eksperti ad

Në emisionin “Radar” në Radio Dukagjini me Edita Dolin, është paraqitur një qytetare shqiptare që jeton në Gjermani, e quajtur Vera, e cila ka bërë një apel publik për ndihmë në gjetjen e një familjeje nga Mitrovica me të cilën kishte humbur kontaktet prej më shumë se dy dekadash.

Vera tregoi se familja nga Mitrovica kishte jetuar për tre vite në të njëjtën provincë në Gjermani dhe më pas ishin kthyer në Kosovë, duke humbur çdo kontakt.




“Jam Vera, jetoj në Gjermani. Kërkoj një familje nga Mitrovica me të cilët kemi pasur marrëdhënie shumë të mira. Ata u kthyen në Kosovë dhe prej atëherë kemi humbur kontaktet. Kanë qenë një familje e mrekullueshme… por nuk kam mbiemrin e tyre”, tha ajo gjatë lidhjes telefonike.

Ajo kujtoi anëtarët e familjes me emër, duke përfshirë Mustafën, Mevluden, vajzat Marjeta, Arjeta dhe Njomza, si dhe djalin Kenan, me të cilin vajza e saj kishte qenë shok klase në Gjermani.

Vetëm 24 orë pas apelit të saj, Edita Doli arriti të kontaktojë djalin e familjes, Kenanin i cili sot jeton në Zvicër me familjen e tij.

Në një lidhje telefonike në emision, Kenani u prezantua duke i thënë Verës: “Përshëndetje Vera, jam Kenani”.

Vera, e emocionuar, e pyeti nëse e kujtonte, ndërsa ai u përgjigj se i mbante mend të gjithë dhe se familja e tij jeton aktualisht në Kosovë dhe në Gjermani.

“Sigurisht që ju mbaj mend. Mami jeton në Kosovë me motrën e vogël, unë jam në Zvicër me familjen time, ndërsa motrat janë në Gjermani”, tha ai.

E emocionuar, Vera u shpreh se zëri i Kenanit i kishte ndryshuar, duke kujtuar kohën kur ai ishte fëmijë: “Ke qenë në klasë të parë me vajzën time. Tani je bërë burrë, 36 vjeç”.

Nga ana e tij, Kenani tha se ishte prekur nga fakti që Vera kishte ruajtur kujtimet për familjen e tij për kaq shumë vite.

“Kanë kaluar shumë vite dhe më ka bërë përshtypje që nuk i ke harruar emrat e askujt”, u shpreh ai.

Në fund të bisedës, Vera tha se kurrë nuk i ka harruar ata, duke kujtuar mirësinë e familjes gjatë kohës së qëndrimit në Gjermani.

“Bukën që na e ka dhënë nëna jote nuk e harroj kurrë. Ka qenë një familje e mrekullueshme. Tani do të kontaktojmë sërish”, tha ajo, duke falënderuar edhe moderatoren Edita Doli për ndihmën në ribashkimin e tyre pas 26 vitesh. /Telegrafi/