LAJMI I FUNDIT:

Çaushi flet për largimin dhe kthimin e VV-së në Kuvend

Çaushi flet për largimin dhe kthimin e VV-së në Kuvend

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Çaushi në “Rubikon” të KTV-së ka thënë se varësisht nga rëndësia e temave që kanë të bëjnë për vendin, ata do të vendosin nëse rikthehen në Kuvend apo jo.

“Kemi thënë përmes një komunikate që LVV do të vlerësoj sipas rëndësisë, nëse kthehet ose jo ne Kuvend, kur çështjet janë esenciale për vendin. Besoj qe të vetmit që e meritojnë vendin në Kuvend, janë ata që i kanë qëndruar betimit që kanë bërë”, ka shtuar ai, transmeton Koha.net.


Çaushi ka thënë se Vetëvendosje dhe subjektet tjera opozitare kanë dallime, por që kanë një bashkëpunim që nuk ka ndodhur në Kosovë që nga paslufta, duke qenë unik për një qëllim, kundërshtimi i marrëveshjeve.

Çaushi i Vetëvendosjes ka thënë se protesta e radhës do të jetë masive dhe kjo nuk do të përfundojë, por do të vazhdojë nëse nuk ka reflektim nga Qeveria e Kosovës.

Çaushi ka folur edhe për dhunën në protesta, teksa ka thënë se mundësitë për menaxhimin e masave të mëdha janë të kufizuara, transmeton Koha.net.

“Protestat organizohen nga tri subjekte opozitare dhe mundësitë tona janë të kufizuara për t’i menaxhuar masat kur kemi të bëjmë me qindra mijëra qytetarë”, ka thënë Çaushi në “Rubikon” të KTV-së.

Çaushi në fillim ka thënë se qytetarët në protesta mund të përdorin dhunë pa u udhëhequr nga ndokush sepse kanë pakënaqësi, dhe kur gazetari Adriatik Kelmendi i tregoi deklarimet e AAK-së dhe Nismës se janë në kundërshtim në çfarëdo mënyre me dhunën, Çaushi tha se përfundimisht ata janë për protesta paqësore.

Ai ka thënë se në protestat e 9 janarit që nga fillimi deri në fund është ka qenë paqësore, protesta ëshë hapur dhe mbyllur nga folësit e protestës, kurse pas mbylljes, sipas Çaushit, ka filluar dhuna.