LAJMI I FUNDIT:

Çfarë mësova nga Kadare?

Çfarë mësova nga Kadare?

Chen Fenghua

Përkthimi i letërsisë shqipe në gjuhën kineze dhe anasjelltas ka filluar nga vitet ’50-’60 të shekullit të kaluar, por me kalimin e kohës, shumica e këtyre përkthimeve të para, qoftë për shkak të tematikës politike, qoftë për shkak të një tirazhi të kufizuar, mbeti në Kinë në harresë ose u zbeh, me përjashtim të disa fragmenteve të veprave të Dritëro Agollit dhe Ismail Kadaresë. Ndoshta edhe veprat kineze të asaj kohe po pësojnë të njëjtin fat në Shqipëri. Përkthimi i letërsisë midis dy gjuhëve filloi shumë vonë, pas viteve ’90. Vetëm këto 10 vitet e fundit, me përkthimet letrare janë shtuar në një masë të konsiderueshme, sidomos për veprat e Ismail Kadaresë, duke nisur me romanin “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” e me “Prilli i thyer”, “Kronikë në gur”, “Kush e solli Doruntinën”, “Darka e gabuar”, “Ura me tri harqe” etj.


Më 2015, me ndihmën e Ambasadës së Kinës në Shqipëri, u nënshkrua Marrëveshja Kinë-Shqipëri për përkthimin dhe botimin e ndërsjellë të veprave klasike, për të thelluar shkëmbimet kulturore dhe miqësinë tradicionale midis dy vendeve. Ajo cakton që të dyja palët të botojnë nga 25 vepra brenda 5 vjetëve. Në Kinë, universiteti ynë BFSU-ja (Beijing Foreign Studies University) dhe shtëpia botuese FLTRP-ja (Foreign Language Teaching and Research Press), me përparësi në studimet albanologjike, u ngarkuan me këtë projekt, kanë krijuar komisionin e ekspertëve kinezë dhe shqiptarë dhe kanë propozuar listën e librave që do të përkthehen. Në Shqipëri, me Shoqatën e Botuesve të Shqipërisë dhe ndihmën e Shoqatës Kulturore Shqipëri-Kinë, janë përfshirë disa botues cilësorë, si Onufri, Dituria, OMBRA, etj., si dhe një grup përkthyesish veteranë, si Iljaz Spahiu, Kujtim Ymeri etj. Iljaz Spahiu më 2017 dhe Bujar Hudhri më 2018 morën çmimin specifik kinez të librave në Pekin. Ky projekt qeveritar është shumë domethënës për ne si Katedër e Gjuhës Shqipe dhe si Qendër e Studimeve Shqiptare. Shohim një mundësi të madhe perspektive për të kualifikuar përkthyes të rinj dhe për të thelluar studimet albanologjike në Kinë. Dhe besojmë se me këto vepra të përzgjedhura nga fusha të ndryshme, edhe më shumë kinezë do të dinë për Shqipërinë dhe shqiptarët dje, sot dhe nesër.

TË JEM LEXUES

Shkrimtari italian Italo Calvino ka thënë “Ai që zotëron historinë nuk është zëri, por veshët”. Para se ta përktheja “Aksidentin”, kisha lexuar disa romane të Kadaresë, si “Gjenerali”, “Ura me tri harqe” dhe “Kështjella”. Por këto romane i kam lexuar për qejf, që do të thotë se kur hasja në fjalë dhe fjali që nuk i kuptoja, i anashkaloja pa mundimin për të gjetur kuptimet e sakta. Me siguri, njëra arsye vjen nga dembelizmi i lexuesit, tjetra është që procesi i hamendjes vetë bën një punë fantastike. Kështu, leximi i një vepre letrare mbetet një pushim i këndshëm, kurse përkthimi i saj është krejt ndryshe, një punë e lodhshme. Së pari, duhet të isha në çdo moment një lexues i kujdesshëm. Në çdo pikë, në çdo qoshe më duhej të ndalesha për të biseduar me autorin, për t’i bërë pyetje, çfarë qëndronte nëpër germat, paragrafët…, derisa të kapja diçka që të më bindte.

Duket se “Aksidenti” luajti rolin e një trajneri me përvojë. Ai më shfaqet, në pjesën e parë, si një roman policor (hetimi për aksidentin), duke më zgjuar që në fillim kureshtjen për të gjetur rezultatin; në pjesën e dytë, romani shndërrohet në një histori dashurie; shënimet, ëndrrat, rrëfimet dhe situata reale, gërshetohen në historitë e personazheve kryesore, dashuria jeton në rrëmujë derisa të lind dyshimi; kurse në pjesën e fundit, historia përfundon në paqartësi, e vërteta mbetet në hije, sepse ndoshta kjo e vërtetë nuk ka rëndësi. Duke e krahasuar me romanet e tjera të Kadaresë, subjekti në këtë roman paraqitet në një mënyrë më të copëtuar, më kryqëzuar nëpër personazhe të ndryshme, tamam si të jesh duke lexuar një dosje hetimi, ku aty-këtu dalin prova nga më të ndryshmet, të cilat duhet t’i përmbledhësh me kujdes dhe durim, që të mos fluturojnë pa i vënë re.

KUALIFIKIMI

Në këtë roman Kadareja thotë “Si çdo histori, asaj do t’i duhej të kalonte nëpër tri faza: përfytyrimi pa fjalë, pastaj veshja me to, së fundi rrëfimi për të tjerët”. Pa dyshim, Kadareja shquhet në çdo fazë. Vështirësia bie tani mbi përkthyesit, kryesisht lidhur me pjesën e fundit të thënies se Kadaresë – rrëfimi për të tjerët, sidomos për ata që mbartin një kulturë tjetër. Duke marrë parasysh diferencat kulturore, kaq të mëdha midis dy gjuhëve, përkthyesi gjithmonë do të gjendet i gozhduar në një dilemë të vështirë: të ruajë sa më shumë shijet e tekstit origjinal, apo të bëjë ndryshime për t’ia përshtatur një teksti objektiv.

Sidoqoftë, ka edhe “kapërcime ylberore”, kur vetë “Aksidenti” e ndihmon përkthyesin që të kapërcejë natyrshëm pengesat kulturore, të cilat, do t’i quaja, përherë të bezdisshme. Në roman, autori e ka përdorur imazhin e “ylberit” në tri vende… ose duke fjetur me ylberin, ose duke e kapërcyer, dhe duke shpjeguar se “kapërcimi i ylberit” do të thotë ndryshimi i gjinisë. Por këto përdorime me ylber as nuk mund të përfytyrohen në kulturën kineze. Kur e hasa “ylberin” për herë të parë, m’u duk e pamundur t’ia shpjegoj kuptimin tekstor lexuesit pa shënime të hollësishme, por kur u përqendrova edhe dy-tri herë të tjera, shqetësimi im u zhduk. Kjo ndodhi sepse autori vetë e ka shpjeguar dukurinë në mënyra të ndryshme, gjithnjë më të qarta. Nga ky rast kuptova që përkthyesi duhet të ruajë gjakftohtësinë duke kërkuar nëpër rreshta shënime të ndryshme të autorit në origjinal dhe jo të vetëkrijojë me ngut e pa bazë. Në pamje të parë, kjo metodë ndoshta duket mosvepruese, por, nëse thellohesh, kuptohet se në shumë raste pikërisht më e thjeshta është më e mira.

KOMPLESITETI I DASHURISË

Pavarësisht se ju pëlqejnë ose jo personazhet e romanit apo ideja e autorit, nuk mund të mohojmë se me një strukturë të ndërlikuar dhe me gjuhë të përpiktë, ai paraqet kompleksitetin e dashurisë, jetës dhe botës që ne jetojmë. Nëpërmjet romanit autori vetë shtron pyetje për këto aspekte të jetës, dhe ai e di shumë mirë që nuk mund të gjenden përgjigje të qarta, por çdo njeri duhet të përgjigjet sipas jetës së vet. Autori shkruan diku në fund “… më pas do ta kuptoni se bota është më e ndërlikuar se ç’duket…” “… atëherë, sytë e verbër njerëzorë, befas, ashtu siç ndodh kur era ngre rastësisht cepin e perdes mbuluese […] shihnin atë për të cilën do t’u duheshin shekuj”. Në roman, autori ka të drejtë që lexuesit të jenë në dispozicion të tij, kurse në realitet, çdo njeri është i barabartë, është i kufizuar në kohë dhe në hapësirë. E bardha dhe e zeza që ndahen me një vijë të prerë nuk ekzistojnë, kompleksiteti është normal dhe i përhershëm dhe ne duhet ta kuptojmë dhe pranojmë që në fillim. Natyrisht, “Aksidenti” nuk është roman i thjeshtë për t’u përkthyer, sidomos për mua, që nuk kam shumë përvoja përkthimi.

Gjatë përkthimit njëvjeçar, nga fillimi deri në fund, në çdo minutë ndihesha sikur ecja nëpër akull. Pikërisht nga këto pengesa të shumta, kam fituar fillimisht statusin e një lexuesi jo të thjeshtë dhe pastaj shkallë-shkallë të fshehtat e përkthimit që janë të panumërta. Me këtë rast, falënderoj prof. Ke Jing, prof. Emil Lafe, prof. Shaban Sinani, prof. Floresha Dado dhe prof. Ruzhdi Stringa, pa ndihmën e të cilëve, ky version kinez nuk mund të dilte me sukses. Librat kanë fuqinë e vet. Njeriu që lexon nuk bie asnjëherë në vulgaritet. Është mrekulli shumëfishe të përkthesh një libër që të pëlqen. Ndarja e librave të mirë me të tjerët është eksperiencë me vlera. Më bie ndërmend se para afro 50 vjetësh, dublimi i filmave shqiptarë në Kinë, u pati dhënë kinezëve të asaj kohe një dritare të vogël për të parë botën. Në kohën e sotme, me pjesëmarrjen në projektin e përkthimit dhe botimit, ne do të hapim më shumë dritare për njëri-tjetrin dhe me përpjekjet e çdo përkthyesi dhe botuesi, jetët tona do të bëhen më të afërta, kulturat më të kuptueshme dhe lidhja më e ngushtë.