LAJMI I FUNDIT:

Çarja (disekacioni) i aortës

Çarja (disekacioni) i aortës

Çarja (disekacioni) e aortës është gjendje serioze në të cilën shtresa e brendshme e aortës, enës më ta madhe të gjakut, çahet

Dr. Arbër Kutllovci
Mjek specialist kardiokirurg
e-mail: arber.kutllovci@spitaliamerikan.com
tel: +38344404029


Gjaku përmes kësaj çarje shkakton ndarje (disekim) të shtresës së brendshme dhe mesme të aortës. Nëse lumeni i ri i krijuar (pseudolumeni) pëlcet (rupturon), çarja e aortës është shpesh fatale.

Kjo gjendje më shpesh ndodh tek meshkujt në të 60-at apo 70-at e tyre.

Pse, kur dhe si shkaktohet çarja e aortës?

Çarja e aortës ndodh në pjesën më të dobët të murit të aortës. Shtypja e lartë kronike e gjakut mund të dëmtoj indet e aortës, duke i bërë ato më të favorshme për çarje.

Ju mund të keni lindur me gjendje ku aorta është e dobët dhe e zgjeruar siç janë: sindroma Marfan, valvula aortale bikuspidale apo gjendje tjera që janë të lidhura me mure të dobëta të enëve të gjakut. Më rrallë, çarja e aortës mund të ndodh nga lëndimet traumatike në kraharor, siç janë aksidentet me motor-biçikletë.

Cilët janë faktorët e rrezikut për çarje të aortës?

Faktorët e rrezikut për çarje të aortës përfshijnë:

• shtypja e lartë e gjakut e pakontrolluar (hipertensioni)
• kalcifikimi i murit të arterieve (arteroskleroza)
• arteriet me mure të dobëta dhe të zgjeruara (ekzistimi i mëhershëm i aneurizmës së aortës)
• defektet e valvulës aortale (valvula aortale bikuspidale)
• ngushtimi i aortës në lindje (koarktacioni i aortës)

Disa sëmundje gjenetike rritin riskun për çarje të aortës, duke përfshirë:

• Turner’s syndrome.
• Marfan syndrome.
• sëmundje tjera të indit lidhor. Ehlers-Danlos syndrome, Loeys-Dietz syndrome, etj
• gjendjet inflamatore dhe infektive të cilat prekin arteriet siç është sifilisi.

Faktorët potencial risku përfshijnë:

• Gjinia. Meshkujt kanë dy herë shanse më shumë për çarje të aortës
• Mosha. Incidenca e çarjes së aortës është në moshat 60-80 vjeç.
• Përdorimi i kokainës. Kjo drogë mund të jetë faktor risku për çarje të aortës, sepse shkakton përkohësisht shtypje të lartë të gjakut.
• Shtatzënia. Jo-rrallë, çarja e aortës mund të ndodh në femrat (shtatzënat) e shëndetshme gjatë lindjes.
• Peshëngritësit. Ushtrimet e sforcuara mund të rritin riskun për çarje të aortës, sepse rritin shtypjen e gjakut gjatë aktivitetit fizik.

Si ndahen çarjet e aortës?

Çarja e aortës ndahet në dy grupe, varësisht cilën pjesë të saj e ka atakuar:

Tipi A (Stanford A). Ky është tip më i shpeshtë dhe më i rrezikshëm që përfshin çarjen e aortës në pjesën ku ajo del nga zemra apo çarja në pjesën e sipërme të aortës (aorta ascendente), që mund të vazhdoj deri tek aorta abdominale.

Tipi B (Stanford). Kjo përfshin çarjen vetëm në aortën e poshtme (aorta desendente) , e cila gjithashtu mund të vazhdojë deri në nivel të aortës abdominale.

Çfarë simptoma dhe shenja klinike paraqitet çarja e aortës?

Simptomat e çarjes së aortës mund të janë të ngjashme me problemet në zemër, siç është sulmi në zemër.

Shenja dhe simptomat tipike janë:

• dhembje e papritur e gjoksit dhe pjesës së pasme të shpinës, shpesh përshkruhet si ndjeshmëri e çarjes ose prerjes, që shpërndahet në qaf apo poshtë shpinës,
• dhembje e madhe papritur e barkut,
• humbje e vetëdijes,
• vështirësi e papritur në të folur, humbje e të pamurit, dobësi apo paralizë të njërës anë të trupit, të ngjashme me sulmet në tru,
• puls i dobët në njërën dorë nëse krahasohet me dorën tjetër,
• dhembje e këmbëve,
• vështirësi në ecje,
• paralizë ë gjymtyrëve të poshtme.

Cila është metoda e mjekimit të çarjes (disekacionit) të aortës?

Çarja e aortës është urgjencë kardiokirurgjike. Ajo kërkon përvojë profesionale të ekipit kardiokirurgjik për menaxhimin pre-operativ, për realizimin e ndërhyrjes kardiokirurgjike dhe për menaxhimin post-operativ. Qëllimi i operimit është mbyllja e pseudo-lumenit të krijuar dhe zëvendësimi i aortës së çarë me graft sintetitik.

Këto janë disa nga llojet e operimeve që realizohen tek çarja e aortes (Stanford A): supracoronary graft interposition, Bentall Operation, David Operation, Hemiarch repair, Total arch repair.

Cilat janë komplikimet e çarjes (disekacionit) të aortës?

Çarja e aortës mund të dërgojë në:

– vdekje për shkak të gjakderdhjes
– dëmtim të organeve siç është veshka dhe zorrët
– goditje në tru
– pëlcitje të aortës dhe grumbullim të gjakut rreth zemrës (tamponadë e zemrës) dhe vdekje

Çfarë prognoze ka çarja e aortës?

Nga të gjithë pacientët me çarje të aortës, 40% e tyre vdesin menjëherë dhe nuk arrijnë fare në Spital. Nga ata të cilët arrijnë në spital kanë vdekshmëri mbi 30%, apo 1-2% është mortaliteti për orë. Pra, çarja (disekacioni) i aortës ka vdekshmëri shumë të lartë, mbi 70% edhe në qendrat më të mëdha Kardiokirurgjike.

Si parandalohet çarja e aortës?

Këto janë këshillat si duhet të prevenojmë ose ulim riskun për çarje të aortës:

• Kontrollimi i shtypjes së gjakut. Nëse keni shtypje të lartë të gjakut, merreni në shtëpi aparatin për matjen e shtypjes së gjakut dhe kontrolloni atë.
• Mos pini duhan. Nëse jeni duhanpirës, bëni hapin ta ndërprisni atë.
• Mbani peshën ideale trupore. Mbani dietë me pak kripë dhe të pasur me fruta, perime dhe ushtrime të rregullat fizike.
• Vendos rripin e sigurisë. Kjo zvogëlon riskun nga lëndimet traumatike në fushën e kraharorit.
• Konsultohu me mjekun tuaj. Nëse keni histori familjare me çarje të aortës, sëmundje me çrregullime të indit lidhor, valvulë aortale bikuspide, tregoni mjekut tuaj. Nëse keni aneurizmë të aortës , konsultohuni me kardiokirurgun përkatës si të monitoroni dhe kur duhet intervenuar. Nëse keni shtypje të lartë të gjakut sigurisht mjeku do të ju përshkruaj barna për rregullimin e saj, kështu që t’i merrni me kohë, dhe në mënyrë adekuate. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Ushqim i shëndetshëm
Kalo në kategori