Zyrtarët gjermanë kanë vendosur të kufizojnë përdorimin e vaksinës AstraZeneca kundër coronavirusit te personat nën 60 vjeç.
Vendimi është marrë pas raporteve për një mpiksje të rrallë gjaku te një numër i vogël i njerëzve që kanë marrë vaksinën.
Në përgjigje, rregullatori i barnave në Bashkimin Evropian ka përsëritur të mërkurën se “nuk ka prova që mbështesin kufizimin e përdorimit të kësaj vaksine”.
Megjithatë, një ekspert ka pranuar se mpiksjet e gjakut në tru janë raportuar më shumë seç pritej.
Në muajin mars, dhjetëra vende, përfshirë Gjermaninë, kanë pezulluar përdorimin e AstraZenecas për shkak të mpiksjes së gjakut.
Shumica kanë rinisur përdorimin, pasi Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) ka konstatuar se përfitimet e vaksinës i tejkalojnë rreziqet e mosvaksinimit kundër coronavirusit.
Por, kufizimi në Gjermani dhe disa vende të tjera ka rritur shqetësimet se besimi në vaksinë mund të dëmtohet përgjithmonë.
Në fillim të kësaj jave, rregullatori shëndetësor i Gjermanisë ka publikuar disa të dhëna të reja, që tregojnë se janë rritur rastet e raportuara për mpiksje gjaku te njerëzit që janë vaksinuar me AstraZeneca.
Në përgjigje, ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, dhe zyrtarët shtetërorë kanë rënë dakord që vaksina t’iu jepet vetëm personave të moshës 60 vjeç e lart.
“Ka të bëjë me peshimin e rrezikut të një efekti anësor, që statistikisht është i vogël, por duhet të merret seriozisht, dhe të rrezikut të sëmundjes nga coronavirusi”, ka thënë Spahn.
Rregullatori shëndetësor i Gjermanisë ka thënë se numri i mpiksjeve të raportuara të gjakut është rritur në 31 deri më 29 mars.
Në Gjermani, deri më tani, janë administruar rreth 2.7 milionë doza të vaksinës AstraZeneca.
Nëntë prej njerëzve që kanë pësuar mpiksje gjaku, kanë vdekur, ka thënë Instituti Paul Ehrlich.
Të gjitha rastet, përveç dy, kanë qenë gra, të moshës 20 deri në 63 vjeç.
Raporte për mpiksje gjaku ka pasur gjetkë, në mesin e dhjetëra miliona njerëzve që kanë marrë tashmë vaksinën AstraZeneca.
Hetimi fillestar i Agjencisë Evropiane të Barnave ka konstatuar se AstraZeneca nuk e rrit rrezikun e përgjithshëm të mpiksjes së gjakut, por nuk ka mundur të përjashtojë lidhjen me mpiksjet e rralla dhe ka rekomanduar që broshurës së vaksinës t’i shtohet një paralajmërim i ri. Vaksina është e autorizuar për njerëzit 18 vjeç e lart.
EMA po vazhdon të shikojë nga afër dy lloje të rralla të mpiksjes së gjakut, përfshirë një që prek trurin, të raportuar te njerëzit që kanë marrë së paku një dozë të vaksinës AstraZeneca, dhe mund t’i azhurnojnë rekomandimet e saj për vaksinën, javën e ardhshme.
Të mërkurën, dr Peter Arlett, nga EMA, ka thënë se agjencia po sheh “më shumë raste të (mpiksjes së trurit), sesa do të prisnim të shihnim”. Ai ka thënë se më të prekurat janë gratë e reja, por nuk ka treguar se sa nga këto lloje të mpiksjes së gjakut do të shfaqeshin zakonisht në popullatën e përgjithshme.
Drejtorja ekzekutive e EMA-s, Emer Cooke, ka thënë se ekspertët e agjencisë nuk kanë arritur t’i identifikojnë faktorët specifikë të rrezikut për ata që mund të jenë në rrezik më të lartë nga mpiksja e gjakut.
Komiteti i ekspertëve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka vlerësuar gjithashtu të dhënat e disponueshme për vaksinën AstraZeneca dhe ka thënë se vaksina është e sigurt dhe efektive.
Të mërkurën, dr Kate O’Brien, e cila kryeson departamentin e vaksinave të OBSH-së, ka thënë se ata po vazhdojnë ta rivlerësojnë situatën.
“Për të kuptuar nëse rastet shkaktohen nga vaksinimi, duhet të shikojmë nëse ka rritje (të mpiksjes së gjakut) te njerëzit që janë vaksinuar”, ka thënë dr Peter English, ish-kryetar i Komitetit të Mjekësisë së Shëndetit Publik, pranë Shoqatës Mjekësore Britanike.
Kjo do të marrë ca kohë. Është dashur rreth një vit, për shembull, përpara se shkencëtarët të konstatonin se një vaksinë e gripit të derrit ishte përgjegjëse për disa raste të narkolepsisë në Evropë.
Adam Finn, profesor i pediatrisë në Universitetin e Bristolit, ka thënë se nuk ka ende prova bindëse se vaksina është fajtore për mpiksjet e rralla të gjakut.
“Mekanizmi me të cilin ndodhin këto anomali të mpiksjes së gjakut dhe pse ato prekin këtë numër shumë të vogël të individëve, nuk është përpunuar ende siç duhet”, ka thënë Finn.
AstraZeneca ka thënë përmes një deklarate se është duke analizuar dhjetëra miliona të dhëna për njerëzit që kanë marrë vaksinën, “për të kuptuar nëse këto raste shumë të rralla të mpiksjes së gjakut ndodhin më shpesh seç pritet normalisht”.
Është një lajm i keq. Zyrtarët shëndetësorë shqetësohen se pezullimet dhe kufizimet e vaksinës AstraZeneca mund ta minojnë besimin në të. Kjo vaksinë është thelbësore në përpjekjet globale për të shuar pandeminë, pasi është më e lirë se disa vaksina të tjera dhe më e lehtë për t’u ruajtur.
Në Norvegji, vendin që së voni ka zgjatur pezullimin e vaksinës AstraZeneca për tri javë, zyrtarët kanë thënë se konfuzioni po shkakton një valë hezitimi ndaj vaksinës.
Udhëheqësja e Shoqatës Norvegjeze për Praktikë të Përgjithshme, Marte Kvittum Tangen, i ka thënë transmetuesit NRK se rifillimi i vaksinimit me AstraZeneca “do të jetë shumë i vështirë”.
Finn, nga Universiteti i Bristolit, ka thënë se kërcënimi më i madh shëndetësor për botën aktualisht është koronavirusi dhe se çdo dyshim në lidhje me efektivitetin e vaksinave të autorizuara, është problematik.
“Ne duhet të mbetemi të përqendruar në nevojën për të parandaluar koronavirusin që të marrë më shumë miliona jetë njerëzish, përpara se të vihet nën kontroll. Mënyra e vetme efektive për ta bërë këtë është përmes vaksinimit”, ka thënë Finn. /Rel/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëVrima e akullit në Antarktidë sa madhësia e Zvicrës vazhdon e rritet - shkencëtarët e zbulojnë pse
Avancon ushtria e Zelenskyt: Nga 24 sulme me dronë rusë në vijat e frontit, Ukraina rrëzon 23 prej tyre
A mund të ndikojë lufta në Ukrainë në marrëdhëniet franko-gjermane?
Japonia dhe Brazili bien dakord të mbrojnë pyjet tropikale të Amazonës
Cila është brigada më e fuqishme e Ukrainës të cilën pritet ta furnizojë Pentagoni?
Tjetër fitore për Ukrainën: Rusia tërheq nga vijat e frontit dhjetëra aeroplanë luftarak
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Krijo hapësirën tënde të biznesit – zyre me qira te 4 Llulat – 300€/muaj ID-252
Më të lexuarat
Erjolën e hedhin në mes të natës në pishinë, i ekspozohen pjesët intime
Këngëtari i famshëm britanik bën publike lidhjen me bukuroshen shqiptare, Xhoana Xheneti
Gjeti trupin e 9-vjeçares në Bunë, peshkatari: Pashë me dritë telefoni, dukej si kukull
Vrima e akullit në Antarktidë sa madhësia e Zvicrës vazhdon e rritet - shkencëtarët e zbulojnë pse
Ish-futbollisti që e la karrierën profesioniste për t'u bërë luftëtar në UFC tani po shpartallon kundërshtarët
VAR sinjalizoi për kartonin e kuq "më të keq në histori" në ligën e Francës, ndërsa tifozët thonë 'ne menduam se Liga Premier ishte keq'