, ku synojnë të kualifikohen në Kampionatin Botëror.

VOLEJBOLL

Volejbolli për herë të parë arriti një sukses me një kombëtare gjatë këtij viti. Ishin vajzat U-17, që shkruan historinë, duke kaluar një raund kualifikues për Kampionatin Evropian U-17.

Volejbolli vazhdon të ketë më shumë rezultate me vajzat dhe djemtë në volejbollin në rërë, ku medaljet Ballkanike nuk iu munguan as këtë vit, edhe pse pjesëmarrja e shteteve pjesëmarrëse në gara të tilla të volejbollit mbetet e vogël.

XHUDO

Xhudo vazhdon të mbetet krenaria e sportit tonë, ku sukseset në asnjë vit nuk i mungojnë.

Xhudistët tanë e mbyllën vitin 2023 me katër medalje të fituara në Kampionatin Evropian në Montpellier të Francës, prej tyre një të argjendtë me Laura Fazliun dhe tri të bronzta me Akil Gjakovën, Distria Krasniqin dhe Nora Gjakovën.

Krahas medaljeve tjera të shumta në garat Masters, Grand Slam dhe Grand Prix, xhudo organizoi për herë të parë Kampionatin Evropian të Hapur në Prishtinë, ku para tifozëve të vet, fitoi gjysmën e medaljeve, një të artë dhe tri të bronzta.

Falë sukseseve të këtij viti, pesë xhudistët e prirë nga kryemjeshtri Driton Kuka dhe heroina Majlinda Kelmendi: Distria Krasniqi, Laura Fazliu, Nora Gjakova, Akil Gjakova dhe Loriana Kuka, ndodhen brenda normës olimpike për Lojërat Olimpike Paris 2024.

Befasia më e këndshme e këtij viti ishte Laura Fazliu, e cila me sukseset e saj, po e mbyll vitin në ve din e dytë të renditjes botërore dhe olimpike, në kategorinë -63 kg.

ATLETIKA

Muhamet Ramadani vazhdon të mbetet shpresa e madhe e atletikës për të ardhmen. Gjatë këtij viti ai fitoi medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian U-23, ndërsa të artën e fitoi në Kupën Evropiane U-23.

Atletika u dallua edhe me garën tradicionale të maratonës, të organizuar edhe këtë vit në Prishtinë, në edicionin e 22-të të saj.

KARATE

Karate gjatë tërë vitit pati probleme me ndasi në udhëheqje dhe duke mbajtur Kuvende të shumta Zgjedhore, por përkundër kësaj, në fund të muajit tetor arritën rezultat historik.

Për këtë u përkujdesën vajzat tona, Fortesa Orana, Hatixhe Zejnullahu, Vlera Qerimi dhe Albulena Gërvalla, të cilat në disiplinën ekipore fituan medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror në Budapest.

BOKS

Për dallim nga viti 2022, ku fituan medalje botërore dhe evropiane me Donjeta Sadikun dhe medalje mesdhetare me Shpëtim Bajokun, këtë herë një sukses i tillë i mungoi boksit për senior.

Sidoqoftë, Bashkim Bajoku, fitoi medaljen e bronztë për U-22 dhe Ensar Badallaj të argjendtën për shkollarë. Medalje boksi fitoi edhe në kampionatin Ballkanik.

TAEKWONDO

Taekwondo u dallua me sportistin të cilin e bindi që të lë Suedinë dhe të garojë për Kosovën. Është ky Bleron Ademi, i cili që në debutimin e tij me fanellën e vendlindjes së tij, fitoi medaljen e argjendtë në Kampionatin Evropian U-22, të mbajtur në Bukuresht të Rumanisë.

Taekwondo nuk është se u shqua për ndonjë sukses tjetër, hiq Kampionatin Ballkanik, ku fituan medalje ne grupmosha të ndryshme.

KICKBOX

Edhe kickboxi u dallua me grupmosha të reja, ku fitoi medalje në Kampionatin Evropian për të rinj. Këtë e bëri Rron Kasumi, I cili u stolis me medaljen e argjendtë, duke shënuar dy fitore në kategorinë e tij.

BODYBUILDINGU

Garuesit e bodybuildingut dhe fitnessit, vazhdojnë të shkëlqejnë në gara ndërkombëtare. Këtë herë fituan tri medalje në Kampionatin Evropian në Santa Sussana të Spanjës me garuesit, Betim Krasniqi, Kushtrim Bajraktaraj dhe Flamur Rexhaj.

SKITARIA

Federata Skitare e Kosovës natyralizoi garuesen e kërcimeve me ski, Sophie Sorschag, e cila la Austrinë për vendin tonë. Sorschag është skitare e dalluar, pjesëmarrëse në Lojërat Olimpike Dimërore në Pekin 2022 dhe medaliste botërore në ekipore me Austrinë.

Garuesit tjerë, të skijimit alpin, mbesin larg suksese në gara të rëndësishme ndërkombëtare.

TENIS

Kombëtarja e tenisit, në konkurrencën e meshkujve arriti sukses historik. Djemtë tanë shënuan katër fitore në po aq përballje, duke u kualifikuar në grupin e 3-të të David Cup, që ndryshe njihet si Kampionat Botëror.

SPORTET TJERA

Sportet tjera nuk është se patën ndonjë dallim të madh për t’u veçuar, përfshirë këtu edhe mbretëreshën e sporteve, notin, ku pavarësisht përfaqësimit në Botëror e Evropian, rezultatet e arritura nuk japin shpresë për një ardhme të ndritur edhe në vitet në vijim.

/Telegrafi/

Në trend Sport

Më shumë
Karim Benzema kthehet në Real Madrid

Karim Benzema kthehet në Real Madrid

La Liga
Ancelotti po mendon vendimin e befasishëm, ta lë në stol ndaj Bayernit njërin nga më meritorët e sukseseve këtë sezon

Ancelotti po mendon vendimin e befasishëm, ta lë në stol ndaj Bayernit njërin nga më meritorët e sukseseve këtë sezon

La Liga
Shtatë lojtarët që mund të largohen nga Man City këtë verë

Shtatë lojtarët që mund të largohen nga Man City këtë verë

Premier League
Tifozët kanë mbetur të shokuar me pritjen që iu bë Toni Kroosit në ‘Allianz Arena’

Tifozët kanë mbetur të shokuar me pritjen që iu bë Toni Kroosit në ‘Allianz Arena’

Liga e Kampionëve
Barcelona kërkon pesë përforcime këtë verë në katër pozicione të ndryshme

Barcelona kërkon pesë përforcime këtë verë në katër pozicione të ndryshme

La Liga
UEFA zgjedh formacionin më të mirë të javës në Ligën e Kampionëve, dominojnë lojtarët e Dortmundit

UEFA zgjedh formacionin më të mirë të javës në Ligën e Kampionëve, dominojnë lojtarët e Dortmundit

Liga e Kampionëve
Kalo në kategori