Një burrë nga shteti i Missouri ka zbuluar se një biletë e lotarisë Powerball, të cilën e kishte lënë të harruar në kamionin e tij për disa muaj, ishte fituese e një çmimi prej 50 mijë dollarësh (rreth 43 mijë euro).

Banori i qytetit West Plains tha se kishte grumbulluar disa bileta lotarie në konsolën e automjetit dhe nuk i kishte kontrolluar që nga shkurti.


Vetëm kur vendosi t’i pastronte dhe t’i skanonte në një pikë karburanti lokale, mësoi se njëra prej tyre kishte fituar në shortin e Powerball-it të 11 shkurtit.

Fituesi tregoi se mbeti pa fjalë kur punonjësi i dyqanit i tha se kishte fituar 50 mijë dollarë.

“Kam luajtur prej vitesh dhe ky është fitimi më i madh që kam marrë ndonjëherë”, u shpreh ai.

Emocionet ishin aq të mëdha sa ai harroi edhe arsyen pse kishte ndaluar në stacionin e karburantit.

Sipas tij, pasi pagoi për karburantin dhe mori lajmin për fitimin, u largua me kamion pa e furnizuar fare automjetin.

Fituesi tha se një pjesë e parave do të përdoret për të ndihmuar nipërit dhe mbesat e tij. /Telegrafi/