LAJMI I FUNDIT:

Çështja e targave – aktivistja nga Mitrovica kërkon që të mos përhapet panik, beson se do të gjendet zgjidhje

Çështja e targave – aktivistja nga Mitrovica kërkon që të mos përhapet panik, beson se do të gjendet zgjidhje

Pas takimeve disa orësh të hënën në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq me ndërmjetësimin e shefit të Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, nga i cili takim nuk pati marrëveshje për targat, në mesin e qytetarëve në Mitrovicë u krijua një situatë paniku. 

Aktivistja e shoqërisë civile, Neri Ferizi në një prononcim për Telegrafin tha se paniku i qytetarëve të Mitrovicës erdhi si rrjedhojë e raportimeve të shumta lidhur me këtë çështje.


“Fatkeqësisht prej mediave çka u proklamonte si edhe politikanëve, ishte një situatë tensioni e hutie që qytetarët nuk e dinin se çka do të ndodhte të nesërmen. Ka qenë pak problematike që mos me pa asnjë prej politikanëve, ose analistëve politikë ose në televizionet tona dikë që thërret për vetëpërmbajtje ose qetësi dhe mundohet që mos me shtu panikun, por përkundrazi e kanë ushqyer këtë panik tek qytetarët”, tha ajo.

E pas vendimit të kryeministrit të vendit për shtyrjen e ekzekutimit të gjobave ndaj qytetarëve që nuk e zbatojnë vendimin për targat, Ferizi beson që do të gjendet ndonjë zgjidhje.

“Fatmirësisht u bë kjo marrëveshje për 48 orë dhe besoj që tash kanë me gjet një zgjidhje. Por, kisha bërë thirrje për vetëpërmbajtje apo për qetësi dhe njëkohësisht mos të japim deklarata të tilla ashtu siç i kemi parë dje. Pasi, ne jetojmë këtu dhe me jetua në Mitrovicë nuk është e lehtë. Sidoqoftë edhe nëse jetojmë në veri apo jug për dy palët nuk është situatë e lehtë, dhe nuk mund të marrim çdo deklaratë që në narrativen e saj ka dhunë, ka thirrje për bashkim, ose këto thirrje nacionaliste që unë besoj nuk i kontribuojnë kësaj situate aspak”, theksoi Ferizi.

Aktivistja e shoqërisë civile, Neri Ferizi

Aktivistja mitrovicase tha se janë në kontakt të vazhdueshëm me kolegët që punojnë e që janë nga veriu i Mitrovicë, dhe siç tha ajo situata për momentin është e qetë.

“Ne jemi në kontakt me njerëzit që punojmë andej dhe për momentin është një situatë e qetë për vendimin që është shty pas 48 orëve, por nuk e di se çka do të bëhet por shpresoj që do të arrihet një marrëveshje mes palëve. Dua ta potencoj që njerëzit që kanë pozicione publike, fjalën kur ta vendosin në publik ta marrin seriozisht se mund të ndikojë në një mënyrë ose tjetër për të keq edhe në tension të situatës qoftë në jug apo në veri. Në fund të ditës ne jemi njerëz dhe varemi prej këtyre politikanëve, dhe prej këtyre mediave që na informojnë. Ju bëjmë thirrje që mos me dal me këto narracione që mund të na dëmtojnë neve këtu”.

Aktivistja e shoqërisë civile në Mitrovicë po ashtu tha se dialogu do të duhej të zhvillohej bazuar në nevojat e qytetarëve të Mitrovicës, pasi siç vlerësoi Ferizi qytetarët nuk janë duke u përfaqësuar në mënyrën e duhur.

“Dialogu do të duhej të zhvillohej bazuar në nevojat e qytetarëve të veriut dhe jugut të Mitrovicës, pasi që nuk mendoj që janë duke u përfaqësuar në mënyrën e duhur interesat e tyre”, ka thënë ndër të tjera Ferizi. /Telegrafi/