LAJMI I FUNDIT:

Çfarë fshihet pas sulmit të Nanos ndaj Ramës

Çfarë fshihet pas sulmit të Nanos ndaj Ramës
Ish kryeministri, Fatos Nano, ne barin e hotel Sheraton, pasi ka folur per gazetaret, ku ka deklaruar se ka mbeshtetjen e nevojshme per te konkuruar per postin e Presidentit te Republikes.

Pas falënderimit që Edi Rama i bëri Fatos Nanos në Kongresin socialist të zhvilluar dy muaj më parë, dukej se mes dy figurave kryesore të së majtës ishte vendosur një lloj armëpushimi.

Madje si për ta konfirmuar këtë fakt, ishte vetë Nano që e kishte pritur mirë falënderimin e Ramës, duke i dërguar kryeministrit aktual edhe një mesazh të përzemërt siç e cilësoi vetë Edi Rama në një intervistë për Ilva Taren.


Por dje ky armëpushim është prishur. Me anë të një mesazhi të fortë në 25-vjetorin e krijimit të Partisë Socialiste, duke bërë thirrje për një “katarsis”, Nano theksonte në mesazhin e tij se “është momenti i mobilizimit të gjithë aftësive, përvojave dhe brezave përfaqësues të tyre në PS, për t’u ringjallur, përpara se “rilindja” të shtrijë vdekjen mbi gjithçka të mirë të krijuar me solidaritet shembullor në 25 vite!”.

Dhe shumëkush pyet pse ky mesazh i Fatos Nanos në këto momente kur dihet ëndrra e tij e mbetur në sirtar prej vitesh për t’u ulur një ditë në Pallatin e Brigadave. Por duket se është pikërisht Presidenca ajo që ka prishur edhe njëherë marrëdhëniet mes Ramës dhe Nanos.

Burime pranë selisë rozë thonë se Rama nuk i ka premtuar Nanos mbështetjen e PS-së në zgjedhjet presidenciale që do të zhvillohen vitin tjetër, duke ngjallur në këtë mënyrë zemërimin e liderit historik socialist. Sipas tyre, Rama preferon në këtë detyrë një nga besnikët e tij, ku Pandeli Majko del një nga kandidatët e mundshëm, por që nuk përjashtohet surpriza Mimi Kodheli.

Por nga ana tjetër, një mik i përbashkët i Nanos dhe Ramës thotë se Nano foli me “gjuhën” e Ben Blushit pikërisht për t’i dhënë mesazh Ramës që nëse deputetët e mazhorancës nuk e mbështesin në garën presidenciale ai do të rreshtohet me grupimin e Ben Blushit, duke bërë ëkshtu që PS të pësonte një skizmë të madhe përpara zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Pra, Nano tashmë po luan me letra të hapura dhe paralajmërimin të tij, tashmë mbetet në dorë të Edi Ramës nëse do të rrezikojë një çarje të partisë, apo do t’i japë mbështetjen që kërkon ish-lideri socialist për të qenë pasardhësi i Bujar Nishanit.