LAJMI I FUNDIT:

Cafo Boga, shqiptari që i kapërceu të gjitha barrierat dhe realizoi një histori suksesi në Amerikë

Cafo Boga, shqiptari që i kapërceu të gjitha barrierat dhe realizoi një histori suksesi në Amerikë

Cafo Boga ka një karrierë ndër më të pasurat në fushën e tij. Ai ka mbajtur pozita të shumta duke filluar si bankier, kontabilist publik e deri si ekzekutiv i lartë me tituj COO, CFO, e deri tek anëtar bordi ndër korporata amerikane

Intervistoi: Lumturije Bekaj


Z. Boga e filloi karrierën e tij në moshën 22 vjeçare në sistemin bankar amerikan. Suksesi i tij është inspirues dhe tregon se: nëse dikush e ka vullnetin, dëshirën për të investuar në shkollim, qoftë edhe në kushte të vështira, nuk ka aq rëndësi emri që mban apo nga vjen, rezultati i mirë në punë do t’jua hapi rrugët drejt suksesit dhe bën që t’i kapërcejsh të gjitha barrierat. “Megjithëse edhe fati e luan rolin e vet, është puna që ta garanton suksesin në jetë, dhe bën që ti vetë t’ia përcaktosh vetes rrugën e karrierës tënde”, thotë z. Boga.

Ai ka lindur në Ulqin ku edhe mbaroi shkollën e mesme si gjeneratë e parë e gjimnazit të gjuhës shqipe, dhe më pas vijoj në Prishtinë si student i Fizikës. Për arsye ekonomike, natyrisht si rrjedhim i atyre politike, ai u detyrua që në moshën 20-vjeçare të lëshojë vendlindjen dhe përmes Italisë të vij në Amerikë. Megjithëse, Amerika është vendi ku njerëzit synim të parë e kanë të pasurohen, për të, më me rëndësi ishte të vazhdojë shkollimin të cilin ishte dashur ta ndërpresë. Kjo ëndërr atij iu realizua pas një kohe të shkurtër kur arriti të regjistrohet pranë Fakultetit “Bernard Baruck” të Universitetit të Qytetit të New York-ut, ku dhe të diplomohej me diplomë në Administratën e Biznesit dhe Kontabilitetit. Pas një viti magjistroi kontabilitetin publik dhe dha me sukses provimin si “Kontabilist i Certifikuar Publik”, që e bëri këtë të parin shqiptarë në Amerikë me këtë titull profesional.

Por, megjithatë pjesën më të madhe të karrierës së tij profesionale e kaloi si bankier, ndërsa 10 vitet e fundit të karrierës si udhëheqës i lartë i një firme e quajtur “I-flex solutions inc”, me qendër në Indi, e cila ishte pronë e Citibank, New York. Më vonë ajo kompani u ble nga Oracle, ku vazhdoj të punoj edhe disa vite me radhë. Z. Boga ishte ai që hapi rrjetin e kësaj kompanie në gjithë Amerikën, Kanada dhe Amerikën Jugore, e cila pati një sukses të jashtëzakonshëm dhe që bëri t`u bie ne sy kompanive gjigante siç ishte Oracle, Huley Packard, IMB, e të tjera.

Përveç punës profesionale z, Boga është një ndër me të dalluarit aktivist me Diasporën e New Yorkut, dhe punëtor i palodhur për të mirën e kombit. Si njeri nga formuesit e NAAC-ut , ai përmes kësaj organizate dhe disa të tjera i ka kontribuuar shumë Kosovës sidomos gjatë luftës. Ai është anëtar i Bordit të shumë Fondeve, Fonacioneve dhe organizatave të tjera bamirëse, ku është vlerësuar për punën e tij me mirënjohje të shumta, duke përfshirë aty edhe atë nga shteti i Shqipërisë me titullin “Kalorësi i Skënderbeut”.

Boga, po ashtu ka udhëheqë programin e parë televiziv në gjuhën shqipe, në kanalin 47, në bashkëpunim me TV Prishtinën, ndërsa si sponsoruas ka patur biznismenin Bruno Selimaj.

Z. Boga ju me dekada jetoni dhe punoni në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Jeni larguar nga vendlindja juaj në vitet e 70-ta. Pse vendoset të jetoni në Amerikë?

Pasi e fitova bursën nga Komuna e Ulqinit për të studiuar fizikën u regjistrova pranë Universitetit të Beogradit në Prishtinë, ku me sukses i ndoqa studimet gjatë vitit shkollor 1969/70. Mirëpo për arsye të ndryshme u detyrova që ti ndërpres studimet dhe të largohem nga vendlindja. Edhe unë, si të gjithë shqiptarët e tjerë nga Mali i Zi, kam emigruar për arsye ekonomike që ishin si pasojë e rrethanave politike të shqiptarëve në Mal të Zi.

E kishit synim Amerikën?

Jo, megjithëse nga vendlindja ime kishte shumë të emigruar në Amerikë, por unë këtë synim nuk e kisha sepse dëshira ime ishte që të vazhdoj fakultetin. Mburresha për faktin se isha edhe gjenerata e parë e gjimnazit në gjuhën shqipe në Ulqin, kur me hapjen e këtij gjimnazi, filluan për të parën herë të mbahen manifestime që kishin të bëjnë me historinë dhe kulturën shqiptare, pra shqiptarëve në Mal të Zi, filloi t`ju ndihej zëri si shqiptarë. Synimi im ishte të kthehem në Ulqin si profesor i fizikes pranë këtij gjimnazi dhe mandej të vazhdoj punën dhe aktivitet e mia për të mirën e atij vendi. Por, stuhitë e fatit tim bënë që të ndahem nga ai vend dhe ta kaloj jetën në një realitet tjetër. Sidoqoftë, ishte ajo një fillesë e mirë qe mbetet përherë në kujtimet e mija më të hershme, sepse aty u formua formati i personalitetit tim, i cili do zhvillohej me vonë. Sivjet e kemi 50 vjetorin e diplomimit të maturantëve të parë të gjimnazit në gjuhën shqipe në Ulqin, dhe në Qershor do të shkoj, që së bashku me të tjerët ta festojmë këtë përvjetor.

Pse zgjodhët Amerikën, e jo ndonjë vend evropian?

E zgjodha Amerikën sepse ishte një vend i cili jepte më shumë perspektivë se çdo vend tjetër në botë. Gjithashtu, këtu kishin ardhur një numër i konsiderueshëm i vendlindësve të mi, andaj ajo e bënte ardhjen time diçka me te lehtë.

Sa ka qenë e vështirë rruga juaj deri te suksesi, dhe si arritët të punoni në sistemin bankar amerikan që në moshën 22-vjeçare?

Vështirësia e parë ishte gjuha të cilën nuk e dija pasi ne në shkollë si gjuhë të huaj kemi pasur Rusishten. Mirëpo, pata fatin dhe menjëherë u punësova në një restorant shumë të njohur në New York, ku të ardhurat ishin shumë të mëdha. Mirëpo synimi im gjithnjë ishte t`ju kthehem studimeve dhe pas një periudhe të shkurtër kalova të punoj në një bankë, megjithëse me një rrogë shumë më të vogël, por orari i punës ma mundësonte që pas punës të vazhdoj shkollimin. Andaj u regjistrova në fakultet Bernard M. Baruch College, Universiteti i Qytetit të New Yorkut, në drejtimin Administrim Biznesi dhe Kontabilitet, ku edhe kam diplomuar pas 6 vitesh.

Sa ka qenë e vështirë që krahas punës që keni bërë keni vazhduar edhe shkollën?

Ka qenë shumë e vështirë që krahas punës të vazhdoja edhe shkollën, por unë isha këmbëngulës në qëllimet që i kisha caktuar vetes. Prandaj, ky përkushtim beri që të arrijë një sukses të lartë si në punë ashtu edhe në shkollë, ku në çdo semestër kam qenë ndër studentët e dalluar apo si thuhet këtu “Deans List”.

Pas përfundimit të fakultetit, filluat punë në një kompani të kontabilitetit, si shqiptar i vetëm. A ka qenë ky hapi i parë drejtë fillimit të suksesshëm të karrierës suaj?

Pas mbarimit të fakultetit, jam regjistruar në master apo provimin për Certified Public Accountant, dhe pas një viti kam hyrë në provim dhe e kam dhënë për herën e parë, megjithëse mesatarja ishte 10 vjet për ta kaluar atë provim, sepse ky provim është shumë i vështirë dhe se, nëpër mes këtij shteti kontrollon edhe numrin e kontabilistëve të certifikuar. Nëse nuk merret Joseph DioGuardi si shqiptari i parë, atëherë unë jam kontabilisti publik i certifikuar i parë shqiptar në Amerikë. Puna ime mandej ka nisur në një nga firmat kontabiliste publike më të njohura në botë, që atëherë quheshin me emrin “Peat Marwick Mitchell”, e tani quhet KPMG, e që tashmë përfaqësinë e ka edhe në Tirane dhe Prishtinë, ku bëjnë auditimin e kompanive të ndryshme. E gjithë puna ime lidhet me Park Avenue në New York, duke filluar si kamerierë në restorantin “Brasserie”, mandej si kontabilist pran KPMG, si bankier në National Bank of Kuwait dhe LBS Bank – New York dhe së fundi i-Flex Solution inc/Oracle. Pranë KPMG kur arrita të bëhem menaxher i kam pasur klientët e mi, kisha 14 banka 7 banka nga ato ishin të huaja dhe 7 vendase.

Gjatë karrierës suaj, keni arritur t’i hapni dy banka, njëra ka qenë banka e Kuwaitit, dhe tjetra Banka e Lubjanës ku keni udhëhequr për 14 vite. Pas një kohe kur punuat si kontabilist vendosët prapë të merreni me fushën bankare. Ku e vazhduat karrierën?

Njëri prej klientëve të mi me të cilin kishim punuar disa kohë dhe që kishte një dijeni rreth aftësive të mia në fushën bankare më ka rekomanduar te National Bank of Kuwait, e cila ishte e interesuar që të hapë filialin e vet në New York. Përfaqësuesit e Kuwait më kontaktuan dhe si një i ri mu dukë diçka interesante dhe ekzotike, prandaj dhe e pranova ofertën. Kur e hapëm bankën e Kuwaitit në New York, natyrisht në Park Avenue, u mbajt një koktej solemn në Hotelin e njohur Woldorf Astoria, ku i thirrën përfaqësuesit e bankave të njohura nga e gjithë bota. Aty i takova edhe përfaqësuesit e Bankës së Lubjanës me të cilët mbajtëm kontakt. Edhe ata ishin të interesuar ta hapnin një bankë në New York, por jo filiale por “subsidiery” e cila do të njihej si bankë Amerikane dhe si e tillë punon nën rregulloret e Amerikës, dhe u shmanget atyre të vendit nga ajo vjen. Nuk e besoja se ata, duke qenë një bankë nga një shtet socialist do t`ja arrinin qëllimit, por së fundi atyre ju aprovua kërkesa dhe atëherë më bënë një ofertë që ishte vështirë ta refuzoja, sidomos kur shkova ne Slloveni ku nuk kisha qenë më parë dhe u njoftova me vendin dhe Bankën e Lubjanës. Ajo çka dua të them me këtë është se përveç punës së parë, asnjëherë në jetën time nuk kam kërkuar punë, puna më ka gjetur mua.

Cila ishte oferta e Banka e Lubjanës, ku ju lëshuat bankën e Kuwaitin dhe filluat punën në bankën tjetër?

Sikurse e citova edhe më lartë, kur e hapëm Bankën e Kuwaitit, shtruam një koktej solemn në Hotelin Waldorf Astoria, ku prezentë ishin bankierë nga bankat amerikane dha disa të huaja që ndodheshin në New York, njerëz të njohur nga gjithë bota, duke përfshirë edhe pronarin e Bankës së Kuwaitit, Z. Karafi, i cili njëkohësisht ishte edhe njeriu më i pasur në Kuwait. Në atë koktej kam takuar edhe bankierët e Bankës së Lubjanës, të cilët më thanë se janë të interesuar të hapin një bankë në New York, por si bankë amerikane, jo filial. Pra, bankë amerikane dhe pronë e bankës së Lubjanës, arsye kjo që banka mos të jetë nën ombrellën dhe kontrollin e Boardit. Pastaj, unë vazhdova ta mbajë kontaktin me ta dhe herë pas here më njoftonin për arritjet e tyre.

Aprovimi i bankës nga autoritetet Amerikane u realizua, dhe menjëherë e hapem bankën me emrin LBS Bank – New York. Ajo nuk kishte asnjë mbikëqyrje nga Sllovenia, përveç që disa nga Banka e Lubjanës ishin në Boardin e kësaj banke në New York. E them se këtë bankë e kam udhëheq për 14 vjet, megjithëse me shumë sfida, puna ka ecë mirë. Sfida e fundit ishte kur u shkatërrua ish- Jugosllavia, dhe Sllovenia u nda prej saj dhe u bë shtet i pavarur. Sipas ligjeve Amerikane, teknikisht kjo bankë do të duhej të riaplikoj përsëri në Amerikë, për shkak se ju ka ndërruar pronari, gjë që e rrezikonte ekzistencën e sajë. Por, mua më erdhi një ide, duke aluduar tek organet mbikëqyrëse Amerikane, se të drejtat e pronarëve ekzistues janë ende ata qe ishin me parë, përveç se të drejtat e këtyre si aksionarë u është suspenduar përkohësisht. Banka e Lubjanës në përbërje kishte rreth 3400 aksionarë, kryesisht bizneseve të ndryshmen në Slloveni, ndërsa vetëm 16% ishin të shtetit. Me këtë ide, vazhdoj prapë puna e bankës LBS-Bank në Amerikë, por erdhi problemi tjetër pasi që puna jonë ka qenë kryesisht të financojmë tregtinë që bëhej në mes të Jugosllavisë dhe Amerikës, por kur Sllovenia u nda nga Ish-Jugosllavia, duhej të gjendet një modus tjetër pune, që banka mund të ekzistoj, çka dhe kjo u bë dhe banka vazhdoj prapë punën me sukses. Titulli im në këtë bankë ka qenë Deputy-President, Chief Operating Officer and Chief Financial Officer, pasi sipas ligjit eksitus në Slloveni presidenti duhej të jetë i vendit të origjinës, megjithëse ata me tepër i silleshin për të mësuar punën. Punën në këtë bankë, e kam lëshuar në vitin 2000, pra pas 14 vitesh.

Pas LBS Bank- New York ju kaluat të punoni në diçka të re, në fushën e teknologjisë informatike, saktësisht në firmën I-Flex Solutions, e cila më vonë u ble nga Oracle një firmë e njohur në të gjithë botën.

Ishin dy arsye që më shtynë ta bëja këtë vendim, një ishte një sfide e re për mua, dhe doja ta testoj veten se më eksperiencë që kisha fituar a isha i aftë të punoj edhe në larmi të tjera përveç asaj financiare. Dhe dy, se me ekzekutivet e I-Flexit isha njohur lidhur me Bankën Amerikane në Shqipëri, ku kishim instaluar programet komputerike të I-Flexit. Me ta pata mbajtur kontakt dhe shpesh herë ju jepja ide për ta zhvilluar biznesin e tyre edhe në Amerikë, megjithëse atëherë ishte pak problematike, pasi si pronar ishte edhe Citibank dhe me ligj ishte e ndaluar të merrej me ndonjë biznes përveç atij bankar. Mirëpo, më vone ai ligj u relaksua dhe kur po bisedoja përsëri me ata të I-Flexit dhe u tregova se do e lëshoj punën në LBS Bank, ata menjëherë më ofruan të punoj për ta dhe më këshilluan të shkoj në Indi dhe t’i vizitoj të gjitha zyrat e tyre që kishin në shumë qytete. Për mos ta zgjatur, pasi u ktheva e mora vendimin dhe fillova punën për ta hapur këtë biznes në Amerikë. Edhe kjo u realizua së shpejti dhe menjëherë filluam punën me shumë sukses ku e përhapëm rrjetin tonë në të gjithë Amerikën, Kanada dhe Çile. Përveç, kësaj ne i blemë edhe tri kompani të tjera që kishin produkte te cilat e komplimentonin produktin tonë kryesor Flex Cube. Ky sukses, bëri që t`u biem në sy kompanive të mëdha dhe eventualisht të na blejnë Oracle, ku vazhdova të punoj deri në moshën 60 vjeçare, kur ja kisha premtuar vetes se do ta lë punën fitimprurëse, dhe do të merrem me pune të tjera bamirëse. Nga ana financiare, punësimi im në I-Flex Solutions/Oracle më ka ndihmuar më së shumti dhe që ma mundësoj ta lëshoj punën në një moshë para pensionit.

Krahas punës së keni bërë ju keni punuar edhe pune tjera. E përmendim se jeni emëruar nga vet presidenti Bill Clinton, anëtar i Bordit të Fondit Shqiptaro- Amerikan, prapë si shqiptar i vetëm, por keni qenë edhe anëtar i bordit edhe në shumë institucione tjera. Si e keni pritur këtë emërim, dhe a ka qenë edhe një tjetër sfidë e radhës drejtë suksesit tuaj?

Gjatë punës qe bëja si ekzekutiv, njëkohësisht isha edhe në Bordin e Fondit Amerikan në Tiranë që nga viti 1996, e që vazhdoj te jem ende, i emëruar nga Presidenti Amerikan Bill Clinton; anëtar i Bordit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim nga viti 2009 e tutje; President dhe krijues i Fondacionit Kulturor Shqiptar-Amerikan nga viti 1994 e tutje; anëtar i Bordit të Fondacionit Ndërkombëtar Virtual E- Spital nga viti 2006 e tutje; anëtar i Bordit në Eden II një shkollë për fëmijët me autizëm nga viti 2010 deri me 2018; anëtar dhe një nga themelues te Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan apo NNAC, nga viti 1997 deri në vitin 2010; ish anëtar i Bordit në Fondacionin e Edukimit “Harry Fultz, nga viti 2005 deri në vitin 2009; ish anëtar i Bordit, Dhomën e Tregtisë Shqiptaro-Amerikane nga viti 2010 deri në vitin 2012; ish anëtar i Bordit të Bankës Amerikane në Shqipëri, nga viti 1997 deri në vitin 2007.

Po ashtu, për punën që kam bërë jam shpërblyer edhe me disa mirënjohje modeste, si titullin “Njeriu i vitit”, nga ART Club- Ulqin në vitin 2000, nga qyteti i Korçës në vitin 2012 me titullin “Qytetar nderi”, nga populli amerikan USAID në vitin 2015, me titullin “Certifikata e vlerësimit”, po ashtu nga qyteti i Ulqinit në vitin 2015 me “Certifikatë të Vlerësimit”, dhe në vitin 2015 jam nderuar nga shteti i Shqipërisë me titullin “Kalorësi i Skënderbeut”. Lista është edhe më e gjatë, por këto ishin ndër ato me më rëndësi.

Çfarë aktivitetesh ka kryer Fondi Amerikan në Tiranë, ku ende jeni anëtar i Bordit, ku edhe krijuat Bankën Amerikane në Shqipëri?

Pas rënies së komunizmit, Kongresi Amerikan ka aprovuar një Fond që t’u ndihmojë shteteve në tranzicion, gjerësisht ekonominë e vogël te tyre, për krijimin e bizneseve të vogla dhe transformimin e bizneseve ekzistuese. Ky projekt Amerikan ka ndihmuar Rusinë, Poloninë, Çekosllovakinë, dhe të tjera shtete qe posa ishin liruar nga prangat e komunizmit. Shqipëria ishte e fundit që u bërë pjesë e këtij Fondi, pikërisht me 1995, me një shumë prej 30 milionë dollarëve. Në Bordin e këtij Fondi, ishin të gjithë amerikanë, edhe unë si amerikan por me origjinë shqiptare, të gjithë të emëruar nga presidenti Bill Clinton. Kur filluam të investojmë në Shqipëri, kushtet ishin mjaftë të vështira, sistemi bankier nuk funksiononte si duhet. Në vitin 1997, përveç disa investimeve që i kishim bërë deri atëherë, erdhëm deri tek vendimi që të hapim një bankë amerikane në Shqipëri, dhe e quajtëm American Bank of Albania, së pari në Tiranë e madej edhe ne qytete tjera. Bankën e udhëhoqi një italiano-amerikan dhe ajo pati mjaft sukses, dhe u bë si model pune për bankat tjera në Shqipëri. Kjo bankë u bë katalist, që sistemi financiar në atë kohë të ishte sistemi apo dega më e mirë ekonomike në Shqipëri. Banka Shqiptaro-Amerikane, apo Albanian American Bank, ka punuar për 14 vite dhe mandej në vitin 2007 ia shitem një banke italiane për 167 milionë dollarë.

Ndërkaq, puna ime në Fondin Shqiptaro- Amerikan, i cili ka pasur një mandat investimesh prej 10 vjetësh, ka qenë edhe një sfidë e radhës, pasi isha i vetmi shqiptar ne Bord, e cila kërkonte që nga një anë të luaja rolin tim si anëtar i bordit, por në anën tjetër, t’i mbroj interesat dhe trajtimin e imazhit tanë nga të huajt. Meqenëse, Shqipëria si shtet dhe ne shqiptarët si komb jemi të vegjël, është e rrallë që të huajt të na marrin me një seriozitet apo qëndrim të sinqertë. Jam munduar që çdo vendim të jetë për të mirën e Shqipërisë dhe për të mirën popullit të saj. Gjithashtu, si Chairman i Investimeve e me vonë si Chairmen i Auditimit kam tentuar që mos të na ndodhë edhe ndonjë e papritur, pasi ne Shqipëri fatkeqësisht korrupsioni është bërë normë dhe se institucionet shtetërore ende janë impotente për tu ballafaquar me një situatë të tillë. Dua të përmend se si anëtar i Bordit të Fondit, të Bankës Shqiptaro-Amerikane dhe më vonë edhe të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, pa marrë parasysh fitimin që kemi pasë, të gjithë anëtarët e bordit punën e tyre e bëjnë probona dhe nuk paguhen për asgjë përveç kompensimit të shpenzimeve të udhëtimit. Ndërsa, punëtoret tanë janë ndër më të paguarit në Shqipëri, dhe ne mburremi jo vetëm me suksesin që kemi arrit në aspektin financiar, por edhe për avancimin e resurseve njerëzore, si për shembull Fondi dhe Fondacioni tani udhëhiqen nga dy shqiptar e jo më të huaj.

Fondi, i cili punën e vet e filloi me një kapital prej 30 milion dollarë, i ka kontribuar rreth 2 miliardë dollarë GDP-s së Shqipërisë, duke krijuar rreth 7000 vende pune dhe ka tërhequr rreth 300 milion investime direkte të huaja apo FDI. Gjatë periudhës 10 vjeçare të investimeve, Fondi ka grumbulluar nga përfitimet një kapital prej rreth 300 milion dollarë, që shërben për të fonduar punën e Fondacionin Amerikan për Zhvillim. Dua të përmend se Fondi i ka paguar Thesarit Amerikan 15 milion dollarë apo, gjysmën e shumës të dhënë prej 30 milionësh dollarë. Derisa, Fondi ishte për një mandat te caktuar, Fondacioni është i përhershëm dhe nuk ka mandat, pra do të zgjatë deri sa të ketë të holla. Investimet që bën Fondacioni janë ndryshe nga ato të Fondit, megjithëse objektivat janë pothuaj të njëjta – merret drejtpërdrejtë me projekte të fokusuara në zhvillimin e një ekonomie të qëndrueshme të tregut të lirë, dhe zhvillimin e një shoqërie demokratike në Shqipëri, duke u fokusuar deri tani në tri sfera te rëndësishme: Arsim dhe Lidership, Sipërmarrje dhe Entrepreneurship, Turizëm Kulturor dhe Eko-Turizëm. Gjurmët e këtyre investime mundë të vërehen jo vetëm në Tiranë, por edhe në shume qytete te tjera. Ne mundohemi të bëjmë investime që do të shërbejnë si katalist për transformimin e shoqërisë dhe ekonomisë së Shqipërisë.

Unë kam tentuar që të krijojmë një Fond të tillë edhe për Kosovën dhe në bashkëpunim me Ambasadorin e Kosovës në atë kohë në Washington, z. Avni Spahija dhe disa zyrtarë të USAID-s, pothuaj gati ia arritëm qëllimit, por mos koordinimi apo edhe mos interesimi i disa qeveritarëve për një projekt të tillë, bëri që kjo iniciativë të dështojë.

Z. Boga ju keni qenë një nga themeluesit e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan NNAC, dhe në kohën e luftës, keni ndihmuar popullin e Kosovë në mënyra të ndryshme, e që vazhdoni edhe tani ta ndihmoni, ku keni marrë shumë mirënjohje dhe tituj të ndryshëm për veprimtarinë tuaj. Ju bënë kjo edhe më të fortë drejtë suksesit?

Dua t’ju tregoj se si erdhi deri te formimi i këtij Këshilli. Në New York patëm organizuar një tubim të disa bashkatdhetarëve tanë ku mori pjesë edhe Anthony Atanasi. Qëllimi i këtij tubimi ishte mbledhja e të hollave në një shumë prej rreth 150 mijë dollarë, për renovimin e ambasadës së Shqipërisë në Washington. Aty u mblodhën pa problem të hollat, dhe më pas, Anthony tha se është mirë ta kemi një organizatë, që mblidhemi dhe veprojmë për çështje kombëtare. Në mbledhjen tjetër, që u mbajt në zyrën e z. Domenk Scaglione dhe që e udhëhoqi ish Ambasadori Amerikan ne Shqipëri Z. Willam Ryerson u diskutua shumë se çfarë forme duhet të marr kjo organizatë. Ideja ime ishte e formimit të një organizate, në mënyrë që të konsolidohet diaspora, dhe propozimi im ishte që kjo organizatë të bëhet organizatë ombrellë e të gjitha organizatave tjera. Mirëpo, pasi që situata në Kosovë kishte filluar të acarohej, në mbledhjen e tretë, e cila u mbajt në zyrat e Fondacionit tim, u diskutua dhe ramë në dakord që të formojmë një organizatë lobuese në Washington, e cila u formua po atë ditë dhe ky kryetar u zgjodh z. Sami Repishti. Dua të përmend se NAAC-u, ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, e cila njëherazi ka qenë edhe organizata qe ka ndikuar te jemi bashkuar në Diasporë, në situata më kritike për Kosovën dhe kombin tone. Është më se e vërtetë se shumë vendime që janë marrë në Washington, nuk do kishin ndodhë sikurse mos të ekzistonte NAAC-u.

Nuk ka pas javë që nuk jemi takuar me ndonjë nga Departamenti i Shtetit. Dua ta përmend takimin me një zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit në restorantin e z. Bruno Selimaj atë kohë kur pati ndodhur masakra e Reçakut, ishte formuar UÇK-ja. Në moment e pare posa filloi mbledhja, ai na u drejtua duke na thënë se çka duhet të bëjmë tani, si të veprojmë, a ta përkrahim Rugovën apo UÇK-në?, pasi që UÇK-ja dhe Ibrahim Rugova nuk u merreshim vesh, ndërsa në anën tjetër, Bujar Bukoshi ishte kryeministër në ekzil. Po atë ditë u arrit vendimi ynë që ta përkrahim UÇK-në, dhe me po atë ditë UÇK-ja, është hequr nga lista që mbante epitetin e një organizate terroriste, dhe ku është dhënë drita e gjelbërt për të mbështetur UÇK-në.

Duhet përmendur se diaspora në Amerikë ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm, në takime, biseda, kontribute financiare për luftën në Kosovë, dhe ka mbështetur financiarisht shumë vizita të zyrtarëve nga Kosova etj. Vlen ta citoj se nëpër duar e mija kanë kaluar mbi 1 milionë dollarë që i kemi dërguar Kosovës.

Dua t’i përmend edhe dy organizata tjetra qe atëherë funksionin nën ombrellën e Fondacionit Kulturor Shqiptaro-Amerikan, njëra ka qene e Anës së Malit nën udhëheqjen e z. Xheladin Zeneli, dhe tjetra Organizata e Grave, “Motrat Qiriazi” që udhëhiqej nga z. Shqipe Malushi, e të cilat kanë kontribuar shumë për të mbledhur mjete financiare për Kosovën. Por, edhe shumë organizata të tjera përveç këto që përmenda kanë ndihmuar Kosovën në mënyra të ndryshme. Pra pa ndihmën e Diasporës Kosova nuk do ishte ajo që është sot!

Ku është NNAC-u tani?

NNAC-u tani është dormant, nuk është aktiv, megjithëse duhet të ishte. Pas fitores së luftës në Kosovë, kjo organizatë nuk arriti të transformohet në një organizatë me synime të reja për ta ndihmuar ndërtimin e institucioneve shtetërore dhe zhvillimin e ekonomisë se Kosovës. Sikurse NAAC-u ta vazhdonte punën që ka bërë më parë, me siguri se në Kosovë nuk do ndodhshin këtë çka po ndodhë: ku demokracia është shndërruar ne autokraci diktatoriale; ku korrupsioni e ka kapluar ekonominë dhe e ka shtanguar zhvillimin e saj; ku njerëzit, sidomos te rinjtë, po largohen dita ditës; ku gjithnjë e më shumë populli po e humb shpresën për një te ardhme më të mirë.

Sa është unifikues komuniteti shqiptar në ShBA, sa i përket interesave kombëtare?

Diaspora reflekton situatën në vendet nga ajo ka origjinën. Edhe ne jemi plotësisht të shpërndarë, plotësisht të pakoordinuar për çështjet madhore, vetëm nëse ndodhë ndonjë luftë apo ndonjë trazirë e tillë, ndoshta mund të bëhemi bashkë. Marrëdhëniet mes shqiptarëve në Diasporë, janë edhe më të komplikuara, sepse janë bërë me qindra organizata, ku secila është “Mbret” në atë kasollen e vet – kështu e kemi ne shqiptarët. Nga aspekti ideologjik, sot jemi edhe më keq, sepse kemi mbetur pa një lidershipi të vërtet, edhe diaspora e ka humbur shpresën tek elita politike si në Kosovë, po ashtu edhe në Shqipëri. E përderisa situata të jetë e tillë në shtetin Amë dhe në Kosovë, atëherë çka të presim për situatën e shqiptarëve në Maqedoni, Mal të Zi, apo Preshevë e Bujanoc, e mos të flasim për Çamëri që është në fazën përfundimtare të zhdukjes e të qenurit shqiptar.

Si e vlerësoni Samitin e Diasporës, i organizuar nga kryeministri Edi Rama?

Unë personalisht, megjithëse kam qenë i ftuar, nuk kam qenë as vjet e as sivjet. Nuk është vetëm se e ka etiketën politike, por nuk bëhet ashtu siç është bërë. Duhet të ketë një farë organizimi më formal me një bord të formuar nga Ministria për Diasporë, dhe nga vetë Diaspora, i cili duhet të merret me organizimin e saj dhe me programin vjetor. Pyes, kush i caktoj ata njerëz që morën pjesë, në procedurë të komunitetit, apo me çfarë – pra duhet të jetë një lloj filtri, e jo të shkoj kush do, ose të jetë e hapur për të gjithë, dhe jo të bëhen dallime. Për mendimin tim, disa nuk e meritojnë të jenë aty, sepse nuk janë të denjë për një ngjarje të tillë. Ndërsa, shumë të tjerë e meritojnë, por nuk janë të angazhuar. Përfundimisht, si ide është e mirë, por duhet punuar për të arritur një rezultat të mirë dhe të qëndrueshëm. Ne si komb na mungon një platformë e përbashkët që duhet të vlejnë për të gjithë, dhe që duhet të merret me tri çështje elementare te kombit: si komb ku kemi qenë, ku jemi dhe ku do shkojmë? Ne shumë flasim për të kaluarën, por shumë pak për të ardhmen!

Z. Boga, ju njëherazi jeni edhe nënkryetar i Universitetit AUK në Kosovë, në krye të financave dhe anëtar i Bordit të AUK-ut, ku vazhdimisht ndihmoni këtë institucion arsimor. Jeni i kënaqur me punën e deri tanishme të këtij institucioni arsimor?

Me këtë drejtim që kemi marrë jemi shumë të kënaqur me punën e këtij institucioni arsimor. Por, nëse mundëm të arrijmë të bëjmë një marrëveshje të mirë me Rochester Institute of Technology apo IRT-në, besoj se ky institucion do të ecë edhe më mirë. Një nga sfidat kryesore me të cilën po ballafaqohemi tash sa vite është zvogëlimi i numrit te studentëve që ende vazhdon. Kjo mundet të shpjegohet se gjendja ekonomike në Kosovë veç po vjen duke u acaruar, por edhe nga fakti se studentët e mirë kosovar të cilët janë edhe kandidatët tanë kanë edhe zgjedhje të tjera, për të vazhduar studimet jashtë vendit. Por sidoqoftë, nga synimet që kemi tani, planifikojmë të hapim edhe drejtime tjera sipas kërkesave të tregut, përpos këtyre ekzistuese në AUK, po ashtu të ofrojmë edhe Master Degree program. E theksoj se një numër i madh i studentëve që mbarojnë fakultetin në AUK, kanë dëshirë të vazhdojnë edhe me master, prandaj për këtë do ta kemi numrin e duhur të studentëve. Në lidhje me shtimin e numrit të studentëve, rezultate te mira po jep edhe angazhimi ynë që të sjellim sa më shumë student edhe nga Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi. Dhe tjetra është një iniciativë nga IRT, që tenton ta ndryshoj edhe modusin e punës, që studenti vet ta drejtoi programin e tij edukativ, e jo Universiteti. Këtu shoh edhe një oportunitet tjetër, se shumë student në Kosovë janë diplomuar në Universitete tjera, mirëpo ata po hasin në vështirësi në tregun e punës. Kështu që kurdo ata do të duhet të marrin prapë pak njohuri të reja. Prandaj, Universiteti ynë AUK, do të jetë mënyra që ata do të vijnë të marrin ato lëndë specifike, të cilat atyre u duhen për punë, dhe në këtë mënyrë do ta rrisin rrjetin e studentëve.

Dua ta theksoj edhe dy gjëra që ndoshta njerëzit ende nuk i kanë të qarta, se AUK-u është më të vërtetë Universitet Amerikan, studentët tanë marrin diplomat e Rochester Insitute of Technology, i cili është mjaft i njohur në Amerikë. Dhe dy, se ky Universitet është jo-fitimprurës, pra nuk është privat, pasi pronar është një Fondacion jo-fitimprurës dhe se anëtarët e bordit nuk marrin kurrfarë kompensimi, bile as për shpenzime udhëtimi. Përkundrazi, anëtarët e bordit për çdo vit japin me qindra mijëra ndihmë donacione, të cilët deri tani kumulativisht kanë kaluar një shifër shumë të madhe.

Keni shumë vjet përvojë pune në fushën bankare dhe të investimeve. Si e vlerësoni sektorin e investimeve dhe të ekonomisë në Kosovë?

Kosova ka një pasuri të dukshme që me një ekonomi të zhvilluar do dilte së shpejti nga çdo krize, dhe do bëhej ndër vendet më të pasura në Ballkan, por fatkeqësisht ekonominë e saj e ka kapluar korrupsioni dhe oligarkia që është e lidhur ngushtë me udhëheqësit e pushtetit dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Pra, korrupsioni është kanceri i ekonomisë, aty ku ka korrupsion ka kancer, aty ku ka kancer nuk ka shëndet. Kur një njeri ka kancer ai duhet të operohet, ose duhet të jepet ajo terapi e duhur që të zhduket kanceri. E njëjta, duhet të bëhet edhe me kancerin në ekonomi, por fatkeqësisht institucionet shtetërore në Kosovë janë nën influencën politike, dhe si të tillë ato janë impotente për t`u ballafaquar me korrupsionin dhe dukuri të tjera regresive në ekonominë e Kosovës.

Si e arsyetoni hezitimin e diasporës për të investuar në trojet shqiptare, dhe sipas jush, cila është atmosfera që duhet krijuar diasporës liderët politik shqiptarë, në mënyrë që ajo të ndihet e sigurt për të investuar në vendin e origjinës?

Për të arritur një sukses, jo vetëm në Kosovë, në Shqipëri, por edhe në Mal të zi, në Maqedoni dhe në të gjitha vendet e Ballkanit, nuk mund ta bësh nëse nuk je me të njëjtën vijë apo përkrahës i atyre që janë në pushtet, përndryshe, edhe përkundër vullnetit të mirë që dikush nga Diaspora të bëj ndonjë investim apo diçka tjetër, është pothuajse e pa mundshme sepse ata të bllokojnë në çdo aspekt. Njerëzit nga diaspora, në përgjithësi, janë atdhedashës dhe melankolike për ata c`ka kemi lanë pas; ata kanë dëshirë të investojnë në vendlindje, por kur ballafaqoheshin me probleme të natyrave më të ndryshme, mbesin të zhgënjyer dhe tërhiqen. Këtë Kosova duhet ta kuptojë se përderisa Kosovarët që jeton në një shtet ku kushtet dhe mundësitë janë të pafundme për investime si p.sh në Amerikë, apo edhe Evropën Perëndimore, pse dikush duhet ta tërheqë kapitalin nga një vend ku investimet janë të bazuara në ligj dhe të rrezikojë në një vend që aspak nuk është i sigurt.

Për këtë dua të jap një shembull. Në bordin e AUK-ut kemi pas një shqiptarë nga Gjakova që në Kosovë ka krijuar një “IT Center” që e ka brenduar “Bane Vet”. Ai ka jetuar shumë kohë në Zvicër, ku ka pas kompaninë e vet. Para ca vitesh ai e ka shitur kompaninë për një shumë të konsiderueshme ku mundet te thuhet se është bërë milioner. Pas kësaj, ka ardhë në Prishtinë, ka ndërtuar një shtëpi shumë të mirë, dhe ka bërë disa investime në Kosovë, por me sfida shumë të madhe. Dhe pasi që ka hasur gjithmonë në vështirësi, ai ka marrë vendim të kthehet prapë në Zvicër, dhe e ka lëshuar edhe pozitën në Bordin e AUK-ut. Ky është çmimi i tij i zhgënjimit. Pra, ja një shembull pse diaspora heziton të investoj në Kosovë dhe në vendet tjera.

Nga ana tjetër, s’dua ta mohoj suksesin e disave nga diaspora qe kanë investuar në Kosovë dhe kanë krijuar brende të njohura, por më së shumti janë ata që kanë bërë investime të vogla nëpërmes lidhjeve familjare, apo thjeshtë për t`u ndihmuar atyre.

Të ndalemi edhe pak tek Kosova. Si i shihni zhvillimet e fundit në Kosovë, sidomos punën e liderëve të partive politike?

Unë mendoj se liderët e deritashëm të Kosovës kanë ra në provim për ta udhëhequr Kosovën ashtu si duhet dhe për ta avancuar atë politikisht, ekonomikisht, dhe për ta çuar atë në rrugën e bashkimit kombëtar. Janë dy mënyra, që këta njerëz, pra elita politike në Kosovë të tërhiqen nga skena politike. Një mënyrë, është që largohen me anë të votës duke mos i votuar më në postet e tyre, edhe pse kjo është shumë e vështirë, sepse po këta e kontrollojnë procesin zgjedhor. Kurse mënyra e dytë, është më forcë, por kjo e fundit është shumë e rrezikshme. Mendoj se ndryshimet mund të bëhen pa force por do zgjati shumë kohë. Këta që janë në pushtet do plaken apo do amortizohen si persona politik dhe vendet e tyre do i zënë gjenerata të reja të shkolluar mirë dhe që do donë ta udhëheqin shtetit ashtu si duhet, dhe si e kërkon një demokraci e vërtetë. Prandaj, unë jam optimist dhe e shoh Kosovën me një të ardhme të mirë. Kjo situatë e deritanishme, jo vetëm në Kosovë por edhe në tëre Ballkan, është problem që duhet ta zgjidhin Evropa dhe Amerika, sepse të dyja kanë treguar mungesë të menaxhimit te këtij tranzicioni, pra nuk e kanë menaxhuar ashtu si duhet transformim post komunist në këtë rajon, ashtu sikurse e patën menaxhuar rendimentin e Evropës perëndimore pas luftës së dytë Botërore me Planin Marshall. Për këtë situatë, mundemi të themi se Amerika është fajtore për mungesën e lidershipit , ndërsa Evropa për zbatim dhe kooperim më të ngushtë. Pra, tranzicioni ka mundur të menaxhohet më mirë ,andaj dhe jemi këtu ku jemi. Dua të them se nuk jam i sigurt nëse këtë e kanë bërë me qëllim apo pa qëllim, por sidoqoftë të dyja, si Amerika e po ashtu edhe Evropa, duhet ta nxjerrin vetën, edhe ne, nga moçali që kanë krijuar në Ballkan.

Si e vlerësoni dialogun mes Kosovës dhe Serbisë?

Ndoshta jam tepër i drejtpërdrejtë, por unë i shoh të gjitha dialogun e deritanishme me Serbinë të bëra në kushte të papjekura dhe jo ne dobi të Kosovës. Për të pas një dialog të mirëfilltë me Serbinë, ajo së pari duhet t`i plotësoj disa kushte primare: 1) ta pranojnë se ishin agresor dhe të kërkojnë falje për gjenocidin dhe spastrimin etnik që kanë bëre mbi popullin e Kosovës gjatë këtyre 150 viteve. 2) t`i paguajnë Kosovës dëmshpërblimin e luftës dhe akteve kriminele apo jo ligjore që kanë bërë mbi popullin kosovar dhe territorin e saj dhe 3) ta njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Vetëm kur t`i plotësojnë këto tre kushte atëherë mundemi të themi se janë pjekë kushtet për një bisedë bilaterale në mes këtyre dy shteteve të pavarura. Si ka kuptim te bisedosh me Serbinë për ndonjë çështje tjetër, për deri sa ajo nuk të njeh si shtet the orvatet me të gjitha fuqitë që ka për të shtrirë përsëri nën kthetrat e saja. Çdo presioni që vjen nga jashtë duhet kundërvu me argumente, se si janë zgjedhë probleme të tilla me parë në vende të ndryshme të Botës a sidomos në Evropë. Ne nuk duhet ta lejojmë veten kurrë të njihemi si fajtor, edhe pse në fakt kemi qenë dhe jemi viktima e të padrejtësisë që është bërë mbi ne, jo vetëm nga Serbia por edhe nga vetë Evropa.

Si i shihni zhvillimet e fundit në Kosovë, sidomos në idenë e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, për ndryshimin apo korrigjimin e kufijve?

Sikurse e ceka edhe me lartë, si mundet z. Thaçi apo kushdo tjetër të bisedoj me Serbinë për derisa ajo nuk e njeh Kosovën si shtet, dhe për çdo ditë mundohet ta acarojnë situatën në zonën e Mitrovicës veriore, të cilën tenton të ja bashkëngjis Serbisë. Sikurse e kanë quajtur edhe të tjerët, këto janë vetëm ca aventura apo pazarllëqe të bëra për interesin personal dhe asgjë e mirë nuk mundet te rrjedhë nga këto orvatje pothuajse personale. Fatkeqësisht historia e jonë është e mbushur me aventura te tilla, mjafton të përmendim Esat Pashë Toptanin dhe pazarllëqet e tija me Malazezët për t`i dorëzuar Shkodrën, apo Mbretin Zog dhe pazarllëqet e tija me Serbët që shkaktojë humbjen e Shën Naumit.

Z. Boga Kosova ka festuar 20 vjetorin e çlirimit të saj dhe 11 vjetorin e Pavarësisë. Si e shini Kosovën pas tërë këtyre viteve dhe a e keni menduar më ndryshe?

Çlirimi i Kosovës nga kthetrat Serbe ishte një gjë e madhe jo vetëm për Kosovën por edhe për Shqipërinë dhe të tërë kombin shqiptar. Është shumë mirë që për çdo vite ne i përkujtojmë këto dy ngjarje me rëndësi. Sa i përket pyetjes tuaj se si e shoh Kosovën sot pas tërë këtyre viteve, me ju treguar të drejtën unë nuk shoh Kosovën aty ku e kam menduar, por mbetem optimist për një ardhje më të mirë. Shpresoj që së shpejti këto dy data me rëndësi t`i zëvendësojmë me një edhe më të rëndësishme, me atë të bashkimit kombëtar, pra të jemi bashkë në një Shqipëri të vërtetë aq sa është, e jo te cunguar. Unë absolutisht jam i bindur se kjo ditë do të ndodhë, pasi që këtë askush nuk ka drejte të na e ndaloj dëshirën tonë për vetëvendosje, nuk ka ligj në botë që mohon dëshirën e një kombi për të jetuar së bashku në një shtet.

Nëse Kosova dhe Shqipëria janë të dyja shtete të pavarura, kush mund t’i ndalojë ato të bashkohen, kush mund të na ndalojë ta heqim kufirin, prandaj atë duhet ta heqim vet edhe sa më parë. Kjo është edhe një thirrje e imja që liderët e të dyja shteteve të jenë më proaktiv për realizimin e dëshirës shekullore për bashkimin kombëtar. Ai që nuk punon në këtë drejtim mund të themi thjeshtë se është armik, apo nuk e meriton të jetë në asnjë funksion politik. Pra nuk duhet të kemi dy shtete shqiptare, duhet vetëm një, dhe kjo është dëshira e pothuaj të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen në botë. Vetëm bashkimi kombëtar dhe qeverisje më të mira se kemi pas deri sot, mundet të na e sigurojnë ekzistencën tonë kombëtare.

Njiheni si kontribuues i madh i vlerave të kulturës shqiptare, ku keni përkrahur shumë artistë. Do të vazhdoni edhe më tutje me këtë mbështetje?

Një prej arsyeve kryesore që kam lëshuar punën kur kam mbushë 60 vjet, është të merrem pak më shumë me aktivitete të lira, sepse edhe më herët Fondacioni Kulturor Shqiptaro-Amerikan te cilin e keni formuar ne vitin 1994 së bashku me Turhan Tiranën, një amerikan me origjine shqiptare, ka mbështetur simpoziume, publikim të librave dhe aktivitete të tjera në dobi te kombit. Ne Mal të Zi në bashkëpunim me Art Klubin dhe të një profesor timin të gjimnazit z. Riza Rezha, kemi mbajtur disa simpoziume me rëndësi historike dhe kulturore. Mandej në New York kemi mbajtur Simpoziumin e parë për shqiptarët në Mal të Zi nën ombrellën e Universitetit të New Yorkut dhe Colunmbia University. Dua të përmend gjithashtu simpoziumin që në bashkëpunim me z. Gjelane Hoxha nga Prishtina, kemi organizuar për Kalanë e Ulqinit, se si të shndërrohen monumentet kulturore historike të kësaj kalaje në pasuri ekonomike. Në këtë simpozium kanë marr pjesë ekspertë nga tërë bota, pra ka qenë një simpozium me renome botërore.

Mandej kemi edhe Festivalin Ndërkombëtar të muzikës klasike “Belcanto Dolcinio”, që mbahet për çdo vit në Ulqin gjatë javës së parë të Shtatorit, e që do të vazhdoj edhe sivjet. Vitin e kaluar kemi pas mysafire të madhen Inva Mulën, e cila me prezencën e saj në këtë festival na ka nderuar jo vetëm ne organizuesit por të gjithë Ulqinin. Por edhe Ulqini atë e ka pritur dhe e ka percjellë me nderimet më të mëdha. Përveç këtyre kam edhe disa projekte te tjera sikurse ndërtimin e një shkolle fillore të fonduar nga Diaspora, Komuna e Ulqinit dhe Ministria e Arsimit, si edhe konvertimin në qendër kulturore dhe muze shkollën më të vjetër në Vladimir, Komuna e Ulqinit, që fatkeqësisht ndodhet e rrënuar, por jo e harruar nga shumë nxënës dhe mësues të asaj shkolle. Kam edhe disa projekte te tjera, por mjafton me kaq, sepse nuk dua të dalë sikur po e lëvdoj veten.

Gjithashtu do doja të përmendi edhe disa shkrime te shumta te cilat janë botuar në gazetën “Illyria”, dhe në gazeta tjera, shumica e të cilave janë pothuajse punime shkencore. Tematikat që kanë ka të bëjnë janë kryesisht me shqiptaret në Mal të Zi dhe për situatën në Kosovë gjatë luftës, si dhe trajtimin e saj nga Kombet e Bashkuara. Tentoj që një ditë t`i përmbledh të gjitha këto shkrime dhe t`i botoj në një libër, megjithëse pjesa më e madhe e tyre nuk janë më aktuale. Vlen të theksoj, se ishte ky angazhim i imi për të shkruar që bëri të regjistrohem edhe për një master tjetër pranë Universitetit te Norwichit, i cili është Universiteti ushtarak privat me i vjetri në Amerikë, ku dhe mora diplomën “Master in International Relations and Diplomacy”. Ishte kjo edhe një sfidë që ja përcaktova vetes edhe pse pak në moshë. Njohuritë që mora aty për marrëdhëniet ndërkombëtare, ishin shumë me rëndësi se mi plotësuan disa zbrazëtira qe i gjeja gjatë shkrimeve të mia.

Meqë jeni një shqiptar që rrënjët i keni nga Ulqini, shumë vëmendje keni treguar dhe vazhdoni të tregoni sa i përket trashëgimisë historike dhe kulturore të Ulqinit. Komenti juaj?

Sikurse e ceka më lartë, momentalisht në Ulqin kam edhe dy projekte të papërfunduara: e para është ndërtimi i një shkolle fillore në Sukubine, komuna e Ulqinit, të cilën iniciativë e pat bëre z. Richard Lukaj, pasi ai vet rrjedh nga ky fshat. Ishte ky një bashkëpunim i përbashkët në mes të Diasporës, komunës së Ulqinit dhe Ministrisë së Arsimit të Malit të Zi. Fatkeqësisht punët nuk shkuan ashtu si duhet, por unë nuk pranova kurrë të heq dore nga ky projekt, dhe besoj se sivjet do të përfundojë shkolla, kështu që vitin e ardhshëm nxënësit e shkollës fillore të këtij fshati do të kenë një objekt modern, i cili do i shërbejë këtij vendi për shumë vite me rrallë. Kurse projekti tjetër, është rindërtimi i shkollës më të vjetër që është në Vladimir, ku pas rindërtimit do të shndërrohet në Muze dhe në Qendër Kulturore. Edhe me këtë projekt jemi në fazën përfundimtare, ku besoj se në Maj do të përfundojë marrëveshja me Ministrin e Arsimit e nën pronësinë e së cilës ndodhet shkolla, ndërsa një pjesë e madhe të sipërfaqes që posedonte kjo shkollë që privatizuar në mënyrë jo ligjore. Për ta përfunduar, fshatin tim ku kam lindur dhe Ulqinin ku jam emancipuar i dua shumë dhe do mundohem për ta deri në momentin e fundit të jetës time.

Z. Boga, cili është mesazhi juaj drejtuar fillimisht shqiptarëve dhe po ashtu edhe liderëve të Kosovës dhe Shqipërisë?

Një ndër përgjegjësit më me rëndësi që kanë liderët që udhëheqin shtetin është që përveç punës që duhet ta bëjnë me nder, duke menduar për të mirën e popullit e jo për interesat e veta, ata duhet të kujdesen që të përgatitin gjeneratat e reja të cilat duhen t`i zëvendësojë ata. Sikurse thotë një këngë me titull “Gambler” e kënduar nga amerikan Keni Rogers, e cila në mes të tjerash thotë, “se nëse donë ta luash lojën duhet të mësosh që ta luash drejtë, por ta dish atë çka vijon”.

“You got to know
When to hold ’em
Know when to fold ’em
Know when to walk away
Know when to run.”

Pra, është me rëndësi edhe për një liderë me ditë deri kur duhet të vazhdoje të merret me politikë dhe kur i ka ardhur koha për t`u larguar. Por fatkeqësisht politikanët tanë nuk e pranojnë këtë, megjithëse një numër i madh duhet të jenë të vetëdijshëm se kanë ra në provim të gjithë si elitë politike e trojeve shqiptare, apo janë amortizuar, dhe se u ka ardhur koha që ata të largohen nga aty ku janë.

Ka ardhur koha të bëhet një tranzicion i qetë dhe demokratik. Duhet ta shohim se çka mund të bëjnë të tjerët, sepse këta veç u pa tashmë se çka bënë. Kur njerëzit e humbin besimin të një liderë, atëherë ai e ka kot, të mundohet sa të duan, sepse nuk mund të bësh asgjë vetëm të blejnë kohën. Nuk mund të jenë më të suksesshëm, sikurse ishin ne fillim as Sali Berisha, as Lulzim Basha, as Edi Rama, as liderët e Kosovës – pra kanë ra të gjithë në provim. Në Kosovë i vetmi që ende nuk është sprovuar se si do qeverisë, është subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje, në krye më Albin Kurti. Kisha pas dëshirë që edhe Kurtit t’i jepet mundësia, se çka po bënë, është një djalë i mençëm, me sa di unë nuk ka hyrë në pazarllëqe dhe korrupsion. Prandaj, kisha pas dëshirë t’i jepet mundësia, pasi që kjo kishte qenë nderë edhe për Kosovën. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Gazetari britanik tregon nëse mund të ketë luftë në Kosovë dhe Bosnjë

Gazetari britanik tregon nëse mund të ketë luftë në Kosovë dhe Bosnjë

Siguri
U tregua e ashpër ndaj Vuçiqit në Këshill të Sigurimit - reagime të shumta në mbështetje të përfaqësues së Maltës

U tregua e ashpër ndaj Vuçiqit në Këshill të Sigurimit - reagime të shumta në mbështetje të përfaqësues së Maltës

Lajme
Cvijanoviq: Qëndrimi i Bosnjës e Hercegovinës për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës duhet të jetë neutral

Cvijanoviq: Qëndrimi i Bosnjës e Hercegovinës për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës duhet të jetë neutral

Lajme
Kurti pas telefonatës me Macron: Besojmë që Franca ta mbështesë Kosovën në KiE pa parakushte

Kurti pas telefonatës me Macron: Besojmë që Franca ta mbështesë Kosovën në KiE pa parakushte

Lajme
Goditi 42 herë me thikë ish-të dashurën në Vjenë, gjykata e dënon me 15 vjet burgim shqiptarin nga Kosova

Goditi 42 herë me thikë ish-të dashurën në Vjenë, gjykata e dënon me 15 vjet burgim shqiptarin nga Kosova

Lajme
Zbulohet shifra që u pagua Alma Kaçi për të kryer marrëdhënie seksuale me Safet Gjicin: Ia morën videon me forcë

Zbulohet shifra që u pagua Alma Kaçi për të kryer marrëdhënie seksuale me Safet Gjicin: Ia morën videon me forcë

Lajme
Kalo në kategori